1692 – Fillon Gjuetia e shtrigave – histeria që përfshiu fshatin Salem

1692 – Fillon Gjuetia e shtrigave – histeria që përfshiu fshatin Salem, Masaçusets, ishte mbjellur në janar, kur një grup vajzash të reja filluan të shfaqnin sjellje të çuditshme; konvulzione, qeshje pa shkak, ulërima blasfemuese dhe ekstazë. Mjekët që u thirrën për të ekzaminuar vajzat nuk mundën të shpjegonin se ç’po ndodhte. Në shkurt, të gjithë banorët e fshatit filluan të luteshin dhe agjëronin për të shpëtuar nga ndikimi i djallit. Vajzave iu bë presion të tregonin; njera, pranoi se e kishte parë djallin herë si derr dhe herë si qen të madh; por më shqetësuesja që ajo tregoi ishte mbi një konspiracion magjistaresh ose shtrigash në Salem. Kështu filloi “gjuetia e shtrigave” gjatë së cilës shumë gra u akuzuan, u hetuan, u gjykuan dhe u dënuan me vdekje. Në pak muaj (shkurt – shtator) 19 vajza u varën, njëra vdiq nën peshën e gurëve, 4 vdiqën në pritje të gjykimit. Në fund të vitit, me urdhër të guvernatorit kolonial, gjykata u shpërnda dhe gjyqet u ndërprenë.