3 poezitë e Agollit: “Natyrë, të lutem, më bëj një të mirë, hiq nga kjo botë farmacitë e pështirë!”

Nga Aranit Muraci /

Poezi të tjera të zgjedhura nga krijimtaria e shkrimtarit dhe poetit të madh Dritëro Agolli janë botuar në shenjë kujtimi, respekti dhe nderimi me rastin e 2-vjetorit të largimit nga jeta të shkrimtarit të madh. Por dy poezi të rrallë, që ndoshta nuk janë publikuar asnjëherë, kanë tërhequr vëmendje dhe janë shoqëruar me shumë interes nga lexuesi.

“Mblidhen harabelët”, mes të shumtave poezi të viteve ‘80 , dorëshkruar në një fletore shkrimi me logon Rilindja-Prishtinë. Vajza e shkrimtarit mendon se nuk është botuar asnjëherë, “mbetet për ta verifikuar gjithsesi”, pohon Elona Agolli .

Dhe dy poezi të vitit 1988; që e shkroi në prag të këmbimit të sistemeve, janë dy poezi mesa duket të fshehura e të pabotuara.

Janë vitet e kritikës së tregimeve Nipi Plangprishës apo Martesa e papritur e Pasho Velçanit (1986).

 

Lutje natyrës

Natyrë,

Ftomë në gjirin tënd ngaherë,

Merrmë e prishmë prehje e paqe,

Thirrmë në vapë e në shi, në zheg e në erë,

Se s’dua të ble farmacive ilaçe.

 

Natyrë,

Hiqmë nga farmacitë një orë e më parë ,

Ndamë nga diagnozat e shtira,

Që na caktojnë ca njerëz të marrë

Me frymë të ndotura dhe të pështira…

 

Natyrë,

Këto farmaci janë të shpikura në jetë,

Ato në vend të ilaçeve kanë fjalime të paketuara,

Që i pimë për t’u bërë të qetë

Ndaj halleve të trazuara…

 

Natyrë,

Të lutem, më bëj një të mirë,

Më hiq nga kjo botë, farmaci e pështirë!…

1988

***

Të lindet fëmija

Të lindet fëmija, pa emrin ia gjejmë brenda një dite!

Po prapë kjo s’është një punë aq e lehtë,

Se emrin njeriut ia vemë ta mbajë me vite,

Se emrin njeriut s’ia ndërrojmë si shkronjën në letër.

 

Për nënën emri ka pak rëndësi në çastet e dhimbjes,

Madje dhe mendja tek emri s’i vete,

Mbi nënën ngrihet flaka e lindjes,

Dhe flaka e merr me vete.

 

Po prapë emri s’është një punë aq e lehtë,

Se vjen pas një flake që del nga zemra dhe hyn në zemër,

Ndaj nëna kërkon që fëmija në jetë

Emër të ketë dhe të bëhet me emër …

1988

 

***

Mblidhen harabelët

Mblidhen harabelët vetëm me një cicërimë,

Mblidhen tufë e çepkasin grimëza e fletë,

Pastaj të gjithë largohen e krahët në gjeth fërfërijnë

E çukasin me sqepat e mprehtë.

 

Si mblidhen harabelët e vegjël pa ftesa?!

Si shkojnë secili pa urdhër në punët e tyre

Dhe s’duan as lajmërime, as shkresa,

Dhe s’kanë nevojë për shefa e përgjegjësa zyre?

 

Ne, njerëzit , bëjmë mijëra shkresa me vula

Me mijëra firma me shkronja si vemje,

Me mijëra zarfa me numëra e pulla

Dhe prapë mezi na shtyjnë këmbët në mbledhje.

 

Çudi! harabelët bëjnë në shesh miting menjëherë

Pa shkresa , vetëm me një cicërimë

Dhe janë në mbledhje plot shend e verë,

Ndërsa ne , njerëzit , mërzitur mbledhjeve rrimë.

1985

more recommended stories

loading...