1946 – Maliq Bushati (66 vjeç) ekzekutohet nga një skuadër pushkatimi

1946 – Maliq Bushati (66 vjeç) ekzekutohet nga një skuadër pushkatimi tek e ashtuquajtura kodra e Priftit, afër Tiranës, trupi i tij u mbulua në një varr pa emër. Bushati ishte kapur tradhëtisht nga komunistët më 1945 në Shkodër ku qëndronte i fshehur. Një ditë më pare, më 14 shkurt 1946, Maliqi ishte dënuar me vdekje nga një gjykatë e posaçme, së bashku me Lef Nosin dhe Anton Harapin nën akuzat për bashkëpunim me pushtuesin. Maliq Bushati vinte nga fisi i njohur i Bushatllinjëve të Shkodrës. Pjesmarrës i herëshëm në lëvizjen kombëtare, gjatë viteve 1920 – 30 ai kishte qenë deputet në parlament në grupin e opozitës. Urrejtja ndaj mbretit Zog bëri që në prill 1939, Bushati të shprehej në favor të pushtimit italian, dhe shërbeu më pas si ministër i Brendshëm në qeverinë e Shefqet Vërlacit (një tjetër kundërshtar i Zogut).