Beteja e vështirë e opozitës.

REDAKSIONALE
Kur opozita vendosi të djegë mandatet, krahas entuziazmit të mbështetësve të saj të flaktë apo të moderuar, pati dhe një shprehje të nënzëshme dakordësie nga ana e qytetarëve të zonës gri. Natyrisht, të dalësh nga një skenë teatri parlamentar të shndërruar në arenë mediokriteti, ku Rama ishte sa arbitri, sa kundërshtari aq edhe polici, ishte një veprim jo aq i çmendur sa duan të mendojnë disa.

Pas konsumimit të këtij akti ekstrem, ajo çfarë i mbeti opozitës ishte theksimi i krizës. Ajo nisi përshkallëzimin e protestave që patën ulje-ngritjet e tyre dhe që kulmuan me dy protestat e fundit. Protesta e ditës së hënë nën shiun litar ishte shenja për këdo kombëtar apo ndërkombëtar që opozita betejën e saj e kishte seriozisht dhe se ajo besonte realisht në akuzat prej saj të ngritura.

Nuk duhet harruar që e gjithë kjo situatë ka shkaktuar një pështjellim ndërkombëtar të denjë për ditaret dhe kujtimet e diplomatëve evropianë apo aspirantëve për të qenë të tillë. Ajo që ndërkombëtarët kuptuan me vonesë, por që mbase disa prej nesh ende nuk e kanë pranuar, është se opozita është futur në një fushatë “luftarake” dhe jo në një fushatë elektorale. Dhe këtë mesazh opozita e dha fare qartë në dy protestat e saj të fundit.

Siç edhe pritej, zëri ndërkombëtar përballë qytetarëve që dolën në protestë si dhe përballë maskaradës së mazhorancës dhe reformave të tjera të saj, nisën të rreshtoheshin në frontin e atyre që me hir apo pahir kërkonin dialog. Thënë ndryshe, ambasadorët u përpoqën të zbusin qëndrimet e palëve duke u përpjekur të hedhin, qoftë edhe me pahir, urat e një bashkëbisedimi “produktiv”.

Për këtë shkak, në sfond u shfaq natyrshëm marrëveshja si fataliteti i pashmangshëm që do të ulte dy palët ndërluftuese në tavolinë. Dhe shumë logjikisht në mendjen e shqiptarëve (aq më shumë militantëve) feksi marrëveshja e 17 majit, duke nisur kështu një furtunë ankthi për marrëveshjen okulte të rradhës që pritet ti marrë frymën opozitës për herën e dytë dhe të fundit.

Të tjerë kanë logjikuar se një marrëveshje e tillë, kurdo që të vijë, do të jetë e dëmshme për Bashën dhe e dobishme për Ramën. Duke argumentuar se asgjë nuk siguron plotësimin e kushteve të marëveshjes hipotetike dhe se qeveria tranzitore e kërkuar nga opozita nuk do të kishte as pushtetin dhe as mundësinë të realizonte kërkesat e opozitës.

Kësisoj, opozitës i duhet të vazhdojë me protesta (për disa) apo me një reflektim të gjerë programor (për të tjerë) që të mbledhë sa më shumë qytetarë në 2021, ku me gjasë Edi Rama do të humbë pushtetin. Si pasojë e programit opozitar (apo protestave), skandaleve që do t’i plasin në dorë Ramës, si dhe një strategjie efektive anti- Rama ku parashikohet parandalimi apo zbythja e kriminelëve që i shërbejnë Ramës, prerja e lidhjeve të tij okulte me oligarkët, Rama me shumë mundësi nuk do të mundet të fitojë mandatin e tretë.

Parimi mbi të cilin ngrihet kjo logjikë është se opozita nuk mund të ulet në marrëveshje me një njeri që e akuzon si të inkriminuar, pasi ai do të mbetet i tillë edhe në çastin kur Rama të jetë kryetar i PS-së.

Fatkeqësisht, arsyet mbi të cilat ngrihen paradigmat që nxjerrin opozitën humbëse në zgjedhje të parakohshme janë të tilla që mund ta nxjerrin edhe atë humbëse në 2021. Sado e fuqishme të jetë kjo opozitë dhe sado e motivuar që të jetë me programet e saj elektorale (që mund të pijnë pak ose shumë pak ujë në një qeveri autokratike që ka bekimin ndërkombëtar të ambasadave).

