Autorët e atentatit donin të vrisnin dy zogj me një gur, Gjinin bashkë me kushëririn e tij

Gazetari Elton Qyno ka deklaruar se autorët e atentatit ndaj Preng Gjinit kanë dashur të vrasin dy zogj me një gur. I ftuar në studion e “Repolitix”, Qyno tha se shënjestra kryesore ka qenë vetë Preng Gjini por në të vërtetë autorët kanë dashur t’i zhdukin të dy personat që kanë qenë në makinë. Pra, Gjinin dhe kushëririn e tij, Fatjon Dautaj.

“Pse mos ta themi që autorët kanë dashur që me një gur të vrasin dy zogj. Ata janë djalë halle dhe djalë daje me njëri-tjetrin. Shënjestra ka qenë Preng Gjini, por ata kanë dashur që t’i eliminojnë të dy. Pse mos ta them këtë gjë. Por shënjestra kryesore ka qenë Gjini,”– tha Qyno ndër të tjera.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbërmjen e djeshme pranë Urës së Nisharakut në Tiranë. Preng Gjini mbeti i plagosur rëndë, pasi makinës së tij iu vu tritol. Ai ra pre e atentatit me tritol, teksa udhëtonte me automjetin e llojit Mercedez Benz, të tipit “A Class”.
Bashkë me të kanë mbetur edhe dy persona të tjerë të plagosur, të cilët ndodheshin rastësisht pranë mjetit kur ndodhi ngjarja. Policia dyshon se ngjarja e rëndë ka ndodhur për hakmarrje dhe ka nisur punën për kapjen e autorëve të atentatit. Preng Gjini është vëllai i Armando (Tonin) Gjinit, ish-ushtari i Met Kananit që u ekzekutua në Rrëshen.