Mirash Ivanaj, kryqtar i reformimit të arsimit shqiptar

Nga  ENDRI  BIMI

Mirash Ivanaj (1891-1953), një personalitet i shquar në kohët kur jetoi e punoi por jehona e veprimtarisë dhe e përpjekjeve të dalluara të tij, sidomos  në fushën e  Arsimit, do  të  ndihej  më  shumë  në  vitet  që  do  të  pasonin  edhe  pse  i  harruar  dhe  mbase  për  shumë  shqiptar  i   panjohur  në  ditët  e  sotme. Ai  ishte  një  nga  intelektualët  më  të  spikatur, pedagog, publicist, jurist, filozof, poet  por  Ivanaj  dallonte  dhe  për  cilësitë  e   karakterit  të  tij, si  një  njeri  serioz,patriot, trim, i palëkundur në bindjet e tij, idealist,i ndershëm  por  mbi  të  gjitha  ai  do   të  mbahet  mend  për drejtësinë  ekzemplare  që  shpaloste  në  jetën  e  përditshme dhe  në  veprimtarinë  e tij  në punët  e  shtetit.

Ivanaj  rridhte  nga  një  familje  patriotike   prej   viseve  shqiptare  të  Malit  të  Zi, ku  mësimet  e  para  i  mori  në  Mal  të  Zi  dhe  Serbi, kurse  studimet  e  larta  i  kreu  me  anën  e  një  burse  në  Universitetin  e  Romës, ku  fitoi  dy  laura  për  letërsi-filozofi  dhe   jurisprudencë  duke  përfunduar  me  rezultate  të  shkëlqyera  pavarësisht  jetesës  së  vështirë  prej  bursisti  në  shtet   të  huaj.  Duhet  nënvizuar  se  në  këtë  kohë  Ivanaj  zotëronte   afro  dhjetë  gjuhë  të  huaja  të  përvetsuara  falë  intelektit  të  tij  të  shfaqur  që  në  vogëli  dhe  vullnetit  të tij  të  palëkundur. Ivanaj,  gjatë  studimeve  në  Itali  dhe  më  pas  kur  u  kthye  në  Atdhe  duke  ju  përkushtuar  punëve  tepër  delikate  që  iu  ngarkuan,  ka  bërë  një  jetë  të  veçuar, i  lidhur ngushtë  me  librin, fletoret, dokumentet  që  hartonte.  Pasi  erdhi  në  Atdhe, në  vitin 1923,  u  vendos  në  Shkodër  ku  themeloi,bashkë  me  të  vëllain, Martinin, revistën  “Republika” si  një  mjet  për  të  shpalosur  idetë  e  lirisë, demokracisë  dhe  të  atdhedashurisë  në  realitetin  e  ndërlikuar  shqiptar  dhe  për  të  ndriçuar  me  idetë  republikane  me  të  cilat  ishte  njohur  e  formuar  në  Itali, botën  shqiptare  në  përgjithësi  dhe  politikën  në  veçanti.

Si  drejtor  i  gjimnazit  shtetëror  në  Shkodër, 1925-1930, ai  u  njoh  nga  afër  me  problemet  e  arsimit  në  Shqipëri  dhe  pengesat  që  dilnin  në  këtë  shtet  të  ri  shqiptar  që  përpiqej  të  konsolidohej  por  duke  pasur  pengesë  ndikimin e fqinjëve.  Puna  e  tij  e  shkëlqyer  në  gjimnazin  e  Shkodrës  si  drejtor  me  vullnet  të  hekurt, i  rreptë,i  palodhur, duke  futur  disiplinën  si  kusht  themelor  për  mbarëvajtjen  e  punëve, i  aftë  në  hartimin  e  qarkoreve  dhe  dokumenteve  të  tjerë  që  e  zhdërvjellsuan  shkollën  në  të  gjithë  komponentët  përbërës  të  saj. Kjo  punë  e  vyer  e  Ivanajt  krijoi  jehonë  të  madhe  në  të  gjithë  drejtuesit  e  shkollave  shqiptare  por  dhe  tek  vetë  drejtuesit  e  shtetit  që  po  shikonin  tek  ky  njeri  një  intelektual  me  vizion  përparimtar  dhe  një  atdhetar  me  moral  të  kristaltë.

Në  vitin  1930  për  të  qenë  më  afër  të  vëllait, i  vetmi  njeri  i  afërt  që  i  kishte  mbetur, filloi  punë   si  mësues  në  gjimnazin  e  Tiranës  ku  vazhdoi  të  dallohej  për  aktivitetin  e  tij  të  pashembullt  e  këmbëngulës  në  edukimin  e  brezit  të  ri.      Ivanaj  që  kur  ndodhej  në  Shkodër  mendonte  që  përball  gjendjes  së  arsimit  të  kohës  diçka  mund  të  bënte  në  nivel  kombëtar,  tej  kufijve  të  një  shkolle  të  mesme. Dëshira  e  tij  për  të  drejtuar  punët  e  arsimit  në  Shqipëri, nuk  buronte  aspak  nga  ndonjë  ambicie  personale, as  nga  lëvdatat  e  shpërblimet  ose  jeta  luksoze që  mund  të  pasonte, por  ai  kërkonte  ta  shndërronte  e  zhvillonte  arsimin  shqiptar, për  ta  bërë  atë  kombëtar e  laik  duke  e  afruar  me  arsimin  perëndimor  por  me  një  profil  tërësisht  shqiptar.

