Sot nata e ‘madhe’ e Jonida Maliqit në skenën e Tel Avivi, këngëtarja: Jemi bashkë!

Jonida Maliqi, e cila do të përfaqësojë sot Shqipërinë në Eurovision 2019 me këngën “Ktheju Tokës”, është kritikuar së tepërmi për anglishten e saj të çalë të treguar në një intervistë të fundit në Tel Aviv. E megjithatë, Jonida duket se nuk është stepur aspak prej tyre. Përkundrazi, ajo iu është drejtuar të gjithë shqiptarëve përmes një shkrimi në rrjetin social “Instagram”, duke i ftuar që ta votojnë mbrëmjen e sotme dhe duke i rikujtuar se edhe ato janë pjesë e kësaj sfide.

“Sot është mbrëmja për të cilën kam, kemi punuar me shumë dashuri. Që nga emocionet e para të dhjetorit e deri në këto çaste, jam rrethuar si kurrë më parë me energjinë e një publiku të jashtëzakonshëm që përkrahu, mbështeti dhe këndoi me muaj të tërë shqip “Ktheju Tokës”. Për pak orë ngjitem në skenën e Eurovision, aty ku miliona zemra ngrihen peshë. Nëse mundeni dhe do ndiqni festivalin, ju ftoj të votoni Shqipërinë në numrin 14. Jemi bashkë në këtë sfidë, unë me fuqinë e shpirtit tim, ju me televotimin. Ju dua. Paçim fat”-ka shkruar Jonida Maliqi.

Kujtojmë se nga performanca e Jonida Maliqit në Tel Aviv na ndajnë vetëm pak orë. Në gjysmëfinalen e dytë të Eurovisionit, Jonida do të performojë e 14-ta në radhë.