Bregushet e Shaqir Vukaj-Faslisë, ish ambasador në Rusi

Nga Agron Tufa, shkrimtar/

I fundit që i shpërtheu bregushet e veta tek gazeta e frontit komunist ishte Shaqir Vuka – Faslija, ish deputet e ambasador, përfaqësues tipik i zulluve. Nga zbrazja e bregusheve të Shaqir Faslisë mori tahëm (kutërbim) të rëndë tejpërtej transheja e kuqe, dhe ashtu siç e kanë quajtuar veten vetë në kohën e Luftës (civile) “morrat e kuq” komunistë, dmth, brezat baballarë e bij, u sulën të nuhasin si në ekstazë të pëgërat dhe vjelltinën e Shaqirit. Kjo ishte droga, adrenalina e domosdoshme pa të cilën nuk rrojnë gjallë pasardhësit e këtij mutacioni anti(kombëtar).
E reja që na sjell Shaqo Faslija është taze: Spiunët më të rrezikshëm sot në botë janë:
1. Agron Tufa
2. Donald Trump
Vetëm nuk po i vë dot karar, se cili sosh prej nesh është më i rrezikshëm. Gajret bre Shaqo, bre Selman pa bisht…!
Shaqo don të dijë se cili është psedonimi i shkrimeve të mia në shtypin rus, moskovit. Po nuk e thotë për çfarë shkrimesh, çfarë tematike. Le ta sqarojmë ndonjë, që avit turinjtë ta mësojë të vërtetën në bregushet e Shaqos: shkrimet e mia janë të vitit 1999, bash në kohën e luftës së Kosovës (mars 1999). Pseudonimi im ka qenë Elez Isufi, derisa një historiane ia qëlloj, se ky emër ka qenë personazh historik që u dha dërmën serbëve në luginën e Drinit të Zi, në Dibër, vendlindjen time. Ndërsa shkrimi im më i gjatë, i botuar në mars 1999, para datës 24 mars, bombardimit të Beogradit, me titull “Falsifikimi i historisë shkas për spastrime etnike” është me emrin tim real dhe është përkthyer dhe botuar edhe në shqip tek “Rilindja Demokratike”, maj 1999.
Po çfarë bënte zulluja ynë ambasador, Shaqa, në ato ditë dramatike, kur çdo emision lajmesh hapej me Borisllav Millosheviçin? Mu n’ato momente kur ra bomba e parë në Beograd, jo vetëm që Shaqir Bjeto Faslija nuk u pa në asnjë emision, në asnjë gazetë, por mbylli me tutius edhe dyert e ambasadës sonë dhe për një muaj u zhduk. Ka pas frikë trimi, se mos turrmat e përndezura nacionaliste që sulmonin me vezë e sende Ambasadën Amerikane, befas do ndryshonin drejtim dhe mësynin në ambasadën shqiptare… e nëse kjo do të ndoshte vërtete, kush do ta shpëtonte Shaqon me gjithë bregushe!? Shukrt, ia mbathi. Vuri drynin.
Unë nuk i kam fshehur kurrë studimet e mia në Institutin e Letërsisë “A.M. Gorki”, i diplomuar shkëlqyeshëm qysh në vitin e tretë (dmth, dy vjet para mbarimit) me krijimtarinë dhe përkthimin e poetit disident e nobelist rus Josif Brodskijt. Nuk kam fshehur që kam bërë studime pasuniversitare në Institutin e Kulturave Europiane (IEK), i gjeni në çdo CV time zyrtare. As faktin se kam dhënë mësim në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (MGIMO), ku kam dhënë për rreth 5 vite Gjuhë shqipe, praktikë gjuhe, Folklor shqiptar e Letërsi shqipe, bash në ato vite kur në atë Institut studionte një grup i shkëlqyer studentësh shqiptarë. Më zgjodhën mua dhe jo Shaqirin për atë punë, se unë kisha një fakultet filologjik të kryer në Tiranë, ndërsa Shaqja recitonte dhe atëherë citatet e shokut të tij Enver. Mund të kisha vazhduar, pasi pata konsoliduar një katedër të shqipes në Dep. e Europës Juglindore, por me të mbaruar studimet, u ktheva në atdhe, ku kam përkthyer nga letërsia më e mirë ruse, e panjohur tek ne, aq shumë libra, sa të mbuloj këmbë e krye 20 Sha-qira! Nëse Shaqo Faslia me bregushe kërkon të dijë se kush më ka paguar, atëherë le të shkojë në MGIMO dhe të konsultojë veprimet financiare çdo fundmuaji. Sigurisht me ato para libra blija, shkoja në teatër, opera, aventura etj, gjëra të cilat Shaqo Faslia as mundej, as u merrte erë, se s’kishte i gjori haber.

