Rrugëtim para Romana Vlahutin për tek Borchardt.


Nga Pëllumb Nako

Ambasadori i OSBE-së është kërcënuar. Thuhet se i kanë vënë edhe bodigardë. Lajmi ka marrë dhenë, deri në kancelaritë e Europës. Turp për opozitën që po njollos vendin.
Edhe Romana, disa vite më parë kështu e pësoi. Nuk i zhgarravitën gjë tek porta e vilës, por ajo u ndje e kërcënuar. Sepse po fillonte reforma në drejtësi. Reformë kundër mafies. Edhe Romanës i vunë bodigardë. Lajmi mori dhenë, deri në kanceleritë e Europës. Turp për opozitën që po njollos vendin.
Akoma vite më parë u rrëmbye shoqja shtatzanë e kandidatit të majtë për Bashkinë e Kavajës. Lajmi mori dhenë. Lemerisi edhe kanceleritë e Europës. Turp për pushtetin e djeshëm ( sot opozitë) që e njollosi keqazi vendin.
Parlamenti Hollandez vendosi të kërkojë heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë. Segmente të caktuara opozitare kishin lobuar për këtë vendim. Turp për Holandën. Turp për opozitën. Po njollos vendin. Lajmi mori dhenë. Edhe në kanceleritë europiane.
Gazeta Blitz e Gjermanisë telendisi kreun e qeverisë. Turp për gazetarin e blerë. Turp për opozitën që me lekët e pista sponsorizoi shkrimin. Po punon kundër vendit. Lajmi ka marrë dhenë. Edhe nëpër Europë.
Gjermania dhe Franca sikur po e shtyjnë hapjen e negociatave me vendin tonë. Turp për to dhe për Europën që për punët e saj të brendshme po sakrifikon Shqipërinë. Turp edhe për opozitën që me manifestimet e saj po pengon futjen e vendit në BE.
Shume vite më parë, xha Canes, personazhit të Luftar Pajës, i vodhën lopën. Duhet të jesh i kujdesshëm, i thanë. Ke faj. E di tha xha Cania, por nga shpirti që po i therrte nxori një ulërimë: Po mirë ore, po ai që vodhi lopën nuk ka faj fare?
Kjo qeveri nuk ka paska turp fare.

more recommended stories

loading...