Reforma në drejtësi, problemet me gjykatat dhe rreziku nga mungesa e vendimeve


Nga Herion Mesi

Reforma në drejtësi u konceptua si pastrim i pallatit të drejtësisë nga gjyqtarët e prokurorët e korruptuar. E ndërsa procesi i vettingut vijon, drejtësia është bllokuar në gjykatat shqiptare që nga nivelet e ulëta e deri ato të larta. Me dhjetëra dosje kanë mbetur pezull e nëse dy vite më parë në kohën kur u miratuan ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformimit të sistemit të drejtësisë shfrytëzohej procedura me avokatët për shtyrje të seancave, tashmë shkak po bëhet vettingu dhe skualifikimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve në mënyrë që të kenë mundësi rikthimin e gjyqeve në themel. E ndërkohë që priten vendimet e gjykatave për kriminelë të kalibrave të ndryshëm, që nga hajdutët deri tek ekzekutorët dhe bashkëpunëtorët e krimit, seancat shtyhen në kërkim të prokurorit tjetër që do marrë dosjen. Por nuk është vetëm kjo. Krahas gjyqeve tek Krimet e Rënda një tjetër problem akoma më i madh është Gjykata e Lartë. E mbetur prej disa kohësh me 4 anëtarë, rreziku më i madh vjen tek masat e sigurimit personal. I pa formuar Kolegji Penal nuk mund të caktojë asnjë masë të tillë, dhe kjo ka minuar rekurset e Prokurorisë, por edhe të afateve të cilat rrezikojnë hetimet.

Rasti “Dajti

Dhe një rekurs që do të bënte bujë do të ishte vendimi ndaj Dritan Dajtit, ose njeriut që rrëzoi sistemin e drejtësisë në Shqipëri, i cili duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat ligjore ia doli që pas një kalvari 10 vjeçar procesi dhe seancash të panumërta, ti shpëtojë burgimit të përjetshëm për vrasjen e katër efektivëve të policisë. Vendimi i disa gjyqtarëve të Apelit të Krimeve të Rënda “shokoi” dynjanë, të cilët anuluan vendimin e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Apelit, ku ndaj Dritan Dajtit ishte dhënë vendimi për burg të përjetshëm, i cili u shndërrua në një vendim me 25 vite burg. Por përtej ngjarjes së rëndë në vitin 2009, “fitorja” e Dritan Dajtit në marrjen e këtij vendimi është një fitore e bazuar në këtë sistem ligjor të shtetit shqiptar. Por si u mbërrit në këtë vendim i cili ishte një kalvar i tërë ligjor, ku në fund Dritan Dajti ia doli të nënshtrojë të gjithë sistemin gjyqësor në Shqipëri? Gjatë gjithë procesit nuk pati mbrojtës; Dajti shfrytëzoi të gjithë bollshëqet ligjore, kjo dhe falë dhe backgroundit të tij si një ish-student i Juridikut, ai shfrytëzoi të gjitha hapësirat e mundshme ligjore. Para gjykatës ai paraqitej si një i pandehur pa mbrojtës dhe si i pamundur financiarisht për të pasur mbrojtje ligjore dhe në këto kushte ai i kërkonte shtetit dhe gjykatës ti vendoste një avokat kryesisht. Gjykata ia caktonte një avokat kryesisht, avokati kryesisht vinte në sallën e gjyqit dhe për arsye të ndryshme nuk pranonte ta mbronte Dajtin dhe praktikisht Dajti ishte pa mbrojtje. Gjithsesi, në një formë apo në një tjetër, Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda doli me një vendim përfundimtar. Ky vendim u