Malaj: Kriza po prodhon më shumë të papunë, qeveria e ka mendjen tek PPP e konçesione

Ish ministri i Financave Arben Malaj shkruan me shqetësim për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit e cila  po prodhon më shumë  të paarsimuar, më shumë të papunë dhe më shumë të varfër.

“Ndërkohë qeveria jonë është përqendruar në investime fizike dhe preferenciale dhe nuk e kupton rëndësinë jetike për rritjen afatgjatë të investimit në arsim dhe shëndetësi” shkruan Malaj.

Postimi i plote

“Një nga pasojat më të rënda dhe më afatgjatë të Covid-19 është goditja e rëndë tek fëmijët, tek shëndeti mendor dhe  tek  cilësia e arsimit të tyre që do të përcaktojë cilësinë e jetës së  tyre në të ardhmen .

Identifikimi i opsioneve të nxjerrjes së fëmijëve nga ambientet e mbyllura shtëpiake është imediate dhe jetike.
Kjo përgjegjësi e madhe kombëtare nuk mund t’i lihet thjeshtë ministrit të arsimit.

Shumë institutione përllogarisin humbjet në produktivitetin e vendeve të ndryshme dhe në nivel global.

Kriza po prodhon më shumë të paarsimuar, më shumë të papunë dhe më shumë të varfër.

Këto institucione nuk po ofrojnë alternativë zgjidhjeje.

Qeveria jonë është përqendruar në investime fizike dhe PPP preferenciale dhe nuk e kupton rëndësinë jetike për rritjen afatgjatë të investimit në arsim dhe shëndetësi.

Klasat me turne, klasat portative me hapësira të mëdha,  modeli i mensave ushtarake pasi ( pasi kjo situatë është  luftë  jo thjeshtë me pandeminë, por keqarsimimin  me varfërinë), deri edhe përdorimi i klasave të shkollave të mesme dhe universiteteve publike e private disa orë në ditë ose disa ditë në javë  për mësim në klasë me numër të reduktuar të nxënësve, mund të jenë opsione të diskutueshme.

Pranimi i situatës aktuale është fatalitet kombëtar.

Vendi ynë ka shumë njerëz të ditur dhe atdhe-dashës  që duhet të angazhohen me propozime alternative për ta fituar këtë  luftë sidomos për të ardhmen e fëmijëve.

Është koha që çdo shqiptar atdhetar pavarësisht ku jeton dhe punon, të angazhohet me  kontribute të  përkushtuara  për  kapërcimin e kësaj krize dhe suksesin e përbashkët për fëmijët.

Boll me absolutizimin e mësimeve online, pasi për grup-moshat e  vogla ato nuk duhet të jenë alternativa e vetme apo e parë.

Për fëmijet e vegjël kjo mundësi nuk zbut efektet negative në shëndetin mendor dhe produktivitetin e tyre në jetë.

Psikologët dhe sociologët në këtë krizë sociale janë shumë të dobishëm, bile më dobishëm  sesa ekonomistët.