Më  në  fund  erdhi  dhe  koha  e  Mirash  Ivanajit  për  të  udhëhequr  dikasterin  e  Arsimit  aq  të  vlerësuar  por  dhe  aq  problematik  në  periudhën  që  kalonte  i gjithë  vendi  ynë.  Ivanaj  i  cili  ishte  një  republikan  i  bindur, kur  mbreti  Zog e  ftoi  për  të  bërë  pjesë  në  kabinetin  monarkist, në  janar të  vitit  1933, pranoi  me  kënaqësi, duke  i  lënë  mënjanë  bindjet  politike  për  hir  të  interesave  kombëtare. Ivanaj  nuk  veproi  që  të  bëhet  ministër, por  u  bë  ministër  që  të  veprojë.

Që  në  javët  e  para  si  ministër  Arsimi,  shiheshin  premisat  për  një  sukses  në  përpjekjet  e  tij  për  reformimin  e  arsimit  shqiptar, për  arsye  se  pasionin  i  tij  i  madh  për  këtë  fushë  dhe  mbështetja  nga  mbreti  Zog, të  cilin  ai  e  konsideronte  një  dorë  të  fortë  burrështeti, e shtynë  atë  të  ndërmarrë  nisma  që  askush  s’kishte  guxuar  ti  vinte  në  jetë  më  parë.  Ndër  masat  e  para, që  ndërmori  si  ministër, ishte  rishikimi  i  strukturës  së  dikasterit  dhe  personelit  të  tij. Në  fillim  shkurtoi  postin  e  sekretarit  të  përgjithshëm, dhe  për  të  forcuar  Normalen  e  Elbasanit, Aleksandër  Xhuvanin  e dërgoi  drejtor  të  saj. Mbetej  i  vetmi  ministër  pa  sekretar  të  përgjithshëm.  Duke  pasur  me  kohë  në  kokë  idenë  e  reformimit  të  arsimit  shqiptar  dhe  duke  marrë  premtimin  se  nuk  do  t’i  ndërhynte   askush  në  punën  e tij, madje  as  Mbreti  vetë, Ivanaj  iu  fut  çështjes  se  studimit  për  të  njohur  sa  më mirë  e  sa  më saktë  gjendjen, si  nevojë  e  domosdoshme    paraprake   për  reformën.  Në  një  kohë  rekord, ai  formuloi  me  dorën  e  tij  studimin  e  argumentuar  nga  ana  historike, kombëtare, kulturore  e  patriotike  të  reformës  arsimore. Vlen të  theksohet si  një  dukuri  e  papërsëritshme  në  administratën  shqiptare  të  të gjitha  kohërave, që  duke filluar nga  shkresat  e  zakonshme  e  deri  tek  dekret-ligjet  e  programet  e  arsimit  shqiptar, të  cilat  i  merrte  nga  përvoja  e  madhe  arsimore  e  shteteve  të  huaja  por  dhe  nga  praktika  e  kaluar  vendase, ai  i  zgjodhi, përshtati, përktheu  e  redaktoi  vetë.

Pasi  e  bëri  atë  studim  sintezë, i  paraqiti  mbretit  nevojën  urdhëruese  të shtetëzimit  të  shkollave  private, sepse  ekzistenca  e  tyre, sipas  tij  mund të  komprometonte  pa  shpresë  shpëtimi, formimin  e  një  brezi  të  shëndoshë, për  afirmimin  tonë  si  popull  dhe  si  shtet.  Aq  më  tepër  për  popullin  shqiptar  dhe  vendin tonë, ku  historia  fatkeqësisht  me  të  papriturat  e  saj  të shekujve  të pushtimit  të  gjatë, kishte  lënë  mjaft  boshllëqe  dhe  mjaft  mangësi  lidheshin  me  disiplinën  shtetërore, e cila nga ana e saj ishte e lidhur aq ngushtësisht me ndjesinë e bashkimit kombëtar të popullit. Duke analizuar thellë rrezikun e shkollave të huaja, Ivanaj përfundonte se edhe sikur të huajt të vinin në Shqipëri me qëllime të vërteta mirëbërëse, nuk mund të kryenin misionin për shkak se problemi i edukimit moral, patriotik e shoqëror, që ishte më i rëndësishëm se ai i diturisë në Shqipëri, ishte e domosdoshme të ndiqej një rrugë tjetër e njëjtë për të gjithë nxënësit shqiptar, larg ndryshimeve shoqërore, fetare e krahinore.