Pa folur në këtë pikë për raportin teknik që opozita do të ketë në raport me zgjedhjet. Pasi nëse opozita nuk do të ulet në tavolinë për një marrëveshje të madhe me Ramën, ajo nuk do të mund të ulet në një marrëveshje elektorale me të. Për rrjedhojë KQZ (mandati i së cilës do të ndryshohet) apo dhe ndërhyrjet në kodin elektoral do të bëhen në kurrizin e opozitës.

Nëse ideja është të ndërtohet një strategji për të shënjestruar oligarkët që ata të dekurajohen në mbështetjen e Ramës, për të shënjestruar kriminelët që këta të pendohen pse mbështesin Ramën, atëherë duhet pasur parasysh se duhet edhe një strategji për të shmangur një lloj Dushku modern, i cili do të rezultonte shumë më qesharak për opozitën se sa një evokim momental i katastrofës monumentale të 17 majit.

Alternativa e një mos-marrëveshje të opozitës me Ramën është në fakt një catch 22 ku futet opozita. Natyrshëm dikush mund të pyesë: A duhet një marrëveshje me Ramën pas asaj të 17 majit?

Ajo që ndodhi në 17 maj 2017 ishte një marrëveshje e dështuar për një sërë faktorësh. Së pari ishte një marrëveshje që Bashën e vuri nga krahu i humbësit pasi qartësisht Hoyt Yee erdhi për t’i komunikuar Bashës se kësaj radhe ai do t’i njihte zgjedhjet edhe pa opozitën.

Beteja që nisi Basha me çadrën ishte një humbje të cilën ai e shmangi me marrëveshjen e parë Mc Allister për të përfunduar tek një marrëveshje, në dukje më e pëlqyeshme, por në thelb më e dëmshme.

Së dyti, në sytë e demokratëve e të djathtëve (militantë e jo militantë), por edhe në sytë e vëmendshëm të pjesës më të madhe të zonës gri, lista që hartoi Basha për zgjedhjet 2017 (Lista “Republika e Re”) ishte një goditje e papritur, e pamerituar dhe shkatërruese; ishte thika e papritur që shpoi drejt në zemër moralin e opozitës. Shumica menduan dhe besuan se në fakt marrëveshja Rama-Basha ishte në fakt bekimi i një liste private Basha 2017; nëse ende ka njerëz që mendojnë se po flas qiqra në hell, le të lexojnë zbardhjen e fjalimeve parlamentare por jo vetëm.

Së treti, por jo nga rëndësia, në marrëveshjen e 17 majit 2017 të pranishëm ishin për mbi dy orë kokë për kokë Edi Rama dhe Lulzim Basha. Figurat e tjera politike u larguan si të papëlqyeshëm nga ajo marrëveshje. Një marrëveshje e tillë në kushtet e okultizmit dhe padijes natyrisht që rriti presionin për atë që ishte në kushtet e humbësit (pra Bashës).

Natyrisht, nga tre mësimet e hidhura e marrëveshjes së datës 17 maj 2017 mund të ndërtohen premisat se si nuk duhet të jetë marrëveshja e re. Pasi afërmendsh do të ketë një marrëveshje nëse duam që gjendja të shkojë drejt një vazhdimi të jetës “normale” politike qoftë edhe përmes zgjedhjeve në 2021 (kjo mundet të jetë pikë e kësaj marrëveshje).

Refuzimi i marrëveshjes në princip me frikën që Rama do të mposhtë Bashën se kështu ndodhi herën e parë është një pikënisje demoralizuese. Kësaj i thonë që Lulzim Basha nuk duhet të futet as në zgjedhje pasi Edi Rama e ka mundur atë në 2015 dhe 2017.

Një tjetër pikë e nxehtë e diskutimit mbetet qeveria tranzitore dhe mundësia e saj për të zbatuar politika që do të pengojë abuzimet në zgjedhje. Në dijeninë time Shqipëria ka pasur qeveri tranzitore dy herë në 29 vite demokraci,. Në të dyja rastet qeveria tranzitore ka rezultuar në ndryshimin e dorës qeverisëse.