Ndërsa unë, po kursehem me Shaqir Vukën. Thjesht po i kujtoj se nuk mund të lindte ndryshe një njeri si ai, i rritur nën hijen e të atit kriminel. Krimet, mizoritë në shtypjen e kryengritësve malësorë të Kelmendit dhe Koplikut, që janë aktet më të para e më madhështore të kundërshtimit më armë të diktaturës më famëkeqe të shekullit, këto krime i ka kryer i ati, Bejto Faslia me shokë. Vrasjet, pushkatimet, torturat e priftërinjve katolikë – këtyre martirëve të lirisë – kanë për autor duart e të atit, andaj i biri nuk mund të mendojë ndryshe nga vazhda e gjakut që la pas i ati. Shaqir Vukaj Faslia është trashëgimtar i asaj linjë kainiane që vranë vëllezërit e tyre, dhe këta vrasës duan të na i paraqesin si heronj. Vrasësi mbetet vrasës, shëtueshëm, i përlyer me gjak, duke përgatitur listat e arrestimeve dhe bografive për banja të reja gjaku shqiptar.
Le të llomotisin pa fund Brahot, Tarifët dhe Vukajt. Ato le të çirren e të shpifin. Unë kam një epërsi: dokumentin kresë! Le të flasë ai në flagrancë, si kjo listë që bënte dikur i ati i Shaqir Vukës, Bejto Faslija, Komandant i Qytetit të Shkodrës së martirizueme. Gjykoni vetë se kush flet:

Ushtrija N.Ç. Shqipatare V.F.L.P
Komanda e Qytetit Koplik Koplik me 15/3/1945.-
Nr. 13. III. Res

Komandës së Qarkut

Përgj. Urdh. Nr. 63/12 Res datë 1/3/1945. –

Këtu poshtë ju parashkruajmë raportin me shënimet e kërkueme mbi t’arratisunit politik të këtij rajoni (tue lanë jasht edhe 16 t’arratisun të Kelmendit për të cilët kemi kërkue nga Kom Vendit atjeshme për me na skjarue dhe do ju raportohen po sa të kemi marrë informatat e duhuna). –

1. – Nik Gjeloshi Kastrat. – Ka kenë Togër i Milicisë Fashiste. Në kohët e fundit ka kenë bashkue me grupin Indipendent dhe ka kenë nji ndër kryetarët në Malsi. Dallaverexhi i përsosun, ka mbajtë lidhje të ngushta me reaksionin ka kenë nji ndër Kryetarët për organizimin e sulmit të Lleshit. Arsyeja e arratisjes së tij asht: marrja pjesë në sulmin e Lleshit. –

2. – Nikollë Preka – fashist i dorës së parë, mik i ngushtë i Kol Bibës, Toger Milicije, spiun, provokator i luftës së Reçit, ka ba pjesë tash së fundi me Legalitetin bashkë me Llesh Marashin, Nikollë Prekën e Nik Gjeloshin kanë organizue sulmin e Koplikut. Arratisë qysh me shlirimin e Qarkut të Shkodrës. Arsyeja e arratisjes: spijun. –

