Si i zgjidhte Enver Hoxha kryeprokurorët e sistemit

Në 45 vite të regjimit komunist të Enver Hoxhës, Shqipëria pati 6 kryprokurorë të Përgjithshëm, që gjykuan dhe pushkatuan me gjyq apo pa gjyq mijëra vetë. Në kushtetutën e vitit 1976, neni 106 i saj përcaktonte se, “Prokurori i Përgjithshëm dhe zëvendësit e tij emërohen në sesionin e parë të Kuvendit Popullor. Prokurorët emnërohen nga Presidiumi i Kuvendit Popullor”, raporton faktor.al Kreu i IV i kushtetutës i dedikohet prokurorisë së Përgjithshme. Por kush kanë qenë kryeprokurorët?
Në 1945 i pari kryeprokuror i vendit pas luftës së Dytë botërore ishte Bedri Spahiu. 37-vjeçari Spahiu pa ndonjë eksperiencë dhe as arsimin e duhur në fushën e drejtësisë çoi në vdekje intelektualët dhe deputetët shqiptarë dhe zbatoi porosinë e dënimit të Koçi Xoxes. Sapo Bedri Spahiu mbaroi misionin e ngarkuar, Enver Hoxha e shkarkon, e akuzon dhe e burgos prokurorin e sistemit. Pasardhësi i tij do të ishte Josif Pashko që drejtoi prokurorinë e Përgjithshme për disa vjet dhe mbahet mend për vazhdimin e “gjyqit special” të nisur nga Bedri Spahiu në vitin 1947. Pashko u zëvendësua me marifetin e ngritjes në detyrë, dhe në vend të tij postin e mori Siri Çarçani që kreu të gjithë gjyqet kundër personave dhe grupeve të desantuara në Shqipëri për të rrëzuar komunistët. Më i egri nga prokurorët e përgjithshëm do të ishte pasardhësi i Çarçamot, Arianit Çela, një sadist i vërtetë. Në vitet e ’90 ai u akuzua në lidhje me dënimet e rënda që kishte dhënë gjatë kohës që drejtonte Gjykatën e Lartë. Prokurori i pestë në regjimin komunist do të ishte Dhori Panariti. Ai është akuzuar së bashku me shumë të tjerë që kanë dhënë dënime politike gjatë kohës që ka drejtuar organin e akuzës. Një nga personat që ka drejtuar për në kohë të gjatë organin e akuzës, dhe prokurori i fundit i regjimit komunist ka qenë Rrapi Mino, e cili drejtoi akuzën ndaj “grupit armiqësor” të Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut, në vitin 1982, si dhe për dënimet e rënda që jepte për “armiqtë e Partisë”. Rrapi Miho do të arrestohej në vitet ’90 me akuzën për krime kundër njerëzimit së bashku me ish-kryetarin e Gjykatës së Lartë, Aranit Çelën dhe ish-shefin e Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizin, raporton faktor.al

Bedri Spahiu
Ka lindur më 13 korrik 1908 në qytetin e Gjirokastrës. Ai u vu në postin e Prokurorit të Përgjithshëm me gradën gjeneral major. Kërkoi me dhjetëra dënime me vdekje në gjyqin special të 1945-ës, në gjyqin e deputetëve më 1947 dhe në gjyqin e Koçi Xoxes më 1949.
Siri Çarçani
Është një nga prokurorët e Përgjithshëm në periudhën e sistemit komunist dhe ka zënë vendin e Bedri Spahiut. Ka qenë në krye të organit gjyqësor deri në momentin që në këtë post erdhi Josif Pashko.
Josif Pashko
Pas Siri Çarçanit, në krye të prokurorisë vendoset Josif Pashko, një kuadër i vjetër Lufte, por edhe një hetues me përvojë dhe karrierë të gjatë pune në gjykata të ndryshme.
Aranit Çela
Është një nga kryeprokurorët më kriminel në regjimin e kaluar, pasi nën drejtime tij janë shumë gjyqe, që janë cilësuar politike. Largohet si kryeprokuror, pasi kalon në Gjykatën e Lartë.
Dhori Panariti
Një tjetër kryeprokuror në regjimin e realizmit socialist është dhe Dhori Panariti, i cili zuri vendin e Aranit Çelës, kur ky i fundit u bë kryetar i Gjykatës së Lartë, post që e mbajti deri në vitin 1982.
Rrapi Mino
Më 23 nëntor te vitit 1982, me urdhër të Kuvendit Popullor të Shqipërisë Rrapi Mino emërohet prokuror i Përgjithshëm i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, post të cilin e mbajti deri në fund të viteve ’80, ku zëvendësua nga Petrit Seriani.

*Pjesa më e madhe të dhënave janë marrë nga studiuesi, Armand Jonuzi.