Më  konkretisht  në  këtë  studim  për  ndryshimin  e  gjendjes  së  arsimit  shqiptar, Ivanaj  i  propozonte  Mbretit: së pari, ndryshimin  e  neneve  206  dhe  207  të  Statutit  Themeltar  të  Shtetit (kushtetuta  e  Mbretërisë), që  lejonin  hapjen  e  shkollave  të  huaja  e  klerikale  në  Shqipëri.  Së  dyti, të  përjashtohej  ndërhyrja  direkte  e  Italisë  në  arsimin  shqiptar  dhe,  në  qoftë  se  interesat  e  shtetit  e  kërkonin,  mund  të  lihej  vetëm  një  organizator  italian  për  shkollat  profesionale, si  këshilltar  teknik, pa  asnjë  të  drejtë  drejtimi.  Së  treti,pranimi  i  një  organizatori italian  për  edukatën  fizike  dhe  të  jetë  në  rolin  e  këshilltarit, me  kontratë. Së  katërti, Enti  Kombëtar  “Djelmënia  Shqiptare”, si  shoqatë  për  edukimin  moral, patriotik  e  sportive  për  rininë  qytetare, të  bëhej  seksion  i  veçantë  i  Ministrisë  së  Arsimit  dhe  mund  të  pranohej  për  arsye  politike, si  në  rastet  e  mëparshme,  vetëm  një  këshilltar  por  jo  më  nëpunës  italianë  për të drejtuar këtë  shoqatë.     Së  pesti, për  bursat  e  jashtme, që  jepte  Italia  për  studentët  shqiptarë, ato  mund  të  pranoheshin  me  kusht  që  studentët  të  zgjidheshin  nga  qeveria  shqiptare, pa  asnjë  ndërhyrje  të  Italisë.  Më në fund Ivanaj, do të shtronte çështjen edhe në rrafshin teorik, ku vuri në dukje, se sa kohë shkolla kishte të bënte me formimin  e njeriut, ajo ishte një veprimtari mjaft  komplekse pedagogjike, psikologjike e shoqërore.

E  krijuar në kushte historikisht të vështira, në periudhën e fundit 13 – vjeçare     (1920 – 1933), organizimi shkollor, ishte zgjeruar. Por për fat të keq argumentonte Ivanaj, nuk u afirmua nën drejtimin kombëtar nga ana e shtetit, dhe të paktën, nën një drejtim të njësuar, të qartë dhe të sigurt. Prandaj, ai do të kërkonte masa radikale për përmirësimin themelor të tij.

Në  datën  10  prill  1933, një  ditë  e  madhe  për  arsimin  shqiptar  dhe  me  shumë  emocione për vetë  Ivanaj-in, pas hartimit  të  programit  për  reformën  e  ardhshme  arsimore, e  paraqiti  atë  në  Parlament, ku  shpaloste  gjendjen  e  arsimit  kombëtar  dhe  analizonte  rrugët  e  reja  e  masat  radikale që do të ndërmerreshin për përmirësimin rrënjësor të  tij. Këtu shqetësimi i tij më i madh, mbetej ideja që shkolla të ishte gjithëshqiptare, dhe në radhë të parë e mbi çdo gjë, të edukonte atdhetarë  që  ti  shërbenin  Shqipërisë  në  rrugën  e  saj  të  konsolidimit  kundrejt  përpjekjeve  të  huaja  për  ndërhyrjen  në  sovranitetin  e  institucioneve  tona.

 

Falë bindjes që  sollën argumentet e Ivanaj-it, më 11 Prill 1933, Parlamenti miratoi  ndryshimin e Statutit dhe me 22 prill 1933  u sanksionua nga Mbreti. Pasi  mori  miratimin  e  mbretit  për  platformën  e  re  që  paraqiti,  nisi  nga  puna  gjerësisht  e  thellësisht  për  të  projektuar  atë  që  ka  hyrë  në  histori  me  emrin:

“ Refoma Ivanaj ”, një  vepër origjinale shqiptare, e  pa importuar dhe e  pa imituar me  individualitet  shqiptar  për  krijimin  e  një  shkolle  kombëtare  e  laike  që  në  një  të  ardhme  jo  të  largët,sipas Ivanajt, do të formonte  zyrtarë  të  mirë  e  me  ndërgjegje, por  edhe  ndonjë   dijetar.

 

Shtetëzimi  e  laicizmi  i  shkollës  shqiptare

Më 26 prill 1933,  ndryshimi  u zbatua me mbylljen e të gjitha shkollave private dhe të huaja në Shqipëri. Për ndryshimin e neneve të Statutit të Shtetit Shqiptar thuhej:

Neni 206 : Mësimi dhe edukimi i shtetasve shqiptar, janë një e drejtë ekskluzive e shtetit. Jepen vetëm në shkolla shtetërore, shkallësh të ndryshme sipas ligjit.      Arsimi fillor, për të gjithë shtetasit shqiptar është i detyrueshëm dhe jepet falas. Shkollat private të çdo lloj kategorie qofshin, që kanë vepruar deri më sot, mbyllen. Neni 207 : Shkollat fetare për përgatitjen e klerit, të mbajtura prej komuniteteve fetare shqiptare, janë të lira dhe rregullohen me ligj.

