REFLEKSION | Mbi Natyrën dhe Funksionin e Dijes

(Një reflektim me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor)

Nga Lirim Sulko

Po e nisim këtë reflektim kësaj pyetje:
Si mund të jesh i rëndësishëm në një ambjent të parëndësishëm?!
Vend i i dijes pa dyshim është Shkolla/Universiteti ku nxënësi /studenti duhet të marrin dijen, e cila me natyrën e saj si e qarkullueshme, e ndershme, kontribuese, i jep mundësi individit/identitetit të bëhet i rëndësishëm në një ambjent të parëndësishëm: dobia e saj nuk është thjesht dhe vetëm personale, por njëkohësisht është publike dhe shoqërore.
Shoqëria jonë, për faktin se nuk ndërtohet mbi fondamente morale-kulturore-institucionale, ka tendencën që të gjithëve të na kthejë në të parëndësishëm: ambjentet e veprimtarive tona janë të parëndësishme, dhe që të jesh i suksesshëm, do të thotë t’i përshtatesh realitetit. Si rezultat prej shkollës/universitetit nuk kërkohet më dije (ajo është e panevojshme) por synohen vetëm statuse.
Në kushte të tilla universiteti/shkolla dhe studenti/nxënësi janë shprehje e tendencës për ta kthyer transhendencën në imanencë: kjo do të mjaftonte që në rastin më të mirë dija të ruhej në inkubator (leksione, tekste, traktate shkencore), sepse në këtë kohë vendin e dijes e kanë zënë lojërat ligjërimore (referuar “Homo ludens”, Huizinga), e që e thënë më shqip ironia (“Poetika e ironisë” P. Schoelche). Por a ka shpresë përgjatë rrugëtimit të dijes: nga holizmi (tradicionalizmi)-pozitivizmi (moderniteti)-performanca (postmodernizmi), si një mundësi që ajo (dija) të mos bjerë në kurthin e parangritur për ti shërbyer pushtetit të radhës, siç M.Fuko dëshmon në “Pushteti dhe dija”?!
Për të konkluduar atë që thashë më lart se si transhendenca ia lë vendin imanencës, ku, më së shumti, në shoqëri të tilla si kjo e jona, pas periudhës sterile të homogjenitetit shoqëror (e projektuar sipas modelit të Njeriut të Ri) ndërtoi simulakrën e transhendencës mbi përfytyrimin e armikut të jashtëm e të brendshëm, ia ka lënë vendin tranzicionit të pafundëm: nuk kemi një elitë intelektuale dhe shtetërore , e vetmja që ka aftësinë inteligjente për të transhendentuar. Me fjalë të tjera për të tejkaluar veten, që tashmë ekziston vetëm e reduktuar në agregatët e imanencës si: imponim-fuqi; durim-klering; shpërfillje-flegmatizëm.
Por dija ka nevojë për dimensionin shpirtëror (disponimin) e siguruar nga profecia dhe arti , si dhe atë mendor (racionalitetin) të siguruar nga filozofia dhe shkenca. Kjo marrëdhënie dyshe është me natyrë asimetrike – profecia dhe filozofia- njëra anë dhe simetrike- shkenca dhe arti-ana tjetër. Janë këto dimensione kaq të rëndësishme që shkolla jonë, siç më lart thamë, i ka braktitsur, duke e bërë të parëndësishëm në të njëjtën kohë ambjentin/mjedisin dhe identitetin/individin ( sipas fjalëve të urta: “Shif e shkruj”; Sipas vendit, kuvendi”; “Ky stan ktë bulmet ka”).
Ndërkohë që shoqëritë perëndimore, tek të cilat ne duam të aderojmë, e kanë kaluar më sukses provën e transhendencës, duke i themeluar elitat e tyre kulturore-shtetërore-politike mbi doktrinën e Kantit, e cila themelin e veprimit të vetes e sheh të transhendimi i saj (vetes), duke e përfytyruar atë si qenie tërësisht racionale, që përtej çdo imanence, i nënshtrohet vetëm arsyes. Imperativi kategorik i Kantit: “Vepro vetëm sipas asaj maksime që që do të pranoje të shndërrohet në ligj universal”, nënkupton që vetja është e tillë, tërësisht rracionale, që nisur nga intersi publik e transhendenton dhe e ripërtërin veten, duke e shkrirë atë (veten) tek publikja.
Formula e dytë mbi të cilat shoqëritë e qytetërura perëndimore realizuan suksesin, është më siguri ajo e Hegelit, ku kapërcimi dhe transhendimi janë akti bazë i mendimit të tij për të bërë të mundshme vetëdijen dhe njohjen. Duke e thjeshtëzuar pa masë mendimin e Hegelit, mund themi se ajo manierizon po ashtu si Kanti mundësinë e transhendimit të vetes (si filozof) në raport me shkallët e njohjes dhe shfaqjes së shpirtit, derisa vetja njësohet më qënien hyjnore; dhe në raport me shoqërinë, kulturën dhe stadet e historisë, ku transhendimi i vetes kulmon me njësimin e saj me shtetin absolut.

P.S: Në funksion të reflektimit në këtë fillim-viti shkollor në kontekstin shqiptar po e banalizojmë (pra thjeshtëzojmë) natyrën e dijes përmes tre pyetjeve që kanë në qendër rrugën e transmetimit të dijes nga holizmi përmes pozitivizmit te performanca:
1.Kalon macja e zezë në rrugë, dhe thonë se do të eci ters; – ç’dije është kjo?
2. Ështe njeriu që e zgjedh dijen apo dija njeriun; ç’dije është secila?
3. Cila është dija e injorantit dhe pse?