Ilira, shqiptarja një yll në ngjitje e muzikës botërore!

E freskët, me klipin e ri “DIABLO”, këngëtarja shqiptare nga Kosova ka të gjithë premisat të tërheqë të gjitha dritat e skenës drejt vetes, si një yll i ri i popit.

E rritur në një qytezë të Zvicrës, nga dy prindër shqiptarë të Kosovës, Ilira Gashi e pati të vështirë të gjente vendin e saj në një mjedis me përplasje kulturash.


Me një ndikim muzikor të gjerë, nga Nirvana tek Rihanna si muzat e saj më madhore, artistja e re zhvilloi një sjellje rebele, që në moshë të re, sjellje që i dha formën e artistes që është sot.

Ilira nisi të provojë veten në skenat live në spektakle talenti në televizionet shqiptare – në festivale si Kënga Magjike dhe Top Fest – dhe ato zvicerane, e në të njëjtën kohë nisi të shkruajë këngë me tinguj të blerë online dhe postonte klipe të këtyre këngëve në Instagramin e saj. Pasi lëvizi drejt Berlinit, dega gjermane e Sony Music e pikasi Ilirën dhe nga ajo kohë ajo nisë të krijojë këngë pop në Los Anxhelos dhe Londër. Me më shumë muzikë këtë vit, Ilira është një yll i ri në ngjitje.

Në një intervistë për Meaww, poliglotja multi-etnike flet rreth këngës së re dhe videos muzikore, ndikimeve eklektike, ndërsa rritej në një mjedis kulturalisht të huaj, ndikimin e platformave të mediave sociale si Instagrami për artistët e rinj dhe ata të së ardhmes, projektet e radhës, ndikimet aktuale dhe shumë të tjera.

Ajo publikoi separi kenge “Whisper my name”, nga ku mori hov karriera e saj publike gjeresisht.

Ç’domethënie ka kënga “Whisper my name” për ty?
Do të thotë shumë për mua, sepse është single im i parë. E kam shkruar pas një ndarjeje të rëndë. Ka të bëjë me kohën kur dikush tjetër më mori në atë kohë të dëshpëruar dhe m’i solli sërish ndjesitë pluskuese të të qenit e dashuruar.

Kënga është gjithashtu e shoqëruar me një video muzikore. Kush e ka realizuar dhe si u ndjeve në sheshxhirim?

Ishte shumë argëtuese. Regjisori ishte Marvin Ströter dhe hedh një vështrim se ç’do të thotë të jesh i dashuruar me mua. Jam shumë posesive, por në një mënyrë të përkujdesur dhe të dhembshur. Më pëlqejnë ngjyrat e videos, sepse është si një pasqyrim i mirë i personalitetit tim ambivalent. Ishte videoja ime e parë muzikore, isha nën stres të madh në sheshxhirim, por jam e lumtur që gjithçka shkoi më së miri dhe më vjen mirë që njerëzit po reagojnë pozitivisht ndaj saj.

Je shqiptare nga Kosova dhe je rritur në një qytezë të Zvicrës. Ç’rol ka luajtur muzika në fëmijërinë tënde?
Si një fëmijë i kulturës së tretë, shpesh ndihesha pavend me njerëzit që më tallnin për ëndrrat dhe aspiratat që kisha. Muzika ka qenë streha ime qysh prej asaj kohe. Krijova një hapësirë, ku mund të isha e lirë të rritesha.
Përmend Nirvanat dhe Rihanna-n si ndikimet më të hershme. Artistë të ndryshëm, të paktën nga ana muzikore. Si të ka dhënë formë kjo gamë kaq e gjerë ndikimesh?

Është e vërtetë. Nuk kam qenë kurrë tipi i vetëm një zhanri. Prindërit më kanë prezantuar me shumë muzikë të Lindjes së Mesme kur isha e vogël. Më vonë, natyrshëm u tërhoqa drejt muzikës amerikane. Përpiqem të përfshij të gjithë ato ndikime në një tingull dhe ta bëj stilin tim të dallueshëm.

Përpjekjet për debutim duket se kanë krijuar energji serioze. Ç’tjetër pret në të ardhmen e afërt?
Kam punuar mbi këtë material rreth dy vjet, në Los Anxhelos, Londër dhe Berlin. Çdo këngë e imja është si faqe e grisur nga ditari. Kam shumë histori për të rrëfyer, jo vetëm për lëndimet e zemrës, por rreth betejës së paevitueshme të rritjes. Jam e emocionuar t’i nxjerr ato këngë dhe të nis turnetë. Kam edhe disa bashkëpunime që do të vijnë së shpejti, ndaj qëndroni në linjë!
Ilira është emri skenik apo emri yt i vërtetë?
Është emri im i vërtetë. Është me origjinë shqiptare dhe do të thotë rebele ose luftëtare. Besoj se prindërit e dinin se do të bëhesha luftëtare.
Ke fituar shumë ndjekës, duke postuar klipet e tu muzikorë në Instagram. Sa ndikim mendon se kanë platformat e medias sociale në peizazhin e sotëm muzikor?
Mbi të gjitha, Instagrami është një mënyrë që të angazhohem me njerëzit. I lejon kujtdo të postojë muzikë nga dhoma e gjumit dhe të angazhohet me ata që pëlqejnë atë çka është postuar. Kështu kam nisur edhe unë: Kam postuar në Instagram një video, që e regjistrova vetë teksa këndoja dhe në fund m’u ofrua menaxhim, publikim dhe marrëveshje me një shtëpi diskografike. Pak e dija se videot në Instagram ishin të mjaftueshme. Më vjen mirë që kjo platformë është e disponueshme për çdo muzikant në vështirësi dhe me ëndrra shumë më të mëdha se hapësira e dhomës së tyre të gjumit.

more recommended stories

loading...