Ëndër boshe

Astrit Lulushi

Nuk ka gjë më të rëndësishme sesa mirëqenia. Mirëqenia e bën njeriun të qetë, të plotë, të lumtur deri-diku të qytetëruar. Por është njeriu i vendosur në krye të punëve, a një lloj mëkëmbësi, që i bën gjërat qëllimisht të duken të rëndësishme të vështira, për të justifikuar të qenit e vetes ose për të thithur mirëqënien e tjetrit. Kjo është çështje morali për të cilin, loja thotë, të gjithë duhet të përpiqen. Të qënit i moralshëm varet nga vullneti, dhe jo të gjithë kanë sukses. Spinoza shprehet se vullneti nuk është as i lirë e as i lidhur, por është i fortë ose i dobët. Kështu del se morali për disa është i pamundur.
Dhe për ata që pyesin se ç’është morali, pyetja që duhet bërë është: Ç’është njeriu? Kur pyet veten, njeriu tregon vullnetin për të marrë udhën e kërkimit të moralit. Përkundrazi, të flasësh për gënjeshtrat që i gjejmë të domosdoshme për të jetuar apo për përgjegjësira mbi çështje gjoja-të rëndësishme, përgjigja është se njeriu përpiqet të plotësojë realitetin me një botë ideale, e cila mbetet gjithëmonë një ëndërr boshe.