Të gjitha krizat degjenerojnë në paradhomën e konflikeve?

Kristaq Xharo, Kolonel (R)

“… Nëse nuk keni një strategji tuajën, në të vërtetë ju jeni pjesë e strategjisë së dikujt tjetër”: Alvin Toffler.

Pranohet që jemi në krizë dhe shpjegimet për shkaqet janë të ndryshme dhe përderisa nuk ka një konsensus për shkaqet edhe më e vështirë do të jetë për zgjidhjet. Paradoksi i parë lidhet me faktin se pothuaj gjithë periudha e tranzicionit ka reflektuar tiparet e një krize, aq sa është kthyer në përjetimin e një procesi “normal”. Kjo ndodh edhe për faktin që nëse nuk është një krizë e përhershme, atëherë denduria e tyre është kaq e madhe sa e gjithë periudha tjetër shihet si periudhë midis krizave. Nëse ka diçka të ndryshme ajo është vetëm koha. Aktorët, mënyra e shfaqjes, objektivat dhe taktikat pothuaj nuk japin asgjë të re. Paradoksi i dytë qëndron në faktin se krizat zhvillohen nëpër të gjithë ciklin e tyre, që siç shprehet studiuesi i madh gjerman, Friedrich Glasl, nëpër të nëntë shkallët e ferrit. Rastet e zgjidhjes së krizave që në hapat e parë nuk ekzistojnë ose sepse nuk e njohin ose nuk dëshirojnë ta zgjidhin pa shkuar në ciklin e vet të plotë. Të gjitha krizat te ne degjenerojnë në paradhomën e konflike. Në këtë mënyrë të humburit nga krizat nuk janë vetëm palët, por shumë më tepër. Paradoksi i tretë lidhet me faktin se elitave tona politike nuk mund t’u legjitimosh asnjë meritë, aftësi apo kulturë për zgjidhjen e krizave. Në historinë tridhjetëvjeçare është e pamundur të jetë gjendur zgjidhje pa ndihmën e të tretëve. Të tretët, që në çdo rast tjetër mund të vlerësoheshin si kapacitete në interesa dhe objektiva shumë më të lartë shpenzojnë energji për t’u angazhuar në kriza dhe konflikte të brendshme. Zakonisht të tretët (moderatorët) kërkohet të jenë sa më potentë, me qëllim që edhe “tërheqja e palëve” të pranohet në emër të një fuqie shumë të madhe, detyrimisht edhe interesi e objektivi madhor.

Përse elitat politike gjatë gjithë kohës kanë meritën për t’i çuar krizat deri në “rrethin e nëntë”, të cilin Friedrih Glasl e emërton “së bashku drejt humnerës”. Mungesa e strategjisë dhe egoja vjen përherë më e madhe dhe më e lehtë se të kërkuarit e zgjidhjeve midis palëve. “Rrethi i nëntë” gati parafundi i të gjitha krizave të brendshme shpreh atë nivel ku përpjekja për të asgjësuar kundërshtarin është aq e fortë sa lihet pas dore edhe instinkti i vetëruajtjes. Të gjitha urat tentohen të digjen dhe askush nuk mendon për kthim. Lufta e plotë e shkatërrimit pa skrupuj dhe keqardhje zhvillohet. Nuk ka viktima të pafajshme, as palë neutrale ku i vetmi shqetësim i mbetur në garën “drejt humnerës” është siguria që edhe kundërshtari, gjithashtu, të bjerë.

Pa pasur qëllim që të shpreh opinion për shkaqet e brendshme të krizave, në kontekstin e vet edhe kriza aktuale po tenton drejt këtij niveli. Në mungesë të strategjisë aktorët në këtë krizë arrijnë të reflektojnë vetëm taktika. Dhe strategjia nuk ka hapësirë tjetër në këtë ambient veçse të hakmerret. Për ata që mund të bëjnë dallimin midis strategjisë dhe taktikës është e mundur të dallojnë që të gjitha veprimet, mjetet, kapacitete dhe objektivat janë të nivelit taktik. “Të zhytur në ferrin taktik” shprehet Robert Grin, i konsideruar si Makiaveli modern, dhe autori i librit “33 strategjitë”. Ky “ferr taktik” shfaqet si një teatër ku aktorët konkurrojnë për fuqi ose më së paku ndonjë lloj kontrolli dhe me veprime që shpërndahen në një mijë drejtime. Zhytja në këtë “ferr”, ku mund të fitosh beteja, por jo luftën, e bën të vështirë apo të pamundur daljen prej tij. Betejat taktike ndjekin njëra–tjetrën, por asnjë prej tyre, qoftë edhe e “suksesshme” nuk të afron drejt fitores. Dalja prej këtij “ferri taktik”, vlerëson Grin, është më e vështirë se vazhdimi i rrugës drejt ferrit, mjafton të marrë me vete edhe kundërshtarin. Kjo është forma më e mirë e hakmarrjes së strategjisë.

