COVID19 në Evropë, shtohen vendet që rikthejnë masat

Teksa njerëzit në Bruksel përpiqen të freskohen, paralelisht duhet të veshin edhe maskën kur ndodhen në ambiente të hapura.

Instituti meteorologjik belg e ka çuar alarmin nga i nxehti në nivelin e kuq dhe me temperaturat mbi 35 gradë Celsius, shumë njerëz po hasin bezdi në mbajtjen e maskës.

“Nuk merr dot frymë dhe djersit gjatë gjithë kohës”, thotë Maria Augstach, turiste nga Argjentina.

Teksa koronavirusi vijon të përhapet në Evropë, sidomos në Spanjë, maska sipas ekspertëve është kthyer në një çështje kritike.

Shumë rajone janë kthyer në fazën 2 të kufizimeve, me baret dhe dyqanet e mbyllura.

“Mendoj se popullsia kishte shumë besim se virusi do të qarkullonte dhe infektonte më pak gjatë verës, kur temperaturat janë të larta. Gjë që është e vërtetë, por kjo u shoqërua me një lehtësim të tepruar, ndaj dhe kemi konstatuar më shumë kontakt social, festa, ceremoni në ambiente të mbyllura dhe plazhe të mbipopulluara”, thotë Salvador Macip, mjek epidemiolog.

Në Francë, mbajtja e maskës në ambientet e jashtme është bërë detyrim, në një kohë kur kryeministri Jean Castex zgjati masat e sigurisë deri në tetor.

“Do t’iu kërkoj prefektëve të afrohen më shumë me të zgjedhurit lokalë, në mënyrë që të zgjasin sa më shumë detyrimin për të veshur maskë në hapësirat publike”, deklaroi Castex.

Ndërkohë, në Edinburg të Skocisë, fëmijët po kthehen në shkolla për herë të parë pas 5 muajsh.

Autoritetet kanë marrë masa të forta higjienike për rreth 700 mijë fëmijët që llogarit vendi.