Protesta e 7të, Si duhet ta lexojmë lëvizjen Rama Ik!

Nga Rudi Erebara/

Protesta e shtatë e opozitës erdhi me përshkallëzim. Protesta ka emër. Rama ik. Rama shkruan letrën e shtatë për kryetarin e opozitës. Kërkon të diskutojë diçka të padiskutueshme më.
Nuk është më çështje kryetarësh. Është çështje qeveri e inkriminuar, opozitë në përshkallëzim drejt dhunës. Kokëfortësia e shpalosur nga qeveria për të shkuar në zgjedhje pa opozitën, duket sikur i hedh benzinë zjarrit. Edhe justifikon mjetet e dhunshme në protestë. Nga dje sot, edhe jo vetëm kaq ngushtë në hark kohor, kemi një ngut për të treguar qeveria se u dëmtuan policët nga dhuna e protestuesve, që të justifikohet dhuna e ushtruar me gaz si Ali kimiku i Irakut. Nga ana tjetër opozita shpreh qëndresën ndaj dhunës që po ushtrën qeveria.
Një peshore shumë e rrezikshme. Qeveria mbrohet nga policia, e cila eshtë shpikur të kapë kriminelët edhe jo të kryejë rolin e agronomit në mbjelljen e kanabisit, apo të dispeçerisë në trafikun e narkotikëve të tjerë. Opozita, e cila nisi protestën në formën më demokratike të mundshme, me djegien e mandateve, tani, me kokëfortësinë e qeverisë për të shkuar ne zgjedhje monopartiake, detyrohet të përdorë mjetin e fundit që i ka mbetur, dhunën.
Por a është dhuna zgjidhje për të rrëzuar këtë sistem?
Opozita doli na parlamenti në rrugën e protestës kombëtare, pasi mjetet demokratike ligjore brenda institucioneve të shtetit nuk ekzistojnë më. Ligji special për të shembur korpusin teatror, i votuar dy herë, edhe rrëzuar dy herë nga Presidenti i Republikës, do të mjaftonte si shembull. Por ashtu siç u përshkallëzua protesta e opozitës, krahas sa u përshkallëzua vjedhja në shumë përherë e më të mëdha përmes PPP-ve nga ana e qeverisë. Vetëm 2 javët e fundit, kemi skandale që arrijnë shifrën e kati 500 milion eurove. Në kushte të tilla, dhuna del mjet i justifikueshëm për opozitën, por ama dhuna politikisht e dëmton opozitën. Sikur ta marrim për një çast se opozita e merr kryeministrinë, menjëherë shtrohet pyetja: Po pastaj?
Kryeministria është një godinë si gjithë të tjerat. Vlen për protestën e opozitës pikërisht se është kryeministri. Nëse “pushtohet” nuk është më e tillë. Pra sistemi nuk rrëzohet me marrjen e kryeministrisë, por me zbatimin e reformës që po kërkon koha me : Rama ik.
Kërkesat e opozitës janë të qarta. Janë demokratike si kërkesa. Të justifikuara plotësisht si masa që merr një opozitë, apo më saktë një popull, mbetur pa mjete të tjera institucionale demokratike. Nuk kemi gjykata. Nuk kemi prokurori. Vetingu, reforma në drejtësi, mbushi 3 vjet dështim, edhe as nuk po i duket fundi.
Pra, jemi në situatën më ekstreme. Duhet çmontuar sistemi. Normalisht, sistemi çmontohej lehtë nëse do të kishim një sistem gjyqësor të fortë dhe të paanshëm. Por nuk e kemi. Mjeti i fundit garant i rendit duhej të ishte policia, e pas saj ushtria. As këto mjete nuk janë të mundshme. Atëherë çfarë do të ndodhë? Do të shkojmë në zgjedhje sipas formulës së Ramiz Alisë më 1991? Edhe nëse opozita e pranon këtë në mënyrë demokratike edhe vazhdon protestën siç po e vazhdon, a merr zgjidhje problemi derisa të vijnë zgjedhjet e përgjithshme? Jo. Sikur ta marrim në një rast utopik, qëndresën paqësore të opozitës në vazhdim, vetë qeverisja e vendit nuk mund të kryhet pa opozitën. Opozita nuk është 30 apo 50 deputetë. Opozita është gjysma e popullit shqiptar. Kjo gjysmë pasqyrohet sigurisht si gjysmë e administratës shtetërore në të gjitha nivelet. Me zgjedhjet e qershorit, qeveria ysht me pasion të çmendur një dhunë të panevojshme, kur kërkon të dhunojë, me qeverisjen e le të themi gjysmës së popullsisë. Kjo më çon ndërmend Korenë e Veriut në futboll. Qeveria i tha popullit se e fituan Kupën e Botës. Edhe çoi ekipin në burg. Rama nuk e çon dot opozitën në një burg të tillë. Duhet të pranojë realitetin.
Tymi i protestës ka dalë sakaq nëpër zyrat e Europës. Nuk e mban dot me blerje mediash apo burokratësh ndërkombëtarë. Opozita është me shpatulla pas muri, në formulën dy duar për një kokë. Nuk ka më elokuencë demokratizuese, sepse nuk është më rasti.
Sado të shprehet në 1 milion mënyra mosbesimi ndaj opozitës, realiteti është i tillë. Pa opozitën në parlament, maxhorancës i bie të mbajë me 100% të gjitha përgjegjësitë. Por me rënien e Ramës, kësaj radhe bie edhe Partia Socialiste. Edhe në kuptimin e sistemit, bie sistemi politik. Edhe nëse vjen opozita e sotme në qeveri pas një rënie të tillë, sistemi sërisht ka rënë.
Atëherë duhet të gjykojmë rreziqet. Të shembësh një ndërtesë ka dy mënyra. Njëra është ta shembësh nga themelet. Tjetra nga çatia. Të ndërtosh diçka mund ta bësh vetëm duke nisur nga themelet. Nuk ndërtohet asgjë nga lart poshtë. Një piramidë e përmbysur nuk mund të qëndrojë. Është baza që mundëson ngritjen e piramidës.
Nëse do ta mendojmë raportin pozitë-opozitë si dy ndërtesa të ndara që kanë një mur të përbashkët, shembja e njërës ndërtesë me 100% është e pamundur. Atëherë në kushte të tilla, nuk ka se çfarë të diskutohet. Rama në ftesat e tij, kërkon të shembë opozitën. Kurse opozita, në raport institucional, po kërkon vetëm : Rama ik. Edhe në këtë raport është shumë saktë. Madje, unë do të shtoja se çdo formë dhune nga anë e opozitës, i bën dëm vetëm opozitës. Në thelb protesta është nisur shumë mirë drejt një zgjidhje. Demokraci me çdo kusht, nën kërcënimin se nuk ka stabilitet pa demokraci, dmth, nuk ka negociata me Ramën.
Ndërtesa kështu nis të çmontohet nga çatia drejt themeleve. I vetmi problem mbetet pastaj për opozitën, mosriciklimi i tullave.