Kështu, viti i ri shkollor 1933–1934 shënoi fillimin e njësimit të arsimit shqiptar, në të gjitha kategoritë e shkollave. Shkollat  fillore  e  të  mesme  private  e  të  huaja, që u mbyllën sipas Reformës Arsimore: shkolla shqiptare private jofetare,shkolla shqiptare klerikale myslimane, katolike, ortodokse; shkolla të huaja për shqiptarë; shkolla private të minoritetit grek.

U suprimuan  shkollat  e  mesme: shkolla Normale Femërore të Korçës, Institutit privat Femëror“Naim Frashëri”,Institutit Privat Femëror “Kyrias”, shkollës Normale femërore katolike të Stigmatinëve. Në vend të gjitha këtyre, në shtator të 1933, u themelua në kryeqytet Instituti Femëror“Nana Mbretneshë”me dy degë, normale dhe gjimnaziale. Në Korçë me ish nxënës të shkollës Normale femërore u krijua një shkolle 4-vjeçare e quajtur qytetëse dhe në Shkodër, një degë e ulët femërore e   Gjimnazit. U suprimua dega normale e Shkollës Teknike dhe nxënësit e saj u shpërndanë në shkolla të tjera. Me largimin e personelit italian, shkollat profesionale italiane të Beratit, Gjirokastrës dhe Shkodrës, u suprimuan dhe në Berat, Korçë e Durrës u krijuan shkolla qytetëse 4-vjeçare, me program teorik e praktik sipas nevojave rajonale. Shkolla teknike e Tiranës, që u shtetëzua u plotësua  me një  personel të zgjedhur, dhe u bënë ndryshime në strukturën dhe programin e saj. U suprimua gjimnazi ushtarak i Tiranës dhe shkolla bujqësore e Lushnjës. Nxënësit e tyre u shpërndanë nëpër gjimnaze të tjerë dhe në shkolla bujqësore.

Reforma  e  Ivanajt  kishte  një  karakter të qartë kombëtar, por  në  rastin  e  mbylljes  së  shkollës  teknike  në  Tiranë  dhe  atë  fillore  amerikane  në  Korçë, ajo  u  kthye  në  frymë  me  karakter  thellësisht  nacionalist. Zbatimi  i  kësaj  reforme  përkonte  dhe  me  acarimin  e  marrëdhënieve  italo-shqiptare. Kështu  që  reforma  Ivanaj  mund  të  shihet  dhe  si  një  ndalim  që  i  bëhej “ politikave  italiane  për  rritjen  e  ndikimit  ekonomik, politik, kulturor, në  gjithë  jetën  e  vendit, që  po  merrte  formën  e  një  protektorati  dhe  po  rrezikonte  vetë  qeverisjen  e  mbretit  Zog, që  kishte  filluar  me  kohë  të  shqetësohej  për  arrogancën  në  rritje  të  përfaqësuesve italianë  në  Shqipëri. Reforma nuk preku Institutin Shqiptaro-Amerikan të Kavajës, sepse ajo në bashkëpunim me shtetin shqiptar, sipas një ligji të caktuar , i nënshtrohej  kontrollit  të shtetit dhe i jepte llogari shtetit. Po kështu, nuk u cenua Liceu i Korçës, i cili edhe pse punonte  me gjuhë të huaj, por me bashkëdrejtues shqiptar dhe në pjesën më të madhe me mësues shqiptar, Ivanaj nuk e konsideroi shkollë të huaj  dhe  ajo mori  emrin, Liceu  Kombëtar  i  Korçës.

Viti shkollor 1933-1934, niste punën për herë të parë në historinë e Shqipërisë vetëm me shkolla shtetërore, kombëtare  e  laike. Por Ivanaj, me gjerësinë e personalitetit të tij, si humanist, edhe pse vete ateist, nuk lejoi që të përgojohej feja në shkollë e të përbuzej, sepse sipas bindjes së tij, prekeshin ndjenjat fetare të popullit, një e drejtë civile e pamohueshme. Reforma Ivanaj-it ishte radikale, ajo preku të gjitha dukuritë e punës së shkollës, si  premisë  për  një  të  ardhme  të  ndritur  për  arsimin  shqiptar.

Figura  e  mësuesit  e  problematikat  e  shkollës 

Në kuadrin e përgjithshëm të Reformës Arsimore, meraku më i madh i Ivanajt, ishte figura e mësuesit, si faktor vendimtar në mbarëvajtjen e punës së shkollës. Ai diti të çmojë dhe të vlerësojë në të gjitha dukuritë personalitetin e mësuesit, duke e vendosur atë në lartësinë e detyrës fisnike si figurë kryesore në shkallëzimin e hierarkisë intelektuale të vendit.

