Kardiologët: Sëmundje kardio-vaskulare në rritje!

Sëmundjet kardio-vaskulare po prekin gjithnjë e më shumë popullatën shqiptare, pa kursyer edhe moshat e reja. Mjekët specialiste të poliklinikave apelojnë për kontrolle të shpeshta në sistemin ambultor ndërsa sigurojnë se kabinetet kanë të gjithë gamën e aparaturave për një diagnostikë të plotë laboratorike.

Stresi, regjimi ushqimor, mungesa e aktivitetit fizik por edhe sëmundjet si diabeti dhe hipertensioni akuzohen nga mjekët si shkaktarët të rritjes së numrit të lartë të sëmundjeve kardio-vaskulare në vend.

Kardiologjia Manjola Lika në poliklinikën e specialiteteve Nr.2 thotë se ekzaminimi i shpejtë në ambulator parandalon në kohë goditjet e rënda në zemër.

Por a kanë realisht poliklinikat sot mundësinë e kryerjes së plotë të ekzaminimeve pa shkuar në spital?

Kabinetet e kompletuara kardiologjike tek kjo poliklinikë shfrytëzohen me kapacitet të plotë, çdo ditë, edhe nga mjekët specialistë të zonave të tjera të Tiranës me qëllim mbylljen e ciklit diagnostik brenda sistemit parësor.