1984 – Në Stamford, Konektikat, vdiq Gjon Mili

1984 – Në Stamford, Konektikat, vdiq Gjon Mili, fotograf i shquar shqiptar dhe amerikan. Kishte lindur në Korçë më 28 nëntor 1904. Erdhi në Amerikë kur ishte 19 vjeç dhe fotografia ishte pasioni i tij. Studioi në Boston në MIT (Massachussests Institute of Technology). Në albumin e tij “Photografs & Recollections” Gjon Mili tregon se, më 1949, revista Time e ngarkoi atë me detyrën për të realizuar një seri fotografish me personalitete të njohura në Evropë. Fotoja e parë në këtë kuadër ishte piktori francez Raul Dufy, ku ai kishte dalë duke pikturuar, ndërsa peneli mes gishtave të deformuar nga artriti gati sa nuk i binte nga dora. Këtë fotografi e pa një mjek i njohur në Boston, i cili u interesua që Dufy të vinte për trajtim në Amerikë, ku atëherë sapo kishte dalë ilaçi i ri Kortizon, në atë kohë i provuar dhe i sukseshëm kundër artritit. Pas kurës, Dufy u përmirësua si fizikisht, ashtu edhe shpirtërisht, “ndërsa unë bëra një mik të mirë”, tregon Mili. Atë vit, gjatë shërbimit të tij në Evropë, Gjon Mili u njoh e fotografoi edhe shumë artistë të tjerë të shquar, duke përfshirë piktorin Henri Matis, violinçelistin Pablo Kasal, i cili ashtu si spanjolli tjetër, Pikaso, jetonte në atë kohë në mërgim në Francë, në shenjë proteste ndaj regjimit të Frankos.