Lind apo bëhesh?


Astrit Lulushi

Ekzistenca i paraprin Thelbit thoshte Sartri – një debat i lashtë ky, që nga koha e Aristotelit, i cili argumentonte se pa thelb, njeriu humbet identitetin. Por Sartri mendon ndryshe. Thelbi i një individi përcaktohet nga mënyra se si jeton dhe krijon – njeriu përballet me veten, rritet në këtë botë dhe më pas përcakton veten. Njeriu ndikohet nga ajo që e rrethon. Një situatë shtypëse nuk është e patolerueshme, por kur konsiderohet shtypëse nga ata që ndihen të shtypur, situata bëhet e patolerueshme.
Njeriu krijon veten. Kjo perceptohet si thënie, se njeriu mund të dëshirojë të jetë diçka dhe pastaj të jetë vetja. Por njeriu përcaktohet vetëm për aq sa vepron dhe se është përgjegjës veprimet e veta. Ai mund të zgjedhë të jetë i keq ose i mirë, por në thelb nuk është asnjë prej të dyjave. Sartri thotë se vetë njeriu i jep kuptim jetës së vet, dhe ka liri të pakufizuar për të arritur objektivat e tij, për aq kohë sa dëshiron. Sugjerimi që “ekzistenca i paraprin esencës” e kundërshton pikëpamjen tradicionale filozofike se thelbi i një gjëje është më themelor sesa ekzistenca e saj – se qeniet njerëzore në fillim të jetës së tyre nuk kanë as identitet dhe as vlerë.
Simone de Beauvoir e përdori këtë koncept për të shprehur idenë se një njeri nuk lind gjeni, por bëhet i tillë.