Bild’, monopoli i politikës dhe mediat që mbajnë iso


Nga Çapajev Gjokutaj

Përgjimet që publikoi dje ‘Bild’ janë skandaloze. Një kapo i botës së krimit nga Shijaku duket se ka marrëdhenie shumë të afërta, madje jo rrallë edhe komanduese, me drejtorë e funksionarë politikë në Durrës e në Shijak.

Kaq skandaloze janë bisedat sa që vetiu të shkon mendja të dyshosh: janë biseda autentike apo të manipuluara? Por ky dyshim nis e davaritet shpejt, kur kujton se përgjimet janë verifikuar prej një profesionisti të gazetës me tirazh më të lartë në gjithë Europën.

Këta lloj gazetarësh mund të luajnë me shumçka, por me faktet vështirë se guxojnë, i ruhen shtrembërimit të tyre si djalli temjanit. Kjo nuk ndodh vetiu. Redaksitë i detyrojnë t’i verifikojnë e riverifikojnë, ndryshe një fakt i rremë, i vërtetuar si i tillë nga gjykata, sjell dënime e dëmshpërblime në gjoba milionëshe.

Ndërkohë që thua këto të kujtohen mediat tona, jo për ngjajshmëri por për kontrast. Dosja 339, prej nga gazetari i ‘Bild’ ka nxjerrë përgjimet e djeshme, flitet e përflitet në ligjërimin tonë publik qysh nga 22 tetori i vitit të kaluar, thenë ndryshe mbi tetë muaj. Por deri dje, gjithë mediat tona të marra bashkë, kishin arritur të nxirrnin në publik fare pak përgjime që krijonin një pamje të vagullt, as mish e as peshk.

Vjen një gazetar gjerman, rri pak ditë në Shqipëri dhe, në pak javë boton dy shkrime. I pari rimerrte përgjithësisht ato që kishte thenë edhe media jonë. I dyti, vjen tri javë pas të parit, por ajo që zbulohet nga gjashtë përgjimet e reja i bën gjithë prononcimet gati 9 mujor të medias tonë të ngjajnë si zhaurimë pazaresh orientale.

Ishte thenë prej kohësh se dosja 339 qe shumë voluminoze, qindra disqe me biseda të regjistruara, ndaj dhe donte kohë e burime të shumta njerëzore të zbardhej e të analizohej. Si arriti një gazetar i vetëm që, në pak javë të bëjë atë që që nuk e bënë dot prokuroria e ‘prekurorët’ tanë në tre vjet, madje as media jonë e ububushme për 9 muaj kaluar me muhabete?

Çështje profesionalizmi e infrastrukture, mund të ishte njeri shpjegim, gazetari gjerman ka patur në dispozicion staf të kualifikuar, specialistë IT të zotë dhe makina të fuqishme për kërkim dhe përpunim informacioni.

Por mund të ketë edhe një shpjegim tjetër. Materiali mund të jetë hulumtuar në Shqipëri nga stafe të opozitës apo profesionistë pranë saj, por është ruajtur për t’u përdorur në një çast si ky i tanishmi, që të ketë efekt maksimal. Dhe këtu s’ka ndonjë gjë të çuditshme. Është e drejtë e forcave politike t’i përdorin informacionet që u bien në dorë si të duan, kur të duan dhe duke i bërë hyzmet interesit të tyre.

E çuditshmja shfaqet kur nis e përsiat për rolin e mediave në gjithë historinë e deritanishme të dosjes 339. Në çdo vend normal demokratik gazetarët do të kishin bërë çmos dhe do t’ia kishin arritur të zbulonin përmbajtjen e saj sa më shpejt dhe jo të harxhonin 9 muaj duke tjerrur llafe e duke pritur kur opozita do të hapte rubinetin e informacionit.

Arsyet e këtij qendrimi apatik e të zvargur mund të jenë shumë dhe duan diskutuar një herë tjetër. Por në kuadër të këtij shenimi mund të thuash gojaplotë se mediat tona jo rrallë, nga malli apo nga halli, për komoditet a për zahmet, punojnë kryesisht me informacione që vijnë nga selitë e partive dhe, dashje padashje, ligjërojnë monopole politike mbi informimin publik. Thenë ndryshe palët partiake ia marrin a ia kthejnë, kurse mediat u mbajnë iso. Duke ecur kësaj rruge, mund t’i shërbesh një axhende politike, mund t’i shtosh dru zjarrit të luftës mes partive, por vështirë se i shërben interesit publik.

more recommended stories

loading...