ankimua në Apel nga vetë Dritan Dajti, dhe Apeli vendosi rrëzimin dhe rikthimin e dosjes për rishqyrtim në Shkallën e Parë, ndërsa Dajti vazhdoi betejën e tij ligjore duk i bërë rekurs atij vendimi në Gjykatën e Lartë, dhe kjo e fundit vendosi që dosja të kthehej për rigjykim, por jo në Shkallën e Parë, por sërish në Gjykatën e Apelit me një trupë tjetër gjyqtarësh. Por deri në këtë moment, kur kishim të bënim me vitin 2016 kur u dha vendimi i Gjykatës së Lartë, Dritan Dajti kishte konsumuar të gjithë gjyqtarët e Krimeve të Rënda, qoftë përmes procesit të tij penal, qoftë edhe përmes ankimeve që ai bënte herë pas here për vendime të ndërmjetme dhe për këtë shkak të gjithë gjyqtarët e Apelit të Krimeve të Rënda ishin konsumuar dhe ishin në konflikt interesi për të shqyrtuar çështjen e Dritan Dajtit. Atëherë e vetmja mënyrë që u pa nga KLD-ja e kohës, e cila bëri delegimin e disa gjyqtarëve nga rrethet, të cilët dhe në fund shpallën vendimin për dënimin e tij me 25 vite burg nga burgimi i përjetshëm. Pra, Dritan Dajti pas 10 vitesh dhe përmes një strategjie mbrojtjeje arriti të nënshtrojë të gjithë sistemin e drejtësisë duke shfrytëzuar pra hapësirat ligjore. Dhe në fund ai arriti që pas sërë refuzimesh, ti pranohej kërkesa e tij për gjykim të shkurtuar, çka solli automatikisht uljen e dënimit nga burg i përjetshëm në një dënim prej 25 vitesh burg. Ku nga 10 vite të qëndrimit të tij në paraburgim, i bie automatikisht qëndrimi i tij në burg në 15 vite dhe pas pranimit të fajit, ai përfiton po ashtu dhe ulje të dënimit me 1/3-at. Pra që i bie që brenda pak vitesh, Dritan Dajti të fitojë lirinë.
Ndërkohë, sipas informacioneve që vijnë nga Akuza, mësohet se Prokuroria e Apelit të Krimeve të Rënda menjëherë me zbardhjen e tij, vendimi në fjalë do të çohet me rekurs në Gjykatën e Lartë. Por aktualisht jemi në momentin kur kjo gjykatë operon me vetëm 4 gjyqtarë, pra praktikisht nuk shqyrton asnjë çështje penale. Derisa të plotësohet Gjykata e Lartë dhe deri sa stoku i dosjeve në këtë gjykatë, pasi janë 30 mijë dosje që presin shqyrtimin, dhe pas shqyrtimit të 30 mijë dosjeve, dhe këtu duhet shumë kohë që ti vijë radha edhe dosjes së Dritan Dajtit dhe që të kemi një tjetër vendim nga Gjykata e Lartë. Pra, ky vendim ndaj tij nuk është një vendim i mbyllur, por duke iu referuar praktikës në fjalë, është një nga ato vendimet që zor se prishet më nga Gjykata e Lartë. Dhe në mesin e lëmit të krijuar për rastin në fjalë që është dëshmi e një mosbesimi masiv tek sistemi i drejtësisë, vlen për t’u theksuar fakti se pse Ministria e Drejtësisë nuk ndërhyri që gjyqtarët që dhanë vendimin ndaj Dajtit ti nënshtroheshin një procesi të përshpejtuar rivlerësimi (vettingut), ku të paktën të shqyrtohej dhe gjykohej cilësia e tyre si gjyqtarë.
Njësoj si Gjykata e Lartë, edhe ajo Kushtetuese vijon të jetë në ngërç për shkak të mosformimit të kuorumit. Kushtetuesja është me minimumin e gjyqtarëve që institucioni të mblidhet dhe të shqyrtojë çështje, por që vendimet të jenë të vlefshme ato duhet të jenë unanime.