Tashmë, askush nuk do të nëpërkëmbte të drejtat e mësuesve dhe asnjë nuk duhej të harronte të drejtat e tyre. Por, edhe në të njëjtën kohë, asnjë prej tyre nuk mund të bënte pjesë në radhët e arsimtarëve, në qoftë se nuk e meritonte atë detyrë të rëndësishme.  Për të pastruar në radhët e mësuesve nga elementë, që nuk mund të çonin punën përpara, sipas kërkesave të Reformës, ai mori masa shumë të shpejta, jo vetëm për largimin e tyre nga mësuesia ose nxjerrjen në pension, por edhe lëvizjen e shumë arsimtarëve. Ndër  fjalimet  që  mbante  në  Parlament  për  këtë  problem  ai  do  të  shprehej: “Janë  vënë  në  disiplinë,në rregull,në detyrë  e  në  mision  të  gjithë  ata  arsimtarë të  cilët dikur detyrën  e  merrnin  si  tallje  e  rrogën  si  mision.”  Gjatë periudhës  prill-shtator 1933 , u bë numri më i madh i lëvizjes së kuadrit, gjatë gjithë periudhës 15- vjeçare, 1925–1939. U hoqën nga arsimi 41 mësues, ku bënin pjesë persona të pazot. Po ashtu u transferuan 200 të tjerë, midis tyre edhe disa me kërkesën e tyre. Vendet e liruara u zëvendësuan me të rinj, që kishin shkolla të mesme. Në emërimet e reja Ivanaj mori parasysh vetëm aftësitë. Për  ta  vërtetuar  më  së  miri  këtë shërben  fakti  i  ndodhur  në  Korçë  në  vitin  1933, ku  u  krijua  një  vështirësi  për  emërimin  e  një  mësueseje, sepse  të  katër  kandidatët  për  të  vetmin  vend  pune  kishin  nota  të  njëjta  në  maturë. Ministri  e  zgjidhi  menjëherë  problemin, pasi  urdhëroi  të  merrej  në  punë  ajo  që  i  kishte  notat  më  të  mira  gjatë  katër  viteve  të  shkollës  së  mesme. Drejtësia e  Ivanaj-it ishte e tillë, saqë asnjë nuk trokiti në portën e ministrit për t’u ankuar, madje ndër arsimtarët  në  këtë  kohë  qarkullonte  shprehja: “Zoti  mund  të  gabojë, por  Ivanaj, jo.”

Shpejt i hodhi sytë tek pagesa e rrogave të arsimtarëve, të cilat me parregullsitë e vonesat ishin bërë shumë shqetësuese për kohën. Ishte i  vetmi Ministër Arsimi, i cili e mori me seriozitetin më të madh çështjen e rrogave dhe kërkoi nga Ministria e Financave, jo vetëm zgjidhjen e çështjes së rrogave,  por edhe të pagesave të tjera suplementare që u takonin atyre. Ivanaj tërhoqi vëmendje dhe mori një sërë masash të tjera në lidhje me lejet e tepërta, që merrnin arsimtarët, ose raportet mjekësore të falsifikuara.   I rreptë u tregua ai edhe ndaj pastërtisë vetjake dhe rregullit dhe hijeshisë së veshjes, por jo luksit. Për veshjen e kohës së mësimit në shkollë ai kërkoi uniformë. Deri në vitin 1933, kuadri i arsimit, nuk kishte dalë asnjëherë rregullisht në fillim të vitit shkollor, gjë që sillte shqetësim në radhët e mësuesve dhe dëm të punës së shkollës. Të gjitha masat e Ivanajt, të cilat synonin disiplinimin e punës së mësuesit, jo vetëm që nuk sollën asnjë pakënaqësi në punë, por përkundrazi, mobilizim e entuziazëm. Në qendra të rëndësishme të vendit pati intelektualë të cilët kërkuan të jepnin vullnetarisht orë mësimi në shkolla.

Që të vinte në udhë të drejtë serioze dhe të qëndrueshme veprimtarinë e shkollës shqiptare, Ivanaj i kushtoi vëmendje të madhe disiplinës, si themeli i punës. Prandaj fillimisht, duke vërejtur shkelje, shthurje në radhët e nxënësve, sidomos të atyre të shkollave të mesme, Ivanaj  lëshoi një radhë qarkoresh dhe udhëzimesh të reja, për t’i prerë rrugën dhe për t’i ndaluar të gjitha aktet anti – disiplinore. Ishte e kuptueshme që vetëm me masa administrative, aq më tepër me masa të forta, nuk mund të sigurohej disiplinë e qëndrueshme. Por, megjithatë , fillimisht ato masa e dhanë  përfundimin e duhur. Kërkesat rigoroze dhe  masat e dënimit  të Ivanajt, nuk kishin dhunë ndaj personalitetit të nxënësit. Si edukator i drejtpërdrejtë, si drejtor dhe si ministër jo vetëm nuk i njohu mjetet e dhunës, por përkundrazi i dënoi ato. Aq më tepër ai dënonte fyerjen e nxënësve me  fjalë anti – pedagogjike, që në Shqipëri nuk i pranonte as pedagogjia e edukatës popullore.

