Kina| Vaksina anti-Covid në nëntor do jetë gati për qytetarët

Vaksinat kundër virusit Covid-19 që po zhvillohen në Kinë mund të jenë gati për përdorim nga qytetarët në muajin nëntor.

Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë të Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Kina ka katër vaksina Covid-19, të cilat janë në fazën përfundimtare të provave klinike. Të paktën tre prej tyre u janë ofruar punëtorëve në disa sektorë specifikë në bazë të një programi emergjent të nisur në muajin korrik.

“Provat klinike në fazën e III-të po vazhdojnë normalisht dhe vaksinat mund të jenë gati për qytetarët në muajin nëntor ose dhjetor”, tha të hënën eksperti kryesor i biosigurisë në CDC, Guizhen Ëu në një intervistë për TV shtetëror.

Ëu, e cila deklaroi se nuk ka përjetuar ndonjë efekt anësor në muajit e fundit pasi testoi personalisht një vaksinë eksperimentale në muajin prill, nuk specifikoi se cilës nga vaksinat i referohej.

Një njësi e gjigantit farmaceutik shtetëror, China National Pharmaceutical Group (Sinopharm) dhe Sinovac Biotech të listuara në SHBA, po zhvillojnë tre vaksina nën programin e urgjencës së shtetit. Një vaksinë e katërt Covid-19 që po zhvillohet nga CanSino Biologics u miratua për përdorim nga ushtria kineze në muajin qershor.

Sinopharm deklaroi se në muajin korrik vaksina e saj mund të jetë gati për përdorim publik deri në fund të këtij viti dhe pas përfundimit të provave të fazës së III-të.

Prodhuesit global të vaksinave po garojnë për të zhvilluar një vaksinë efektive kundër virusit, i cili ka vrarë më shumë se 925.000 persona.

Prodhuesit europianë të vaksinave u zotuan në fillim të këtij muaji të mbanin standardet e studimit shkencor dhe të refuzonin çdo presion politik për të nxitur procesin.