Eksperti Haxhimali: Ligji për ndarjen në katër rajone ua ndërlikon punën bashkive

Ndarja e re territoriale me 61 bashki e miratuar në vitin 2014, me synim decentralizimin dhe uljen e kostove të larta të bashkive, nuk ka dhënë efektet e parashikuara në ligj.

Drejtori ekzekutiv i shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali, thotë se reforma u deformua që në origjinë.

“Reforma është e mirëpritur për të përmirësuar shërbimet për qytetarët, por është deformuar në origjinë. Klasa politike e bëri pa proces konsultimi, pa u dhënë njerëzve mundësinë të bëhen pjesë e procesit. Reforma të tilla quhen reforma madhore”, tha ai.

Kjo ndarje sipas tij, ka përcaktuar edhe orientimin e investimeve pas konfigurimit të pushtetit vendor në 2017.

“Në vitin 2017, konfigurimi i pushtetit vendor pas reformës ishte i tillë. PS kishte shumicën e bashkive, opozita kishte 27-28. Në vitin 2017, Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve ka ndarë fonde, 93% i kanë përfituar bashkitë e majta, 7 bashkitë e djathta. Kjo tregon diskriminimin e ndodhur. Komiteti ka qenë i kontrolluar politikisht dhe investimet shkonin sipas interesave të deputetëve dhe kryeministrit”, tha ai.

Haxhimali tha se reforma i ka shtuar shpenzimet për administratën.

“Sipas raportit të financave vendore, sot 70% e buxhetit të bashkive shkon për paga, sigurime dhe 30% vetëm për investime. Nuk është realizuar ajo që u propagandua. Para reformës kishte rreth 23 mijë punonjës, sot ka 34 mijë në të 61 bashkitë. Nuk mund të bëhen shkurtime operative kur kemi rritur numrin e punonjësve. Janë shpenzime të mëdha”, tha ai.

Ligjin për ndarjen administrative në katër rajone, ai e cilëson joefektiv.

“Nuk është praktik, nuk i shërben institucionit të bashkisë, vetëm ia ndërlikon punën”, tha ai.