Analiza/ Pse kryeministri i vendit gjendet sot i izoluar dhe me një mik e gjysëm

Më në fund, në mes të betejës së gjatë (që do të vazhdojë) mes Ramës dhe opozitës si dhe institucionet e shtetit, po ravijëzohet një vijë e qartë përbashkuese e faktorëve që pritet të luajnë lëvizjet e tyre. Linjat e këtyre goditjeve të lidhura dhe aspak rastësore duket se sot kanë konverguar drejt tyre që kanë luftuar për muaj me radhë në shërbim të ideve sa të çmendura aq edhe personale.

Nuk mund të ishte ndryshe, e as duhet të mendohet si e tillë, që gjithë kjo zallamahi politike në trojet e Ballkanit Perëndimor. Të mos vinte si pasojë e një presioni të vazhdueshëm të forcave antagoniste me qëllime diametralisht të kundërta. Historia e një kryeministri shqiptar që puqet me presidentin e Kosovës për të rakorduar me Presidentin e Serbisë për të vizatuar në harta kufij elastikë, do të ishte me gjasë Principi i ri i një epoke tjetër luftërash në këtë rajon.

Fundi i kësaj ëndrre erdhi prej Mutter Merkel që gjashtë vjet më parë nga selitë respektive në Tiranë dhe Beograd, bekoi Ramën dhe Vuçiç si pinjollët e një politike të re. Me bindjen dhe sigurinë e garantuesve apo garantuesit, se ato ishin besnikë të një ëndrre europiane. Do të ketë qenë tragjike për frau Angela dita në të cilën ajo kuptoi se djali i shumëpritur Rama kish qenë një Jago dhe se akoma më keq famëkeqi Berisha dhe i gjithënjohuri Meta do të ishin krahët e saj në një përpjekje për të zhbërë çmendurinë gavrilliane të djalit planprishës.

Dhe kështu gjashtë vjet pas takimit triumfal me zonjën e Europës, kryeministri i vendit gjendet sot i izoluar dhe me një mik e gjysëm. Ndërsa sheh se si armiqtë e tij të përbetuar që deri më dje ishin vendosur në cepin e ringut duke u masakruar nga goditjet e tij kanë rifituar një imunitet që duket se do t’i vijë në formën e një dajaku të munguar.

Në një krizë të thellë politike, në një kaos institucional dhe me një reformë në drejtësi të mbetur në mes. Kryeministri Rama është sot i papërgatitur të përballojë me suksesin qoftë dhe minimal surprizat e njëpasnjëshme që ndërkombëtarët jashtë Ambasadave i kanë përgatitur.

Në heshtje të plotë për muaj me radhë, Foreign Policy sot ka shkruar se si Vuçiç ka vetëm një mundësi për të nxjerrë Serbinë nga kthina ku e ka futur në raport me Kosovën. Pa përmendur në asnjë rresht Thaçin, që mesa duket ka prerë ndonjë biletë, Eduart Jozef përshkruan se çfarë mund të ndodhë me Serbinë nëse Vuçiç vahdon t’i mëshojë këngës së kufijve.

Këtë lajm të kobshëm, që natyrisht Rama e ka pritur, i shtohet dhe goditja e radhës që presidenti i dha Ramaformës në Drejtësi. Një goditje që nuk ngjante me mllefin e një hajduti të kapur në videoskandal, por nga pozitat e një shtetari që duket se diçka ka zgjidhur dhe po e paralajmëron. Ajo çfarë Meta sot ofroi, e që me gjasë do të ndodhë, ishte në fakt një lëvizje e heshtur në dakordësi me opozitën partiake (PD+LSI) dhe jo partiake. Një vetting në raport me reformën në drejtësi, një vetting për ndërkombëtarët e kësaj reforme, një vetting për qeverinë që zbatoi këtë reformë.

E kjo frazë, pra vetting ndaj atyre që po bëjnë vetting, është me shumë mundësi muzikë për veshët e një opozite që jo rrallë ka artikuluar gabimet e reformës. Por, mbi të gjitha është trishtimi në muzg të një beteje të gjatë, për atë dhe ato që ideuan një reformë për hakmarrje personale dhe jo synimin për të krijuar një sistem të ndershëm dhe të drejtë.

Historia e një kryeministri që është sa Gavrill aq edhe sadist sa të shpërbëjë një shtet të tërë, duhet të marrë fund. Madje akoma më mirë duhet të jetë një leksion për ata që mund të mendojnë se vullneti i tyre për pushtet mund të thyejë rregullat e vendosura.