Oligarkë, Rama do të vijë edhe për ju!

Kur në mars të këtij viti u arrestua Mikhail Abyzov, ish ministër në qeverinë e Medvedev, teoritë konspiracioniste nisën të qarkullonin për këtë arrestim. Disa prej tyre pretenduan që ky ishte një kërcënim që Putin po i bënte kukullës së tij Medvedev. Të tjerë e atashuan këtë arrestim me grupin e fuqishëm Alfa, pati opinionistë që argumentuan se arrestimi i tij vjen si pasojë e një konflikti me oligarkun e fuqishëm Vijtor Vekselberg.

Akuzat që u ngritën ndaj Abyzov lidhen me përvetësimin e parave (61 milionë dollarë) pas shitjes me një çmim të inflacionuar të një kompanie shtetërore, letrat ishin sitisur në një mënyrë të përkorë. Shumica e rusëve natyrisht besojnë se ai është fajtor për këto akuza. Por, një pjesë e vogël e tyre besojnë që kjo është një luftë kundër korrupsionit dhe sistemit korruptiv.

Në një shtet si i Rusisë, ku gjykata vulos atë që shefi i kabinetit të Putinit (i cili nuk quhet Engjëll Agaçi) shkruan vendimet e gjykatave dhe këto të fundit vetëm i vulosin, vendimet janë të parathëna. Sidomos për rastet e tilla, ku arrestimet e zyrtarëve bëhen në publik dhe me kamerat e mediave të paralajmëruara për një skenë spektakli.

Shumëkush sot pyet se përse Vladimir Putin i cili gjatë mandatit të tij të parë dërgoi në burg vetëm 3 zyrtarë të lartë (2000-2004) sot ka vendosur të ndëshkojë ato që vetë i pasuroi apo u dha mundësinë? Kirill Rogov në një analizë të tij thotë se “regjimet autoritare të buta që mbështeten në rritjen ekonomike fillojnë të shohin burime të reja legjitimiteti dhe zgjerojnë praktikat e tyre represive kur kushtet ekonomike përkeqësohen”.

Përkthyer në kontekstin shqiptar kjo do të thotë se sundimi i Ramës në rastet e skandaleve të mëdha dhe në kushtet e një ekonomie të mbytur do të rinisë një ndëshkim të pashembullt tek zyrtarët. Si për t’i thënë qytetarëve se lufta e tij ndaj korrupsionit është e sinqertë, duke u kujdesur të përhapë fjalë se ai në fakt nuk ishte në dijeni të korrupsionit. Në rastin e Unazës së Re dhe tenderit për DH Albania, po qarkullon teza se Rama ndjehet i fyer dhe i xhindosur që Gjiknuri ia ka punuar pas krahëve.

Gjithashtu politika që Rama ka ndjekur në mënyrë konstante është atashimi me perceptimin qytetar dhe sulmi ndaj atyre që perceptimi qytetar konsideron armiq. Nëse një ditë prej ditësh qytetarët do të konsiderojnë armiq ndonjë nga oligarkët që Rama mban afër, atëherë fundi për këtë oligark do të jetë eminent. Kjo pasi politikat represive që ndjekin autoritarianët si Putin dhe Rama dëshirojnë të fitojnë “legjitimitetin” e popullit më shpejt se të ndërkombëtarëve.

Merrni si shembull ndëshkimin shëmbullor që Rama u dha Lojrave të Fatit, pasi i mbështeti me një ligj që u vinte për shtat, pasi u dha mundësinë të pastronin paratë e pista të drogës. Ai i fshiu nga harta duke i ndaluar me ligj, përpos atyre specialëve, ndërsa pronarët e tyre që ishin të lidhur me të mundën të kapërcënin në firma fantazëm ndërtimi. Kjo lëvizje u atashua sa me ankesat e raporteve ndërkombëtare mbi pastrimin e parave në pikat e basteve (që ishin rritur ndjeshëm) por edhe me ankesat e qytetarëve që shihnin pika bastesh ngjitur mureve të shkollës.

Logjika që përdor Putin, e që me shumë mundësi do ta përdorë nesër edhe Rama, lidhet me atë të rishpërndarjes së parave që sekuestrohen nga këto oligarkë. Këto shumë të mëdha do t’i jepen oligarkëve të tjerë pranë partisë për të kryer atë që njihet si “qarkullim i parave” në duart tona. Natyrisht ky qarkullim do të kryhet duke përdorur mjete sovjetike (fjala vjen skema do të jetë kriminale) por pa një prapavijë të qartë ideologjike pasi qëllimi krysor do të jetë ai i pushtetit.

Në Rusinë e Putin, këtë skemë e shpjegon shumë mirë gjenerali i FSB, Ivan Tkachev, në një përgjim të kryer nga një prej ish oligakrëve rajonal (tanimë armik me Putin), Alexander Shestun. Në të gjenerali dëgjohet të thotë “Do të shoh se kush fluturon këtë muaj, pastaj muajin tjetër dhe në fund pas tre muajve. Të shohim me kë do të zëvendësohen, kush ka frikë nga këto zëvendësime. Pasi kjo është një [fushatë] e madhe”

Ajo çfarë duhet të kuptojnë dhe oligarkët që sot mbushin tavolinën e Ramës është se ata janë të përkohshëm. Pushteti i tyre mund të jetë pranë absolutes, por në një vend ku ekuacioni përfshin edhe “urinë” e ndërkombëtarëve për peshqit, do të vijë shpejt koha kur koçot e oligarkisë do të zëvendësohen nga zamirët e rinj. Apo dhe anasjellas!