A ka zgjidhje? Sigurisht. Në çdo hap të krizës ekziston edhe mundësia për ta ndalur atë, madje edhe në fund. Mjafton të afrohet një strategji e përbashkët që ka në bazë konsensusin dhe një interes më të lartë se ato të palëve që gjithmonë është interesi kombëtar. Strategjia qartas do të vinte në formën e një projekti të madh kombëtar, të përbashkët e konsensual. Mungesa e saj në të kundërt do të hakmerrej duke lënë “derën hapur” për kriza të tjera me lindje, me fillime e rifillime, me shumë dështime e dëme dhe me rrugë qorre që motivojnë konflikte.

Por a mund të ndërtojnë elitat politike strategji. Edhe ky është një paradoks. Së pari, në njërën anë elitat politike kanë ambicie për të qeverisur shtetin, por nga ana tjetër, shpesh e më shpesh ato vetëqeverisen keq ose janë në amulli të plotë. Së dyti, koha që elitat kanë në dispozicion kur janë në qeverisje apo në anën tjetër është përherë më e shkurtër se parametrat e një strategjie. Në kohën që strategjia kërkon afate shumë të gjata kohore elitat ndihen më mirë të merren me taktika sesa me strategji. Ekziston një tension i vazhdueshëm midis taktikave (nevojës afatshkurtër) për t’iu përgjigjur elektoratit dhe strategjive që lidhen me qëllime afatgjata dhe me objektiva përtej spektrit të vetë subjekteve. Në këtë rast, elitat politike, në veçanti, më shpesh detyrohen apo kanë interes të përqendrohen në objektiva dhe interesa afatshkurtra duke injoruar apo shmangur interesat dhe objektivat afatmesëm e afatgjatë të strategjisë. Vetëm duke pasur aftësinë dhe guximin për të parë përpara dhe duke tejkaluar interesat dhe objektivat e ngushta, elitat politike mund të ndihen të përkushtuara për të ndërtuar strategji.

Jo pak shprehen se mungesa e strategjisë nuk i ka penguar elitat të vijnë në pushtet, të qeverisin e të largohen e më pas të rivijnë përsëri. Kjo është e vërtetë po aq sa edhe parimi se “… Nëse nuk keni një strategji tuajën, në të vërtetë ju jeni pjesë e strategjisë së dikujt tjetër”, thotë Alvin Tofler, autori i Teorisë së Valëve. Mungesa e strategjisë kombëtare, të përbashkët, fryt i konsensusit logjik të të gjithë faktorëve vazhdon të mbetet një nga boshllëqet më të mëdha. Ne nuk e kemi një strategji të tillë. Milan Kundera thotë që kjo lloj strategjie qëndron në faktin që ajo frymëzon. Strategjia konceptohet në kohë në terma afatgjatë, burime në nivel madhor, instrumente dhe objektiva me impakt shumë më të gjerë. Kjo lloj strategjie ka për objekt çështjet më themelore të kombit, në kohë paqe, krizash e konfliktesh dhe lidhet me interesat më jetikë të një kombi. Tani, gjithkush mund t’i shpërfillë këto të vërteta dhe të notojë përmes mënyrës që i pëlqen. Ose mund të përpiqet të organizojë logjikën e të menduarit për veprimet dhe përpjekjet në aspektin taktik dhe strategjik, dhe të vlerësojë nëse kjo perspektivë ndihmon për të përmirësuar mënyrën e menaxhimit të prioriteteve dhe veprimeve/Liberale.