Vizita pa bujë e filozofit të njohur botëror Luc Ferry në Tiranë! “E dua Shqipërinë në BE”

Filozofi dhe politikani i njohur francez, z. Luc Ferry u nderua në Tiranë nga Universiteti Evropian, me titullin “Honoris Causa”.
Gjatë një ceremonie ditën e djeshme, Filozofi Ferry shprehu kënaqësinë e tij për vlerësimin duke theksuar që e pranoi këtë nderim për dy arsye kryesore:
“E pranova me entuziazëm këtë vlerësim që më bëtë dhe gëzimin për të, për dy arsye: së pari, për shkak të universitetit dhe së dyti, për shkak të Shqipërisë”.

Ai ka shpjeguar arsyet përse e cilëson një vend të vogël si Shqipëria si shumë të rëndësishëm.
“Ka vende të vogla në historinë e njerëzimit që janë shumë të rëndësishme. Tirana, Shqipëria, është një vend i vogël, por shumë i rëndësishëm. Sepse, ky vend kaq i vogël ka prodhuar artistë, gjë që është shumë e rrallë, ka prodhuar shkrimtarë e personalitete botërore, si Nënë Tereza, pa harruar gjithashtu Ismail Kadarenë, pasi është e rrallë të ketë shkrimtarë që i përkasin asaj që Gëte e quan letërsi botërore dhe Kadare është ndoshta i vetmi i brezit të tij sot. Miku im i vjetër, François Furet, historiani më i madh francez, më thoshte gjithmonë: ‘Për të prodhuar shkrimtarë botërorë duhet një komb i madh prapa, edhe përse mund të jetë i vogël në territor, duhet të ketë një kulturë shumë e madhe”. Z. Ferry theksoi gjithashtu nevojën që ekziston sot në botë për të luftuar valën demagogjike të “fake news” dhe “post të vërtetës”, me të cilën kemi të bëjmë kryesisht në rrjetet sociale, ku mjeti më i mirë është dija.
“Ne kemi më tepër se kurrë nevojë për universitetet. Kemi nevojë për dijetarë, për shkencëtarë, për akademikë, për ekspertë si kurrë më parë në historinë e njerëzimit.”

Në përmbyllje të fjalës së tij, z. Ferry e vlerësoi sërish Shqipërinë për vlerat që ka treguar ndër vite dhe shprehu bindjet e tij pro integrimit në Bashkimin Europian.

“Shpresoj dhe uroj që ju të hyni së shpejti në BE. Nuk e di nëse ju e dëshironi të gjithë këtë gjë, por unë personalisht do të isha shumë i lumtur të shihja një vend të tillë, me një kulturë të tillë dhe me një universitet të tillë si juaji, të pranohet në Bashkimin Europian”, tha ai.