CDC: Vaksina të mjaftueshme për të mundësuar kthimin në normalitet

Do të ketë doza të mjaftueshme të vaksinës antiCOVID-19 nga mesi i vitit 2021, në mënyrë që SHBA t’i kthehet normalitetit, tha sot kreu i Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), Robert Redfield, gjatë dëshmisë në Senat.

“Vaksinimet do të fillojnë në nëntor ose dhjetor të këtij viti, por dozat do të jenë të kufizuara dhe do të duhet të përcaktohen me përparësi”, tha ai para komitetit të Senatit për Hetimin e Përgjigjes ndaj COVID-19, duke aluduar për punonjësit në frontin e parë të kujdesit shëndetësor dhe për më të prekshmit.

“Nëse po më pyesni se kur do të jenë në dispozicion për publikun e gjerë amerikan, që ne të mund të fillojmë të përfitojmë nga vaksinat për t’iu kthyer jetës sonë normale, mendoj ndoshta nga fundi i tremujorit të dytë, në tremujorin e tretë 2021”, vazhdoi Redfield.

Drejtori i CDC-së theksoi, gjithashtu, nevojën e përdorimit të maskës, duke i konsideruar ato një mjet të rëndësishëm dhe të fuqishëm të shëndetit publik, që mund të funksionojnë edhe më mirë në mbrojtjen e njerëzve nga koronavirusi i ri, sesa vaksinat./