Lartësia e vetes


Astrit Lulushi

Njeriu në gjunjë është aq i lartë sa duket, thjesht gjysmë njeri, më shumë se gjysmën e jetës e kalon ulur. Kjo ndikon në lartësimin e tij. Ai kurrë nuk arrin as lartësinë e vetes. Prandaj mendimi nuk çan dot, sepse fluturon ulët. Njerëzit e mëdhenj janë të rrallë, edhe kur ngrihen shoqëria nuk i do, i rrëzon, i gjunjëzon, i shtrinë, i vret. Qëndrimi lart, në këmbë e lodh njeriun. Edhe qëndrimi për shumë kohë në majat e pushtetit është i lodhshëm. Prandaj zgjedhjet bëhen çdo katër vjet, që çdo njeri në një kohë a një tjetër, të jetë në gjendje të qeverisë e provojë vështirësinë a ëmbëlsinë e pushtetit. Ata që nuk ngopen me fuqinë e pushtetit nuk e lëshojnë atë, duke u kthyer në tiranë e diktatorë.
Ky brez ka më shumë kohë të lirë se çdo brez tjetër në të kaluarën. Por ironikisht, është më lehtë të gëzosh një punë sesa kohën e lirë. Puna është e organizuar, ka objektiva, rezultate, rregulla dhe sfida që inkurajojnë përkushtimin e vëmendjes dhe humbjen e Vetes.
Koha e lirë është ashtu siç thuhet, e lirë, e paorganizuar, dhe kërkon shumë më tepër përpjekje për ta mbushur atë. Por koha e lirë sot, në vend që ta nxisë njeriun në përdorimin e aftësive fizike dhe mendore, ofron thjesht gëzimin pasiv, duke shikuar një ngjarje në vend të marrjes pjesë në të, duke u kënaqur a u shpenguar me lojra, lajme, shfaqje e filma në TV, iPhonë e iPad. Kjo kënaqësi pasive është si një rrënie në gjunjë, që nuk e lë njeriun të ngrihet në lartësinë e Vetes e jo pastaj më shumë.