1938 – Gazetat e Budapestit njoftojnë se Kontesha Geraldine Apponyi pritet të fejohet

1938 – Gazetat e Budapestit njoftojnë se Kontesha Geraldine Apponyi pritet të fejohet me Mbretin e Shqiptarëve, Ahmet Zogu, 43 vjeçar. Të nesërmen, oborri mbretëror shqiptar e konfirmoi këtë lajm. Kontesha 22 vjeçare, bija e kontit të ndjerë Gyula Apponyi, ish-oficer hungarez dhe e Virginia Stewart, bija e një diplomati amerikan, ishte katolike dhe punonte në Muzeun Kombëtar të Budapestit kundrejt një pagese të vogël. Lajmi botohet pasi Zogu dhe Geraldinë e kishin pëlqyer njeri-tjetrin. Geraldine ishte takuar me Mbretin Zog në dhjetor 1937, me ndërmjetësimin e motrës së monarkut. Geraldine shkoi në Shqipëri dhe brenda disa ditësh çifti u fejua. E njohur si Trëndafili i Bardhë i Hungarisë, në prag të marteses, Geraldine u ngrit në statusin mbretëror si Princesha Geraldinë e Shqipërisë. Ajo u bë mbretëreshë e shqiptarëve dhe deri në fund ndau fatin e të shoqit, në ditë të mira a të vështira. Pas vdekjes së Zogut, Geraldine preferoi të njihej si Nëna Mbretëreshë. Në qershor 2002, ajo kthye nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, ku edhe vdiq më 22 tetor 2002.