Ai porosiste gjithnjë që të  veprohej  me respekt dhe sinqeritet saqë ai  mbi  të  cilin  aplikohej  masa  disiplinore  të   kuptonte  mirë  se  ajo  ishte  e  hidhur  si  ilaçi  i  mjekut, që  shërben  jo  për  të  munduar  të  sëmurin  por  për  ta  shëruar  atë. Në mbështetje të formimit të disiplinës, Ivanaj bëri kujdes të veçantë për ngritjen e autoritetit të mësuesit, të  drejtorit të shkollës, posaçërisht të këshillit pedagogjik si organ vendimmarrës, duke ia shtuar dhe fuqizuar në kompetencat e tij.

Përveç rinisë shkollore, Ivanaj si sekretar shteti me botëkuptim të përparuar në të mirën e përgjithshme të brezave të kombit, të vetë atdheut, donte të angazhonte përveç rinisë shkollore, edhe të gjithë rininë qytetare të vendit, në një shoqate sportive e kulturore kombëtare. Për të vënë këto detyra nën drejtimin dhe udhëheqjen e Ministrisë së Arsimit, Enti Kombëtar “Djelmenia shqiptare” futej tashmë në strukturën e dikasterit, si seksion i tij i veçantë.

Ishte koha, kur kriza ekonomike në Shqipëri ishte në kulmin e vet, por Ministri me kulturën, patriotizmin dhe aftësitë e energjitë e tij, arriti të shtojë buxhetin ekzistues të dikasterit të tij, duke i marrë buxhetit të përgjithshëm të shtetit, për vitin 1934, 1/5, e shumës së tij të përgjithshme. Dhe kjo dha shpejt rezultatin. Në fund të vitit shkollor 1933-1934,  Shqipëria kishte 62 shkolla fillore me shumë se një vit më parë.22) Në shërbim të shtimit të mëtejshëm të shkollave në të ardhmen, Ministri u kujdes posaçërisht për shkollën Normale të Elbasanit, në radhë të parë për shtimin e kapacitetit të saj.  Sipas ligjit, që sanksionoi Reforma, për herë të parë shteti shqiptar, përfshiu në buxhet edhe shpenzime për shkollimin shqip të fëmijëve të diasporës shqiptare. Bursat e studimit ishin bërë një problem tepër serioz dhe kishin krijuar një shqetësim shumë të madh për padrejtësitë dhe abuzimet në dhënien tyre. Prandaj dora e fuqishme e Ivanajt, për të vendosur kritere të shëndosha dhe për t’ i zbatuar ato, përbën një kapitull të rëndësishëm në reformën e tij. Masë e rëndësishme, që mund t’i vinte fre abuzimeve në ndarjen e bursave, ishte përqëndrimi i tërë bursave të studimit, që jepte shteti, vetëm në Ministrinë e Arsimit. Në këtë mënyrë, Ivanaj bëri edhe një ndarje racionale të kontingjentit të bursave, që shkollimi i lartë dhe i mesëm, t’i shërbente sa më shumë nevojave më aktuale të zhvillimit të vendit.

Tre muaj pasi erdhi në krye të Dikasterit, “Ivanaj i tmerrshëm”  deklaroi se nga bursat do të përfitonin vetëm ata, që meritonin dhe që kishin nevojë për një ndihmë të tillë. Për herë të parë u fut me të vërtetë konkurrimi për ndarjen e bursave. Nga kontingjentet e bursave të brendshme, ai caktoi mbi 60% të tyre për shkollat profesionale, ku kishin përparësi shkollat pedagogjike, për t’i dhënë  vendit më shumë mësues. Kjo ishte edhe një masë demokratike në rrafshin shoqëror sepse shkollat profesionale, në përgjithësi ishin të preferuara për shtresat shoqërore me mundësi të kufizuara ekonomike. Meqenëse zëri i bursave në buxhetin e Ministrisë së Arsimit ishte shumë i ngarkuar, me guxim që e karakterizonte, ai e përgjysmoi atë.

Gjysmën e atyre të ardhurave e shfrytëzoi për rrogat e mësuesve, për shtimin e numrit të shkollave dhe për nevoja të pajisjes së tyre. Natyrshëm shkurtimi solli edhe pakësimin e bursistëve. U shkurtuan 700 bursa për studente jashtë shtetit dhe për nxënës brenda vendit. Për përparimin e bursistëve sidomos për ata që studionin jashtë shtetit, Ivanaj-i ndoqi me vëmendje të veçantë, duke kërkuar raportime të rregullta, si për përparimin dhe jetesën e tyre në përgjithësi.

Ishte  Ivanaj, ai që do  ti  priste  bursën  e  shtetit  studentit Enver  Hoxha, i  cili  studionte  në  Francë, me  motivimin  e  bazuar  në  fakte  sepse  gjatë  tre  vjetëve  nuk  kishte dhënë asnjë provim. Këtë veprim E. Hoxha nuk do tja harronte  kurrë,Ministrit hijerëndë, sepse  kur  erdhi  në  pushtet, disa  vite  pas  mbarimit  të  luftës, do ta  burgoste  idhullin  e  arsimtarëve  e  arsimdashësve  shqiptar.

