Pas Veliajt, edhe Meta krah shqiptares që kandidon në Parlamentin evropian

Pas kryebashkiakut Veliaj, edhe Presidenti Ilir Meta i del në krah shqiptares së parë që kandidon për Parlamentin Europian në Itali. Përmes një postimi në “Facebook”, Meta shkruan se Ballo përveçse një studiuese e mirë e emigracionit është një zë që i fortë i komunitetit shqiptar.

Presidenti Meta shprehet ndër të tjera se shembulli i saj është frymëzim për nxitjen e shqiptarëve të tjerë.

Meta
“Gerarta Ballo është shqiptarja e parë që kandidon për Parlamentin Europian në Itali. Si aktiviste dhe studiuese e mirë e emigracionit, me eksperiencë edhe në diplomaci, Geri ka spikatur si një zë i fortë i komunitetit të hershëm dhe të ri shqiptar në vendin fqinj.
Shembulli i saj është frymëzim dhe nxitje për shqiptarët e tjerë, për të përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë në Itali dhe në Europë.

Por edhe tregues i integrimit të plotë, suksesit, punës e përkushtimit të emigrantëve tanë për të shërbyer në ndërtimin e një imazhi edhe më pozitiv për Shqipërinë, që synon të bëhet pjesë e BE. Duke besuar se mbështetja e madhe e Arbëreshëve dhe shqiptarëve në Itali nuk do t’i mungojë në rajonet e Jugut të Italisë ku kandidon, i uroj shumë suksese Geri Ballos në garën për Parlamentin Europian.”-shkruan Meta.