Të vetmit që po na gënjejnë jemi NE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duket se i është dorëzuar nevojave elektorale dhe frikës së tij fiziologjike në raport me marrëdhëniet me Greqinë. Nga darka “e bukur” me homologun e tij grek, Mitsotakis, ka dalë lajmi jolajm se Shqipëria mendon se ndarja e kufirit detar mes dy vendeve duhet arbitruar nga një gjykatë ndërkombëtare. Është një marrëveshje që është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Jam besimplotë që jemi në rrugën e duhur. Kemi zhvilluar një dialog intensiv me qeverinë e shkuar për çështje që duhen shqyrtuar dhe zgjidhur, pasi herë as herë kthehen në çështje të nxehta, ndërkohë që janë vetëm çështje të thjeshta në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Që kjo të çështje të mos përdoret nga forca të errëta kundër të dyja vendeve, kam një ide shumë të thjeshtë që e kam paraqitur më parë. Kur bëhet fjalë për çështje detare të mund ta zgjidhim me ndihmën e të tjerëve, që do të thotë përmes një pale të tretë, ose akoma më mirë nëpërmjet gjykatave ndërkombëtare. Kjo do të jetë e drejtë, objektive dhe nuk mund të përdoret nga patriotët. Imagjinoni, kryeministri i Greqisë fliste në parlament për një të drejtë legjitime të Greqisë, mbështetur në konventën ndërkombëtare për të shtritë kufijtë e vet detarë me 12 milje dhe shndërrohet në çështje në rrjetet sociale në Shqipëri dhe në qarqet politike në Shqipëri

citohet z. Rama të jetë shprehur në një forum të organizuar nga “The Economist”.

Ky qëndrim pasqyron asgjë më shumë sesa faktin se politika e jashtme e Shqipërisë, të paktën për çështjet më sensitive nuk përcaktohet nga ndonjë plan apo strategji, por nga përshtatja me rrethanat. Për çështje në fjalë, z. Rama autorizoi një grup negociimi të drejtuar nga ish-ministri I Jashtëm, Ditmir Bushati, që arriti deri në parashtrimin e disa piketave bazë. Problemi kryesor me këtë marrëveshje këtu është se nuk ka realisht ndonjë bllokim që lidhet me çështje teknike, por me paranojën e politikës shqiptare për të mos marrë përgjegjësi për ta zgjidhur atë në tryezë të drejtpërdrejtë bisedimesh.

Ideja e kalimit të marrëveshjes në Hagë është e vjetër dhe zyrtari i parë i lartë që e ka artikulluar atë publikisht, është ish-ministri i Jashtëm, Edmond Panariti në një intervistë të vitit 2012 për gazetën “Shekulli”. Më tej akoma, ish-kryeministri Sali Berisha, e ka artikuluar atë shpesh së fundmi, duke arritur që në nivel propagandistik të imponojë një mënyrë të menduarit dhe reaguari nga qeveria e Liderit të Ballkanit. Në një intervistë për gazetën “Standard” të datës 5 shtator, z. Berisha ndër të tjera ka thënë:

Zografi bis gjeti gati çdo gjë për të zgjidhur çështjen me Gjykatën Ndërkombetare të Detit dhe në rast se do vazhdonte me ujdinë e arritur për të dërguar çështjen në gjykatë, problemi do të kishte marrë prej kohësh zgjidhjen më të mirë dhe nuk do te kishim sot një situatë krejt tjetër

Është pikërisht ajo që ka deklaruar z. Rama sot, duke i iku negociatave me Greqinë. Por sjellja e kryeministrit implikon edhe vetë faktin nëse lëshimi bëhet thjesht dhe vetëm për konsum të brendshëm. Zoti Rama udhëtoi drejt Athinës pasi u takua me presidentin turk dhe ajo që ai ofron sot me arbitrazhin është në fakt shtyrje në kohë e arritjes së një marrëveshjeje duke e ndihmuar praktikisht Turqinë. Sot Turqia dhe Shqipëria janë në fakt të vetmet vende me të cilat Greqia nuk ka marrëveshjen për kufijtë detarë, por nëse në raport me Ankaranë problemi është shumë i ndërlikuar dhe specifik, me Shqipërinë një kompleksitet i tillë nuk ekziston. Ajo që ekziston është Shqipëria si element diversiv për të mbajtur hapur disa kriza dhe tensione artificiale. Në këtë kuptim, kur z. Rama flet dhe pretendon se ka një strategji ndaj Greqisë, në të vërtetë ai po zbaton kërkesat strategjike të Turqisë duke bërë lëshime që në thelb nuk është se cenojnë ndonjë gjë të madhe, por ama zbulojnë rreshtimin e vendit tonë. Rreshtim që nuk shihet se në këmbim të çfarë gjëje bëhet. Zoti Rama frekuenton ambiente politike dhe është në kontakt me njerëz që janë të mirëinformuar për synimet dhe detyrimet e tij, ndaj nëse ka sot një gjënjeshtër, ajo është vetëm Gjënjeshtra që thuhet ndaj shqiptarëve. Për fat të keq.

SKERDILAJT ZAIMI