Si intelektual atdhetar me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë për detyrën e rëndësishme që mori përsipër, Ivanaj nuk la komponent të veprimtarisë shkollore, qoftë edhe të dorës së dytë, pa i kushtuar kujdesin e merituar. Ishte i pari Ministër Arsimi, që kërkoi nga të gjitha shkollat e vendit të dhënat statistikore për vijimin e shkollave fillore, sipas seksit dhe sipas raportit fshat-qytet. Dhe, për ta futur sadopak në rrugëzgjidhje këtë problem, ai u përpoq që të nxiste dhe të vinte në lëvizje tërë organizmat shtetërore dhe njësitë administrative të mundshme.

Reforma u sintetizua në Dekret ligjin Organik të Arsimit e u dekretua nga Mbreti me 26 shtator 1934. Sipas dekretligjit të vitit 1934, në prefektura, nënprefektura e komuna krijoheshin komisionet shkollore, që ndiqnin edhe vijimin e shkollës.     Vetëm pas shkurtit 1933  kurset për analfabet  që  ishin  hapur vite më parë, nisën të gjallërohen. Së pari, ai u bëri thirrje arsimtarëve që sipas mundësive të jepnin mësim vullnetarisht në ato kurse, katër ditë në javë, nga 2 orë në ditë.  Veç për analfabetet qytetarë të lirë, Ivanaj kërkoi që ata të jepnin mësime falas edhe për analfabetet e burgosur. Autoriteti i tij bëri që kurset të jepnin shpejt përfundime të shkëlqyera.   Për herë të parë në historinë e shkollës shqiptare, shërbimi shëndetësor në shkolla u fut në vitin 1933.  Sigurisht që kjo çështje kishte lidhje me shumë tregues e faktorë të mirërritjes së gjithanshme në familje e shoqëri, por aq sa i erdhi për dorë si Ministër Arsimi, ai u përpoq që të paktën në shkolla të  vihej nën një farë kontrolli gjendja shëndetësore  e nxënësve dhe, të merrej ndonjë masë e mundshme parandalimi ose kurimi për sëmundje epidemike. Në vitin 1993 u sigurua në qytetin e Tiranës shërbimi poliklinik për nxënësit e shkollave, pranë spitalit të përgjithshëm civil, ku  sipas urdhrit të prerë të Ministrit, do të kontrolloheshin të gjithë nxënësit para se të futeshin në klasën e parë të shkollës fillore.

Dorëheqja  e  Mirash  Ivanaj-it

Edhe  pse  reforma  të  tilla  në  perëndim  ishin  bërë  afër  dy  shekuj  më  parë, që  në  kohën  e  revolucioneve  të  borgjezisë  kombëtare, mendimi  dhe  nisma  e  Mirash  Ivanajt  patën  kundërshtarët. Reforma  preku  dhe  alarmoi  qarqet  drejtuese  të  shkollave  private  dhe  të  huaja  brenda  dhe  jashtë  vendit.  Kleri katolik në Shkodër, me përkrahësit e tij dhe përfaqësues të minoritetit grek në Gjirokastër, ju kundërvunë ashpër Reformës. Kurse kleri mysliman dhe ai ortodoks nuk bënë kurrfarë reagimi. Posaçërisht anën e shtypit dhe me tërë mjetet  propagandistike, që dispononte, kleri katolik doli fuqishëm në mbrojtje të shkollave të tij, me argumente historike, për ndihmesën e meshtarëve katolikë në lëmin e arsimit shqip dhe të gjuhës shqipe.  Në qytetin e Shkodrës u krijua një tension i madh dhe u bënë trazira nga grindjet, që u nxitën midis nxënësve të besimeve të ndryshme fetare. Në Shqipërinë e Poshtme, në prefekturën e Gjirokastrës; u krijua një shqetësim edhe më i madh. Autoritetet shtetërore greke, të cilave iu mbyllej  porta e ndërhyrjes në Shqipëri, e paraqitën shtetëzimin e shkollave minoritare greke, si masë për të ndaluar mësimin e greqishtes në ato shkolla. Prandaj, me anën e konsullatave të tyre në Shqipëri, dhe të agjenturës së tyre dhe të disa klerikëve ortodoksë, organizuan një fushatë sistematike me propagandë shpifëse kundër shtetit shqiptar. Për ta bërë çështjen shqetësim ndërkombëtar, u vu  në lëvizje shtypi grek dhe në disa qendra të Greqisë së veriut u bënë mitingje, protesta në mbrojtje të shkollave private minoritare, sikur minoriteti grek në Shqipëri persekutohej.

