Pakësohen kreditë e këqija, bankat po i “blindojnë” me kolateral para se t’i japin

Më pak kredi të këqija se dikur. Dhe më shumë shlyerje të kësteve të tyre prej klientëve. Kjo është situata që i ka karakterizuar në tërësi kreditë bankare në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. E pohuar nga Banka e Shqipërisë, në Raportin e Stabilitetit Financiar, ajo flet në këtë mënyrë për një disiplinim më të madh të arritur në këtë fushë. Po si është mundësuar kjo?
Sipas ekspertëve, njëra nga arsyet kryesore është “blindimi” me kolateral i kredive që bankat u japin si bizneseve, ashtu edhe individëve. Duke patur një të tillë mbi supe, ata ndihen më të detyruar se më parë që ta shlyejnë në mënyrë të disiplinuar kredinë. E thënë më thjesht, nëse një kredi mbulohet nga një pasuri e patundshme, apo edhe një shumë parash e lënë si garanci tek banka, shlyerja e saj është më e rregullt krahasuar me një kredi që nuk ka asnjë të tillë.

“Mbulimi me kolateral i kredisë mbetet në nivele të larta dhe ka shënuar rritje të vazhdueshme që prej fillimit të vitit 2017. Kjo ndikon në zbutjen e rrezikut të kredisë”, cilëson banka qendrore. Duke dhënë edhe shifrën konkrete prej 78.2% të mbulimit me kolateral të kredive, 1.5% më e lartë se një vit më parë. Ku vetëm ajo me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme zë rreth 68% të kredisë në totalin e saj. E duke folur kështu për një “mburojë” më të madhe që po u bëhet kredive prej bankave, në mënyrë që ta kenë më të lehtë kthimin mbrapsht të tyre prej klientëve.

“Kredia e kolateralizuar me pasuri të paluajtshme dhe ajo me pará në dorë kanë shënuar rritje. Kurse ajo e dhënë me forma të tjera të kolateralit, e cila zë rreth 28% të kredisë së përgjithshme, ka rënë me rreth 15% gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar”, është një tjetër pohim që jepet nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Duke përfunduar me vlerësimin se “cilësia e kredisë së kolateralizuar është përmirësuar dhe se raporti i kredive me probleme për këtë lloj kredie ra deri në nivelin prej 10.5% në fundvitin e kaluar”.

78.2%

E totalit të kredive të dhëna nga bankat është mbuluar me kolateral gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar, nivel ky prej 1.5% më i lartë se një vit më parë

68%

E totalit të kredisë së dhënë me kolateral, gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar është dhënë me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme , kurse tjetra me pará