3. Dom Nikollë Gazulli, – prift, fashist i dorës së parë, spiun. Ka kenë gjithmonë kundra lëvizjes. Ka ba ç’mos me na sabotue, me predikime qi ka mbajtë në kishë me spionazhe sa ka mujt atij. Ky bashkë me Llesh Marashin, Nikollë Prekën e Nik Gjeloshin kanë organizue sulmin e Koplikut. Arratisë qysh me shlirimin e qarkut të Shkodrës. Arsyeja: spijun. –

4. – Pjetër Gjok Doda. – Bajraktar i Shkrelit. Njeriu usullesh, ka sabotue mjaft lëvizjen në Shkrel. Asht bashkue me Llesh Marashin kuer ky ishte Komandant Qarku në Shkodër. Asht arratisë bashkë me Lleshin. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: bashkëpuntor’ i Lleshit.-

5. – Mirash Gjoka. – Ka kenë mik i ngushtë i Shaqir Omarit, ka ba pjesë në Milici, ka kenë spiun, asht arratisë bashkë me priftin Dom Nikollë Gazullin. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: bashkëpuntuer i Dom Nikollë Gazullit.

6. – Llesh Marashi. – Organizator’ i reaksionit në Malsi të Madhe arratisë qysh në shlirimin e qarkut të Shkodrës. Arsyeja e arratisjes: bashkëpuntuer i Ballit, Legalitetit, Grupit Indipendent dhe Gestapos. –

7. – Rrok Konti – i nipi i Lleshit. Asht arratisë bashkë me axhën, pse nip i tijë.

8. – Ndue Gjeloshi – edhe ky nip i Lleshit. Asht arratisë bashkë me axhën pse nip i tij.

9. – Vat Gjeloshi – nip i Lleshit. Asht arratisë bashkë me axhën pse nip i tij.

10. – Prek Leka – dallaverexhi i dorës së parë, bashkëpuntor e mik i ngushtë i Llesh Marashit. Asht arratisë me shlirimin e qarkut të Shkodrës. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: bashkepuntuer i Lleshit.

11. – Pashko Leka. – Edhe ky si i sipërmi, mik e bashkepuntuer i Llesh Marashit. Asht arratisë me shlirimin e qarkut të Shkodrës. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: bashkpunetuer i Llesh Marashit.

12. Luket Marashi. – Dallaverexhi. Tip bajraktari, mik i ngushtë e bashkepuntuer i Llesh Marashit. Ka hapë parrulla e ka ba agjit. e prop. Ka tradhtue partizanët kuer kanë shkue me rrethue Llesh Marashin. Ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut. Arsyeja e arratisjes: marrja pjesë në sulmin e Koplikut.

13. – Prel Frani. – Dallaverexhi, ka pasë lidhje të ngushtë me reaksionin e sidomos me Llesh Marashin, ka ba agjit e prop, ka hapë parrulla, ka marrë pjesë në sulmin e Koplikut e te Ura e Rrjollit. –

14. – Palok Luketa. – Ka shkue gjithnjë mbas babës së vet, Luket Marashit, ka marrë pjesë në luftën e Grishajvet, në Bajzë, Koplik e Ura e Rrjollit. – Asht arratisë bashkë me babën e vet. –

15. – Ded Luketa. – Ka shkue gjithnjë mbas babës së vet. –

16. – Fran Luca: Dallaverexhi, ka pasë lidhje të ngushta me Llesh Marashin, ka ba agji e prop , ka marrë pjesë në sulmin e Bajzës e të Koplikut. Asht arratisë së bashku me Llesh Marashin. –

T’arratisun ordiner nuk kemi në rajonin t’onë. –

Komisar’ i Qytetit Komandanti i Qytetit

(Çun Jonuzi) (Bejto Faslija)

Oficerit Mbrojtjes Popullit Shkodër
Këshillit N. Ç. të Nënprefek. M. Madhe Këtu

Ju paras

htrohet si ma sipër, e si në gjegje të shkresës
Nr. 144 datë 13/3/1945 të Këshillit N.Ç. të Nënpref. M. Madhe.

Komisar’ i Qytetit: Komandant i Qytetit

(Çun Jonuzi) (Bejto Faslija)
Vula, firma

No photo description available.

No photo description available.