Elvin Guri, njeriu që po transformon sektorin e telekomunikacioneve në vend

Për herë të parë qysh nga krijimi i të parës kompani celulare në Shqipëri, një shqiptar bëhet aksioner kryesor i saj. Është Elvin Guri, biznesmeni që qëndron pas këtij shndërrimi mjaft të rëndësishëm.

Telekom Albania zyrtarizoi mbrëmë emrin e ri zyrtar në markës në One, ndërsa do të ketë ndryshime të rëndësishme edhe në strukturën e saj aksionere. Kompania bën të ditur se biznesmeni shqiptar, Elvin Guri, do të bëhet aksioner kontrollues i kompanisë holding Albania Telecom Invest (ATI), që zotëron 99.9% të aksioneve në One Telecommunications.

Sipas informacionit më të fundit zyrtar në bilancin e One, Elvin Guri mban aktualisht 35% të aksioneve në ATI, ndërsa do të blejë edhe 19% të kuotave nga ortaku tjetër, biznesmeni bullgar Spas Rusev, për të arritur në 54% të aksioneve. Ndërkohë, Spas Rusev do të dalë përfundimisht nga investimi në kompani, duke i shitur kuotat e tij tek Atanas Dobrev. Ky i fundit do të ketë 46% të aksioneve. Dobrev është prej vitit 2008 drejtor i përgjithshëm i Vivacom, kompania më e madhe e telekomunikacioneve në Bullgari.

Në korrik të këtij viti, Rusev finalizoi edhe shitjen e paketës kontrolluese të aksioneve në Vivacom te shoqëria hollandeze United Group, në një operacion që preku shifrën e 1.2 miliardë eurove.

Sipas One Telecommunications, ndryshimi forcon fokusin e kompanisë në këtë industri, si dhe objektivat për t’u zgjeruar më tej, për krijimin e një kompanie me prani rajonale, por me rrënjë shqiptare. Sipas One, kjo është dhe një garanci për interesat afatgjata të pronarëve në vend.

Elvin Guri, aksioneri më i madh i ONE Telecommunications, u shpreh se tani lidhja e tij me ekonominë shqiptare forcohet më tej. “Është nder për mua si investitor të jap kontribut për vendin tim. ONE Telecommunications do të bëhet kompania e të gjithë shqiptarëve”, u shpreh ai.

Aktualisht, Elvin Guri është drejtor i përgjithshëm i Empower Capital, fond i profilit private equity, që ka si qëllim investimin në kapitalin e kompanive private, për të mbështetur rritjen e tyre.

Rrjeti i ONE Telecommunications po modernizohet me teknologjinë më të re nga Ericsson, për të mundësuar komunikim sa më të sigurt. Standardet e larta të sigurisë i ka dhënë tashmë statusin e “Kompanisë së Pastër”, në kuadër të nismës “Rrjeti i pastër” të Departamentit Amerikan të Shtetit. ONE Telecommunications është operatori i parë në vend dhe në rajon që meriton këtë vlerësim.

ATI e bleu Telekom Albania, sot One Telecommunications, për 50 milionë euro në fillim të vitit 2019, pasi qeveria shqiptare refuzoi të jepte miratimin për shitjen e aksioneve te ofertuesi më i lartë në tenderin e shpallur nga Cosmote, kompania publike serbe, Telekom Srbija.

Mbështetur në të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në mesin e këtij viti One raportonte 757 mijë përdorues aktivë të telefonisë celulare ose 33.4% të tregut.

Shitjet e One për vitin e kaluar prekën vlerën e 8.47 miliardë lekëve, në rënie të lehtë me 3.7% krahasuar me vitin 2018. Sipas totalit të të ardhurave, One mbante rreth 31% të tregut të shërbimeve të komunikimit të lëvizshëm.

Për vitin 2019, One raportoi një fitim neto në vlerën e 269 milionë lekëve, pasi në vitin e fundit si pjesë e grupit Cosmote pati pësuar një humbje rekord prej 4.7 miliardë lekësh.