Dhurata Çupi: Asgjë nuk na ndal për të kërkuar zgjedhje të ndershme, protestat do jenë të mëdha

Flet ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi: “Partia e re opozitare? Partia Demokratike është partia opozitare sot dhe partia që do të marrë fatet e drejtimit të vendit nesër”

“Vendimi ynë për t’u regjistruar vetëm pasi të jenë garantuar standardet e zgjedhjeve është vendim i prerë për mos u bërë fasadë e zgjedhjeve farsë, që i dikton një pushtet, një qeveri dhe një kryeministër i kapur”. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, ish-deputetja demokrate, Dhurata Çupi, mbi vendimin e Partisë Demokratike për të mos u regjistruar në KQZ mbi procesin zgjedhor të 30 qershorit. Sipas saj, “njësoj si dorëzimi i mandateve, edhe ky vendim i shërben demokracisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit”. “Pasi opozita nuk mund të bëhet fasadë e zgjedhjeve monopartiake”, apelon Çupi. Nga ana tjetër, ajo thekson se “protestat e opozitës do të vazhdojnë me të gjitha dimensionet demokratike” dhe se “asgjë nuk i ndal ato për të kërkuar zgjedhje të ndershme”…

Në një kohë kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga afati zyrtar për regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si subjekt politike garuese për zgjedhjet e 30 qershorit, Partia Demokratike ka shpallur vendimin për t’i bojkotuar ato, ndërsa kusht themelor mbetet largimi i Ramës. Ky vendim është përfundimtar?

Vendimi ynë për t’u regjistruar vetëm pasi të jenë garantuar standardet e zgjedhjeve është vendim i prerë për mos u bërë fasadë e zgjedhjeve farsë, që i dikton një pushtet, një qeveri dhe një kryeministër i kapur. Njësoj si dorëzimi i mandateve, ai i shërben demokracisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit. Opozita nuk mund të bëhet fasadë e zgjedhjeve monopartiake.

 

A do e dëmtojë Partinë Demokratike krijimi i një partie të re opozitare nga Rudina Hajdari?

Partia Demokratike është partia opozitare sot dhe partia që do të marrë fatet e drejtimit të vendit nesër. Për t’i dhënë vendit zhvillim e mirëqenie. Për të mos e vjedhur dhe shkatërruar ekonomikisht. Për ta çliruar vendin nga korrupsioni dhe krimi. Partia Demokratike është partia, e cila që në krijimin e saj u dha shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur, u dha shqiptarëve të drejtën për të krijuar parti dhe u dha atyre demokracinë e munguar për 50 vite. Sot me dëshpërim e themi se ka regres në të gjitha sa më lart. Sot Partia Demokratike udhëhiqet nga morali, nga përkushtimi dhe përpjekjet e pashtershme për demokraci reale.

 

Në fillim të javës, Basha do të mbledhë Kolegjin e Kryetarëve, për të përcaktuar axhendën e protestave, të cilat pritet të shtrihen edhe në rrethe. Ndërsa data 11 maj mbetet si më e mundshmja për protestën e katërt kombëtare. Pra, protestat do të vazhdojnë?

Shqiptarët janë të bashkuar sot në shumicën absolute të tyre në krah të thirrjes së opozitës së bashkuar. Këto janë protestat më të mëdha dhe më të fuqishme në mesazhe që ka parë vendi ynë në 30 vite. Protestat do të vazhdojnë me të gjitha dimensionet demokratike. Asgjë nuk i ndal për të kërkuar zgjedhje të ndershme, për t’u lexuar qartë vullneti i sovranit. Për t’i kthyer vendit normalitetin e munguar në vite. E rëndësishme është që shqiptarët janë bashkë dhe sot e kanë kuptuar që me këtë qeveri nuk ka zhvillim dhe nuk ka prosperitet kombëtar.

 

Por krahas aksionit të protestave, Lulzim Basha, ka aktivizuar edhe grupet e punës brenda selisë blu, të cilat po hartojnë një program elektoral fokusuar në 100 ditët e para të Partisë Demokratike në qeveri, në qoftë se arrihet objektivi për largimin e Ramës dhe qytetarët do ti besojnë pushtetin. Çfarë është ky program?

Kujtoj se Partia Demokratike gjatë gjithë kësaj periudhe ka zhvilluar takime me përfaqësues të grupimeve të ndryshme. Lulzim Basha ka takuar pothuaj në të gjithë Shqipërinë, qytetarët e varfëruar dhe të vjedhur, bizneset që po mbyllen çdo ditë e më shumë, fermerët, minatorët, naftëtarët, mësues, mjekë. Të gjithë sot kanë shqetësimin e së nesërmes. Për këtë, Partia Demokratike po punon me kapacitetet më të njohura kombëtare dhe ndërkombëtare, për t’u dhënë shqiptarëve një program qeverisës dhe një të nesërme të sigurt dhe pa dyshim, më të mirën për familjet e tyre.

 

Më 26 prill, pritet që një delegacion i CDU-së gjermane të mbërrijë në Tiranë, nga ku bashkë me Lulzim Bashën do prezantojnë për publikun platformën e opozitës. Pse pikërisht ky bashkëpunim me CDU?

Partia Demokratike ka tashmë një traditë të marrëdhënieve me partnerët tanë në vite. Gjithçka do të jetë në funksion të mirëqenies ekonomike, të sigurisë ekonomike dhe të çlirimit të vendit nga ekonomia e kriminalizuar. Shqiptarët dhe Shqipëria e kanë emergjente kthimin e vendit në normalitet. Me ekonomi në rritje, pa taksa të larta, me rritje pagash dhe pensionesh, me program për të rinjtë që t’ju mundësohet arsim cilësor në vend, apo të drejta punësimi pa qenë nevoja të largohen vetëm jashtë. Me një strategji për varfërinë dhe shpëtimin prej saj sa më shpejt. Këto ka prioritet Partia Demokratike. Për këtë program të detajuar do të vijohet të punohet me kapacitetet më të mira të CDU/ “Albanian Free Press”