Dy botë dhe ideale të ndryshme. Çliruesit e Europës dhe Shqipëria e veteranëve të NAÇL

Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë në brigjet e Normandisë do të zbrisnin 75 mijë trupa britanikë dhe 57 mijë trupa amerikanë duke sulmuar papritmas trupat naziste. Në një nga ditët më të njohura të Luftës së Dytë Botërore u vranë me mijëra ushtarë.

Sot, në brigjet e Normandisë apo në Portsmuth (nga ku u nisën anijet) do të jenë të pranishëm vetëm disa vetereanë të D-Day. Sipas të dhënave mosha mesatare e veteranëve që kthehen në Normandi për të përkujtuar zbarkimin e D-Day është 96 vjeçë. Më pak se 4% e veteranëve të LB2 janë gjallë dhe më pak se 4% kanë mundësi të udhëtojnë deri në Normandi. Një prej këtyre veteranëve, Walter Hurd, u shpreh se “Nuk i dua medaljet e veteranëve pasi luftova për lirinë”.

Shqipëria e veteranëve të NAÇL është krejt ndryshe nga kjo e Normandisë. Aktet e tyre nuk janë aq heroike sa ato të Normandisë, betejat e partizanëve janë më shumë prodhim i Kinostudios se sa ngjarje reale që mund të vërtetohen. Mbase për këtë arsye edhe rrahja e gjoksit mbushur me medalje (vini re ndryshimin) ia kalon fantazive që vetëm Kinostudio Shqipëria e Re apo Lidhja e Shkrimtarëve Socialistë mund t’i prodhonte.

Ne aktualisht kemi numrin më të madh të vetarëve, mbajmë rekord për moshën mesatare të veteranëve (duhet të jetë diku tek 70-80 vjeç). Veteranët tanë kanë mbushur gjoksin nga cepi më cep me medalje heroizmash dhe sipërmarrjesh heroike nga vjedhja e bidonit të ujit, tek ofendimi me libër shpie në gjermanisht të pushtuesve.

Një lavdi të tillë, D-Day nuk ka si ta ketë. Në fund të ditës ushtari Jack Port, veteran i D-Day, ishte 22 vjec dhe kishte disa muaj që trajnohej për ushtar kur zbarkoi në Normandi. Ai nuk mund të krahasohet me shokët veteranë që 16 vjeç mbanin në krah një automatik 17 kilogram dhe që qëllonin gjermanët.

Bota mund të përkujtojë D-Day, por Shqipëria ka vite që vazhdon të jetojë e patrazuar në ëndrrën e saj duke kënduar nën ritmin e teneqe-medaljeve këngën “Moj qershor 42, do shënohet në histori!”