Qeveria italiane nuk doli hapur në mbrojtje të shkollave të saj në Shqipëri, kurse në kanale diplomatike ka një mori dokumentesh, që tregojnë fare haptas, shqetësimin e shtetit italian për shkollat e saj në Shqipëri. Qeveria italiane shfaqte shqetësim jo të vogël edhe për shkollat e klerit katolik, ku gjuha italiane, letërsia italiane dhe kultura italiane në përgjithësi, zinin vend të rëndësishëm në programet dhe praktikat e atyre shkollave. Për sa u përkiste shkollave profesionale italiane, në të vërtetë ligji nuk parashikonte mbylljen e tyre, mësuesit  duhet të lidhnin një kontratë pune me Ministrinë e Arsimit dhe se ato shkolla do të vareshin këtej e tutje nga një seksion i kësaj Ministrisë. Dhe, krahas drejtorit teknik italian, do të vendosej një drejtor administrativ shqiptar. Mirëpo, shteti italian, që donte dorë të lirë, e tërhoqi shpejt  personelin.  Pas dy vjetësh, çështja e shkollave private, mori karakter ndërkombëtar, sepse në një anë kleri katolik, me përkrahjen e heshtur nga diplomacia italiane dhe qeveria greke në anën tjetër, iu drejtuan Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Sipas reformës, minoritetit i siguroheshin po ato të drejta, si për të tërë shtetasit shqiptare. Mbyllja e shkollave private nuk vinte në masa shtrënguese pakicën greke në Shqipëri, që të hiqte dorë nga ajo që formon thelbin e jetës së saj si etni më vete. Megjithatë, çështja kishte karakter juridik dhe Komiteti i Lidhjes ia drejtoi Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës, i cili e zgjidhi në të mirë të kërkesës greke, me 8 vota pro dhe 3 kundër.  E manipuluar sipas interesash të caktuara ndërkombëtare, të cilat shkonin në dëm të Shqipërisë, Lidhja e Kombeve, plotësoi kërkesën greke për minoritetin e tyre në Shqipëri dhe nuk pyeti për çështjen e shkollimit shqip.

Qeveria shqiptare iu nënshtrua vendimit të Gjyqit Ndërkombëtar dhe shkollat private minoritare greke u rihapën. Prandaj, Ivanaj, që kishte deklaruar se nuk do të pranonte asnjë ndërhyrje në punën e tij, më 16 gusht 1935, dha dorëheqjen, me argumentin:

” Vetëm në shkollat e shtetit, pa as më të voglin cenim të të drejtave individuale ose kolektive, djelmënia jonë mund të edukohet si e tillë e të fitojë ndjesinë dhe ndërgjegjen kombëtare, moralin dhe disiplinën shtetërore.

Në kuptimin e sakrificës për atdheun e për mbretin, nuk mund të bashkohem me mendimin e shumicës së Këshillit Ministror e të pranoj çfarëdo ndryshimi në zbatimin e nenit 207 të Statutit të Mbretënisë”.

Një  tentativë  e  tillë  radikale  në  fushën  arsimore  ishte  e  destinuar  të  dështonte  sepse  shteti  shqiptar  ishte  tepër  i  dobët  ekonomikisht, ku  në  mbarë botën  kishte  krizë dhe,  i  pafuqishëm  politikisht  sepse  politika  ekspansioniste  italiane  kishte  si  objektiv  kryesor  Ballkanin, kështu  që  mbreti  u  detyrua  të  kthehej  në  partneritetin  e  mëparshëm  italo-shqiptar. Megjithatë, vepra  e  Ivanajt  mbetet  një  ndërmarrje  tepër  e  guximshme  po  të  merret  parasysh  se  u  krye  në  vitin 1933, në  një  mjedis  të  brendshëm  tepër  konservator, intolerant,  ndaj  çdo  risie  dhe, nga  pikëpamja  ndërkombëtare  kjo  reformë, prekte  interesat  e  një  grupi  shtetesh  të  mëdha  e  të  vogla  dhe  të  disa  institucioneve  fetare etj.  Në  dorëheqjen  e  tij, Ivanaj, përmbushi  deri  në  fund  një  detyrë  patriotike  duke  përfaqësuar  shembullin  e shtetarit  model,të pa korruptuar,përparimtar i  udhëhequr  nga  interesat  kombëtare  dhe  jo  ato  vetjake.  Edhe  pse  reforma  e  tij  u  la  përgjysmë  ajo  kohë  ndryshimesh  e  idealizmi  në  punët  e  Arsimit  do  të  kujtohej  e  do  të  merrej  shembull  për  realizimin  e  ndonjë  projekti   arsimor.

Motoja  e  Ministrisë  së  Arsimit  në  kohën  e  Mirash  Ivanaj-it ishte: Asnjë  favorizim, prandaj  asnjë  person  nuk  afrohej  tek  Ministri  për  ndonjë  favor  apo  lëshim  që dilte  nga  normat  ligjore, shtetërore  dhe  morale  personale.

Në  vitin  1929  Mbreti  Zog  dekoroi  Mirash  Ivanaj-in  me  urdhrin “Kumandar  i  urdhrit  të  Skënderbeut” dhe  saktësisht  pas  74  vjetësh,në  vitin  2003,Presidenti  i  Republikës  i akordoi Prof. Dr. Mirash Ivanaj-it  urdhërin “Nderi i Kombit” me motivacionin “Figurë e shquar e kombit dhe e kulturës shqiptare, reformator i madh i arsimit dhe i shkollës kombëtare shqiptare, luftëtar i papërkulur i indipendecës, lirisë dhe progresit kombëtar e shoqëror”.