Garancitë që PD-ja u ka borxh shqiptarëve

Nga Namir Lapardhaja

Nëse ekziston një forcë e pathyeshme përballë çdo manipulimi zgjedhor, është vërshimi i njerëzve në votime në ditën e zgjedhjeve.
Që të ndodhë kjo, njerëzit kanë nevojë për besim dhe shpresë. Sfida më e madhe e Partisë Demokratike është leximi i drejtë i kësaj situate dhe shndërrimi në një alternativ që jep garanci për ta ndryshuar këtë realitet.
Njerëzit janë të lodhur dhe të zhgënjyer nga politika, ndaj duhet një forcë madhore për t’i garantuar se ndryshimi mund të ndodhë dhe vendi mund të futet në shinat e normalitetit.
Shqiptarët kanë nevojë t’u jepet garancia se nuk po tentohet thjesht të ndodh një ndryshim formal, duke ikur disa të korruptuar dhe duke u zëvendësuar me disa të tjerë. Ata kanë nevojë t’u tregohet se për veprimet e këqia nuk do të kenë dekorata në qeverisjen e ardhshme dhe nuk do gradohet kurrë i korruptuar që të jetë fytyra e shtetit, siç ndodhi gjatë këtyre viteve.
Ndër pikat kryesore të kontratës së garancisë duhet të jetë ajo që të mos i thuhet kurrë hajdutit “bravo”, kushdqoftë ai, të mos i thuhet gangsterit “zotëri”, pavarësisht se mund të jetë mbështetësi yt, të mos krenohet kush se është “bir kurve”, qoftë ky edhe bashkëpunëtor i afërt.
Njerëzve duhet t’u bëhet e qartë se kush po kërkon t’i qeverisë, mbi ç’parime do të ngrihet kjo qeverisje dhe çfarë do të ndryshojë ky model në jetën e tyre.
Shqiptarët janë lodhur nga shembulli i hajdutit dhe të korruptuarit, nga ata që u fusin duart në xhepa, dhe kanë nevojë për një grup njerëzish që, edhe nëse nuk mund të bëjnë çudinë, të jenë të përunjur përpara tyre, ta shohin pushtetin si mision, politikën si profesion afatgjatë dhe shërbimin ndaj njerëzve si burim kënaqësie.
Duhet të marrë fund gënjeshtra ndaj votuesve, mbajtur lidhur pas interesit partiak. Asnjë parti politike nuk mund të ofrojë vende pune për të gjithë njerëzit. Asnjë parti politike nuk mund t’u ofrojë zgjidhje njerëzve me shkop magjik. Asnjë parti politike nuk mund të shkelë ligjin e shtetit për mbajtjen e pushtetit. “Zgjidhjet” përrallore nuk ekzistojnë. Njerëzve duhet t’u bëhet e ditur se e drejta është më e mirë se e gënjeshtra, ofrimi i mundësive të barabarta është zgjidhja më e mirë që mund t’i kënaqë të gjithë.
Partia Demokratike ka borxhin e kthimit të besimit dhe të shpresës, nëpërmjet një kontrate garancie dhe besueshmërie, duke i garantuar shqiptarëve liritë substanciale që ofron normaliteti poltik, t’u sigurojë kthimin e institucioneve të dhënies së drejtësisë, t’u ofrojë mundësi dhe barazi të gjithëve për të shfaqur të gjithë mundësitë dhe aftësitë, jo vetëm për të ndryshuar veten, por edhe vendin.