Kujt nuk i trembet?

Nga Keijsi Haci

Fakti që pjesë të kreut të shtetit kërkojnë të përcojnë si dicka normale thirrjet e pakuptimta që qeveria është e fortë, nuk digjet, nuk largohet e nuk trembet ngjan tepër i hidhur dhe i pazakontë. Kujt nuk i trembet? Shpesh duket sikur harrohet fakti që qeveria nuk mban atë vend për të treguar forcën dhe pozitën e saj të paprekshme, por për t’u përgjigjur kërkesave të popullit, i cili ka të drejta kushtetuese të dëgjohet si në raste vote e në proteste.
Ata që dalin në protestë, ata që votojnë këta të tjerët, ata që cënojnë policinë e sulmojnë kryeministrinë, “ne dhe ju”, “ata dhe këta”, ndasi të tilla nuk duhet të shihen si normale dhe aq më tepër të shkruhen nga kreu i shtetit, pasi inkurajojnë dukshëm dhe shëmtuar tendencën e një mundësie për përcarje civile.
Përplasja e popullit si pasojë e bindjeve politike nuk do të ishte në favorin e askujt. Këtu nuk po kërkohet drejtësi mes llojit te këtyre e atyre që votojnë për këta e ata, por shembje sistemi me qëllim rindërtimi strukturash politike. Këtij mentaliteti të mbrapshtë duhet ti vijë fundi.

***
1- Perdorimi i mjeteve të njëjta nga qeveria është bërë mjaft monoton dhe i përsëritshëm tashmë! Ky lloj komunikimi nëpërmjet “dialogut të lirë,” por me kushtet që vendos unë, është një praktikë e shëmtuar prej së cilës presupozohet që i “dobëti” t’i përulet të “fortit.” Në momente kritike në vend, ndasia në “të dobët” e të “fortë” është propagandë e dështuar dhe fasadë e vjetër mediatike që qeveria e ripërsërit në cdo protestë. Kjo qeveri shfaqet gjithmonë pro protestave dhe kërkesave që i paraqiten, por fakti që nuk i merr kurrë përsipër që ti plotësojë dhe fakti që është munduar ti dërgojë në harresë gjatë 6 viteve të fundit bie në kontradiktë të thellë me qëndrimin e saj. 6 vite harresë janë kohë relativisht e gjatë dhe e cuar dëm për një vend që ka nevojë për reforma të thella gati në cdo institucion.
2- Uzurpimi i postit të deputetit si të jetë pronë private për të kënaqur ego vetjake tregon sa lehtë blihen e përdoren si kukulla teatrale “pushtetarët” e sotëm. Marrja e privilegjeve, imuniteteve dhe shumave të majme nga posti i deputetit për interesa vetjake është akt i pamoralshëm, i cili kurrësesi nuk perbën problem kryesor “tradhetinë” ndaj institucioneve partiake por atë ndaj një vendi të tërë. Cilës shoqëri duan ti shërbejnë këta individë kaq dëshpërimisht? Shoqërise të cilën do e perfaqësojë kjo opozita e re e Rilindjes, e vendosur nga Rilindja, e quajtur Rilindja 2.