Reforma dhe integrimi

Dhe kur po mbushen tre vite nga miratimi historik parlamentar i Reformës në Drejtësi me 140 vota, ajo që ende ka nevojë për një analizë është kuptimi nëse pritshmëritë po realizohen, nëse ka mësime për t’u nxjerrë dhe nëse mund të jepen rekomandime, në mënyrë që të arrihen objektivat e dëshiruara. Po kush kanë qenë objektivat e reformës? Objektivat e reformës, siç dhe u deklarua 5 vite më parë kur nisi puna për reformimin e sistemit të drejtësisë ishin rritja e besimit tek drejtësia, efikasiteti i sistemit, zhvillimi dhe integrimi i vendit në BE. Ti marrim një nga një këto objektiva në perspektivën e deritanishme të zbatimit të saj.
Besimi mbi Sistemin e Drejtësisë – Ka qenë gjatë këtyre vite një ndër pikat më të nxehta të debatit jo vetëm te politikës, por edhe të grupeve të interesit apo dhe opinionit publi, pasi, sipas shumë zërave, dyshohet për një ndërhyrje politike mbi vetë instrumentin që duhet të rivendosë besimin, pra mbi institucionet e Vettingut. Nga konkluzionet e takimit, ka dy mënyra për të forcuar besimin mbi sistemin e drejtësisë. E para, më afatshkurtër. Besimi duhet të rikthehet tek vetë insititucionet e Vettingut, pasi nëse ka pasur mosfunksionim të tyre, duke filluar nga shkaqe si paaftësia objektive, deri tek neglizhenca apo shpërdorimi i funksioneve të caktuara si pasojë e ndërhyrjeve politike, apo të tjera, institucionet përgjegjëse duhet të nisin procedurat përkatëse për nisjen e kontrolleve apo dhe hetimeve, në bashkëpunim me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). E dyta, më afatgjatë. Besimi i publikut tek Sistemi i Drejtësisë do të rikthehet, kur ky të jetë i aftë të parandalojë dhe hetojë me sukses abuzimet që ndodhin në sistemin legjislativ, atë ekzekutiv dhe vetë sistemin e drejtësisë, në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Gjithsesi, në të dyja rastet, besimi kërkon prova dhe deri tani publiku ende nuk ka para prova të forta që sistemi është i pavarur dhe i paanshëm. Kjo është ajo që kërkohet dhe rekomandohet.
Shërbimi i Sistemit të Drejtësisë – Fatkeqësisht ka pasur një ulje të performancës dhe kjo ulje pritet të theksohet gjithnjë e më shumë. Përtej vonesave të trashëguara, ku merren për shembull tipik vonesat e gjykatave administrative, procesi i Vettingut mund të ulë ndjeshëm numrin e gjykatësve dhe prokurorëve, duke ulur kësisoj, aftësinë e sistemit për të zgjidhur konfliktet në kohë. Nga ana tjetër Shkolla e Magjistraturës, e cila duhet të mbushte këto hapësira të lëna bosh, ende mbetet peng i mosmarrëveshjeve të forcave politike. Pra nga njëra anë kemi skualifikim të gjykatësve dhe prokurorëve dhe nga ana tjetër nuk kemi të rinj që t’i zëvendësojnë. Edhe këtu pati dy pika kryesore të diskutuara. E para, nga njëra anë. Në fakt në Shqipëri ka magjistratë të rinj, të cilët kanë ndenjur në pritje të emërimeve, apo nuk kanë pasur vlerësimin e duhur. Nga ana tjetër, edhe sikur këto magjistratë të fillonin punën sot, do t’u duhej një kohë e gjatë, minimalisht një 5 vjeçar, që të arrinin një performancë të mirë. Pra, edhe në këtë rast ka një ngërç, pasi ligjvënësi nuk ka pasur një plan kontigjence. Dhe këtu duhet një marrëveshje e madhe politike dhe institucionale, pasi nga njëra anë duhet garantuar vazhdimësia e shërbimit, nga ato gjykatës dhe prokurorë që janë anatemuar nga politika dhe nga ana tjetër duhet gjetur mënyra se si zëvendësimi i tyre të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse, ose të paktën nëpërmjet një debati konstruktiv. Pra duhet një marrëveshje e madhe e krijuar mbi shtratin e “Patriotizmit Kushtetues”.
Zhvillimi ekonomik i mbështetur mbi Reformën në Drejtësi. Komuniteti i biznesit, sidomos ai ndërkombëtar, kërkon që vendet ku merr një risk investimi të kenë një Sistem Drejtësie të aftë për të zgjidhur në kohë konfliktet administrative dhe tregtare që mund të lindin. Gjithsesi nuk është se Reforma në Drejtësi në vetvete do të përbënte një stimul për të rritur investimet nga jashtë, pasi ka dhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë direkt mbi vendimmarrjen e investuesit për të zgjedhur një vend apo një tjetër, si për shembull niveli i taksimit, apo barrierat administrative. Vetë komuniteti i biznesit e ka mirëpritur dhe mbështetur Reformën në Drejtësi dhe pse nuk priste rezultate të shpejta dhe kishte një vetëdije që ky proces do të zgjaste.
Integrimi Evropian i mbështetur mbi Reformën në Drejtësi. Në fakt, objektivi i çeljes së negociatave nisur dhe nga tensionimi i klimës politike në vend me shumë gjasë nuk do të realizohet as në qershor e këtij viti. Qeveria shqiptare kishte kuruar vetëm lidhjet me Komisionin Evropian dhe jo me Këshillin e Evropës, që përbëhet nga 28 shefat e shteteve të Bashkimit Evropian (BE). Akti juridik i çeljes së negociatave do Unanimitet. Pas marrjes së rekomandimi të dytë dhe deri më sot, ende Qeveria Shqiptare nuk ka kuruar marrëdhënien me Këshillin e Evropës. Përpos diplomacisë klasike, diplomacia juridike mund të përshkruhet si ndërveprimi dhe marrëdhëniet midis sistemit të drejtësisë sonë me sistemet e drejtësisë së vendeve të BE. Për sa i përket komunikimit, Reforma dhe procesi i Vettingut pa dyshim ka ngjallur interesin e publikut të gjerë dhe është e rëndësishme për komunitetin. Reforma është komunikuar përmes politikës dhe vendimeve të komisioneve të Vettingut, por nevojitet një Zëdhënës i reformës në drejtësi, për ti dhënë fytyrë proçesit dhe rikthyer besimin tek njerëzit.