1866 – Në Sheper, Zagori, Shqipëri, lindi Andon Zako Çajupi

1866 – Në Sheper, Zagori, Shqipëri, lindi Andon Zako Çajupi, avokat me pak sukses; por poet, dramaturg i shquar, veprimtar patriot i madh, dhe demokrat. Jetoi dhe vdiq ne Egjipt më 1930. Çajupi ishte i pasur dhe kjo e ndihmoi t’i përkushtohej poezisë, të shkruante edhe për varfërinë si diçka që e bën njeriun të pavarur dhe të shijojë lirinë.

Liria dhe Varfëria
(Çajupi)

Jam i varfër, po i lirë,
ndaj më pëlqen varfëria;
kush do të rrojë më mirë,
s’urdhëron dot veten e tia.
Mbreti, sikur të më thotë:
«Hajde në pallat me mua,
të gëzosh dhe ti në botë,
do t’i them: Zot, nukë dua;
për të ngrën’ e për të pirë
nukë mund të shes lirinë;
i varfëri rron më mirë
s’ai që do madhërinë.
S’më duhet ergjëndi mua,
dua lirinë dhe nderë,
dua të bëj si të dua,
jo si të duan të tjerë
Kush mund e bën si do vetë,
bën si thotë Perëndia,
nukë ka në këtë jetë
gjë m’e vyer se liria.