PD-së i mjafton rikthimi në normalitet si premtim


Nga Vehap Kola

Roger Scruton e ka argumentuar më mirë se kushdo kotësinë e premtimeve elektorale. Ai i quan premtimet një zakon të majtë, që buron nga praktika e dështuar dhe kriminale e planifikimit qëndror në ekonominë e planifikuar komuniste.
Ajo që duhet të bëjë një qeveri e djathtë, thotë Scruton, është të bëjë gjërat e domosdoshme për një shtet kombëtar të drejtë dhe jopengues. Në këtë kuptim, një parti konservatore që synon pushtetin duhet të synojë kthimin e qeverisë në rolin e saj të natyrshëm.
Shqipëria ka sot një problem shumë të madh me mafian. Çfarë duhet bërë për të shkatërruar këto rrjeta kriminale e financiare që kërcënojnë vetë ekzistencën e kombit tonë? Zhdukja e tyre nuk është një premtim shpërblyes për segmente të caktuara të shoqërisë, por rikthim i shtetit dhe shoqërisë në një gjendje normale.
Ndoshta për këtë është e nevojshme që Partia Demokratike t’u shpalosë shqiptarëve një plan për largimin e këtij kërcënimi mbi kokën e shoqërisë.
Një politikë për luftën ndaj pastrimit të parave është po aq e domosdoshme. Tek e fundit, Shqipëria nuk ka pse shpik gjë në këtë drejtim; do të mjaftonte të zbatoheshin standardet ndërkombëtare të luftës ndaj pastrimit të parave.
Një problem tjetër i madh për vendin është vrasja e konkurrencës në çdo sektor. Kaq i kompletuar është monopolizimi i tregut sa edhe në shitjet me pakicë kanë hyrë oligarkët dhe janë eleminuar shitësit familjar.
Një ndihmë të veçantë në monopolizimin e tregut të retail-it ka dhënë edhe Bashkia e Erion Veliajt. Me kangjellat dhe korsitë e biçikletave që zëvendësojnë vendparkimet anash rrugëve kryesore të qytetit Erion Veliaj i ka rrënuar shitjet e dyqaneve në pronësi të qytetarëve. Alternativa e vetme e blerjeve kanë mbetur qendrat tregëtare të oligarkëve.
Sektorë të tjerë jetikë funksionojnë si monopole. Më tipikët janë importet e ushqimeve dhe medikamenteve.
Mielli, sheqeri, orizi, vaji, kafja, drithërat, etj importohen nga monopolistë. Askush nuk guxon të importojë një mall të tillë sepse ose i mbetet ngarkesa në doganë përjetësisht, ose kërcënohet me vdekje nga monopolisti që kontrollon tregun përkatës.
E njëjta gjë ndodh me medikamentet. E njëjta gjë me karburantet.
Po ndërsa në sektorë të caktuar si prodhimi e shpërndarja e energjisë apo furnizimi me ujë pozita monopol është deri diku natyrore, në importin e ushqimeve dhe medikamenteve, monopolizimi bëhet me anë të skemave mafioze të korruptimit të administratës dhe kërcënimit apo asgjësimit të konkurrencës.
Zgjidhja e problemit të monopolizimit të tregjeve nuk është e lehtë dhe mund të kërkojë shumë kohë e resurse, por është një domosdoshmëri jetike për të ndalur shpopullimin dhe varfërimin e mëtejshëm.
Të mos harrojmë se monopolet dhe mafia operojnë në fusha reciproke dhe ndihmojnë njëra-tjetrën. Mafia i ofron monopolistit paprekshmëri, ndërsa monopolisti i ofron mafias para dhe asete në shkëmbim.
Partia Demokratike duhet të zhvillojë një strategji të madhe afatgjatë për këtë sfidë të Shqipërisë. Lufta ndaj monopoleve është ÇELËSI i zhvillimit të vendit. Pa rikthyer konkurrencën në tregje as nuk rritet ekonomia, as nuk zhduket korrupsioni dhe as nuk jepet drejtësi në gjykatat tona.
Luftimi i mafias dhe monopoleve është në vetvete luftë e drejtëpërdrejtë ndaj korrupsionit. Jo vetëm kaq, por edhe krimi elektoral pëson rënie drastike. Blerja e zgjedhjeve, kërcënimi i votuesve dhe manipulimi mundësohet vetëm në sajë të simbiozës mafia-oligarki-korrupsion.
Sikur asgjë tjetër të mos bëjë Partia Demokratike në pushtet, këto do ta bënin Shqipërinë një vend demokratik, me ekonomi vibrante dhe plotësisht të denjë për t’u anëtarësuar në BE.