Si në vitin e largët 1992 (një vit pas zgjedhjeve të përgjithshme) ashtu edhe në vitin 1998 me qeverinë Fino, vendi ka parë dy palë zgjedhje të reja në kushte shumë të vështira. Qeveritë tranzitore ndërmorrën nismat e tyre dhe qeverisën për të neutralizuar me manuale të qarta situata më flakëruese se Shqipëria 2019. Këto qeveri erdhën si produkt i marrëveshjes. Kujtoni qeverinë Berisha 1996 i cili ende sot nga opozitarët e asaj kohe kujtohet, në kushtet e vitit 1997 ajo u detyrua që të zbythej dhe të respektonte marëveshjen edhe me koston e pamundësisë për të zhvilluar fushatë në jug të vendit.

Çelësi është beteja përpara se të arrihet marrëveshja. Pasi historia politike por edhe ajo ushtarake tregojnë se betejat e fituara prodhojnë marrëveshje qofshin ato të kapitullimit apo paqes së përkohshme. Por që në tavolinë të jesh rreshtuar nga krahu ku ke një marsh më shumë se sa kundërshtari duhet të kesh fituar luftën.

Argumentet se opozita e ka të vështirë të fitojë zgjedhjet e parakohshme pasi Rama mundet të krijojë parti fantazëm do të ekzistojnë edhe në 2021, sidomos pas dy viteve.

Dhe së fundi, nëse morali i betejës së opozitës nuk ishin zgjedhjet e parakohshme, përse i dogji ajo mandatet kur fare mirë mund të kish qenë një denoncuese po aq e fortë dhe kurajoze e aferave që pritet të rrëzojnë Ramën në parlament?

Largimi i opozitës nga beteja e saponisur duke i lënë fushëveprimi Ramës për deri në 2021 do t’i jepte Ramës një mundësi të fundit për të restauruar imazhin e tij. Një imazh për të cilin do të kurohej jo vetëm duke shpenzuar miliardat e oligarkëve për të paguar shkrime të ndryshme nëpër botë apo lobingje por edhe duke ndërtuar struktura paralele si Korporata Shqiptare e Investimeve.

Dorëzimi i opozitës duke këmbëngulur se nuk ka marrëveshje pasi do ta mundim Ramën në 2021 duke patur një program të suksesshëm, do të krijonte kushtet ideale që Rama në bashkëpunim me opozitën e krijuar nga zyra e tij të vazhdonte hapin për të marrë KQZ-në dhe për të prodhuar një tjetër anormalitet. Kësaj radhe anormalitetit nuk mund t’i përgjigjesh me protesta të dhunshme pasiqë opozita nuk e pranon marrëveshjen si kusht, pra në thelb dialogun.

Ky qorrsokak në fakt është një proçes që mund ta neutralizojë përfundimisht opozitën duke prodhuar një krijesë të re opozitare. Të cilës do t’i duhen shumë vite për të prodhuar atë stabilitet që kanë dy nga partitë kryesore në opozitën aktuale kanë (PD dhe LSI). Një skemë e tillë natyrisht do të ishte frytdhënëse nëse ne kemi një sistem demokratik me baza të forta, por dyshoj se qytetarët do ta pranonin në kushtet aktuale.

Pra, çështja sot nuk është marrëveshja; thelbi i betejës së vështirë të opozitës është të fitojë luftën në mënyrë që të shkojë sa më e fortë në marrëveshje. Nëse ky është, dhe unë besoj se është, qëllimi i opozitës, atëherë beteja tashmë po ndodh dhe diskursi duhet fokusuar në pikën e marrëveshjes, vetëm pasi tu bëjmë të qartë shqiptarëve se përgjegjësia e saj është të qëndrojë deri në fund e fortë dhe të mos bjerë në humnerën ku prej vitesh përpëlitet pala tjetër.

Shqiptarët e kanë filluar ta kuptojnë, dhe gjithmonë e më mirë do ta kuptojnë, se në fund të ditës, nuk do të ketë asnjë dorë ndërkombëtare, që ta vendosë opozitën në fron, por as një dorë ndërkombëtare që të nxjerrë nga bataku qeverinë e sotme; apo akoma më keq, ta mbajë aty ku është.