753 pes – Romuli themelon Romën, sipas traditës, duke u bërë mbreti i parë romak

753 pes – Romuli themelon Romën, sipas traditës, duke u bërë mbreti i parë romak. Historia e Romulit, vëllait të tij binjak Remi, dhe themelimi i Romës është një nga legjendat më të njohura në lidhje me qytetin e Përjetshëm, e cila tregon se si Perëndia Mars u bashkua me virgjëreshën Rea Silvia, bijë e një mbreti të rrëzuar. Nga ky bashkim lindën njëherësh Romuli dhe Remi; dhe mbreti dha urdhër që binjakët të hidhen në lumin Tiber. Kur shporta me dy foshnjet ngeci në shkurre pranë bregut një ulkonjë i gjeti dhe i ushqeu derisa bariu Faustulus i mori në shtëpinë e tij. Kur u rritën, Romuli dhe Remi mësojnë se ishin bijtë e Marsit dhe Reas, si dhe profecinë se ishin destinuar për të patur qytetin e tyre – këtu lindi rivaliteti; Romuli vret vëllanë dhe qytetit mori emrin e tij, Romë.

Por rreth krijimit të Romës ka edhe një tjetër legjendë: Në fund të luftës së Trojës qyteti u shkatërrua, burrat u vranë, gratë u bënë skllave, disa trojanë mundën të iknin, mes tyre princ Enea, djali i Perëndeshës Venus dhe njeriut Anshiu. Ndërsa Troja po digjej, Enea la qytetin, me të birin, Askan, dhe pasuesit e tyre. Pas shumë aventurash e vështirësish, trojanët mbërrijnë në Laurentum në bregun perëndimor të Italisë, ku Enea martohet me Lavinian, bijën e mbretit të zonës, Latinus, dhe themelon qytetin, të cilin e quajti Lavinium, për nder të gruas së tij. Ndërsa Askani, bir i Eneas, vendosi të ndërtonte një qytet të ri, e quajti Alba (Longa) dhe malin afër, Alban – pranë do të ndërtohej Roma. Lind pyetja: Kush është themeluesi i Romës – Romuli apo Enea? Kato, historian, filozof, në fillim të shekullit të dytë pes, pranon idenë e Eratosthenit se midis themelimit të Romës (shek. VIII pes) dhe rënies së Trojës (shek. XII pes) qëndrojnë 400 vjet – 16 breza – dhe ai kombinoi të dy historitë për të dalë me atë që është versioni i pranuar, ku Romuli s’mund të jetë nipi i Eneas, biri i Askanit, por te paktën të duket se është pasardhësi i largët i heroit trojan.