Thaçi e Vuçiç përplasen për dialogun

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç për kushtëzim dhe pengim të vazhdimit të dialogut me Kosovën. Thaçi këto komente i bëri në një panel në kuadër të forumit “GloboSec” në Bratisllavë, ku mori pjesë edhe Vuçiqi. I pari i Kosovës Thaçi tha se ende ka gjasa që marrëveshja të arrihet këtë vit, por vetëm nëse Serbia tërhiqet nga pengesat që i bën dialogut.

Nuk mund të arrihet marrëveshje me gjithë këtë qasje penguese të Serbisë, në përpjekjet e saj penguese për anëtarësim e Kosovës në UNESCO e Interpol. Por, unë besoj se në javët e ardhshme do të krijohet një klimë për vazhdim të dialogut dhe Samiti i Parisit do të jetë një mundësi shumë e mirë për të bërë hapa konkretë për vazhdim të dialogut dhe arritjen e marrëveshjes”- deklaroi Hashim Thaçi, President i Kosovës

Presidenti serb Vuçiç tha se angazhohet për një zgjidhje kompromisi, por jo çfarëdo zgjidhjeje që ofron Prishtina. Vuçiç kërkoi heqjen e taksës për t’i hapur rrugë vazhdimit të dialogut.

Për zotëri Thaçin e gjithë Kosova u përket shqiptarëve të Kosovës apo kosovarëve apo kjo është një shtet i pavarur. Por, sipas kushtetutës së Serbisë e gjithë Kosova i përket Serbisë, edhe bota është e ndarë, absolutisht e ndarë. Jam i interesuar për ato miliona që u takojnë popullit serb, prandaj jam i etur për ta fituar atë shumë që ato populli ynë i meriton, kaq. Vetëm hiqni dorë nga tarifat dhe ne do të vazhdojmë me çfarëdolloj negociate që dëshironi”- u shpreh Aleksandar Vuçiç, President i Serbisë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë pas kthimit nga Berlini se pezullimi i taksës nuk e ndihmon dialogun. Ai tha se nuk ka qenë në dijeni për vizitën e Thaçit në Bratisllavë

Bindja ime është se taksa mund të hjeket dhe suspendohet vetëm në rastin e njohjes reciproke. Qëndrimi im është konsistonte ,janë dy opsione. Ose një vendim i madh, që të ndodh një konferencë një ditore, atëherë Kosova është e gatshme të suspendoj taksën deri në këtë konferencë, por vetëm me kusht të njohjes, por edhe nëse e suspendojmë disa ditë, nuk e ndihmojmë procesin, se mund të zgjas me ditë dhe vjet”- tha Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës

Më 1 korrik në Paris, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç pritet të kryesojnë delegacionet e dy vendeve në kuadër të një takimi nikoqir i së cilit janë presidenti francez Makron e kancelarja gjermane Merkel, për të shtyrë përpara dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.