Umberto Eco – E drejta në lumturi

Ndonjëherë dyshoj se shumë nga problemet që na prekin – nënkuptoj krizën e vlerave, traditën e mashtrimit të reklamave, nevojën për t’u shfaqur në TV, humbjen e kujtesës historike, të gjitha këto për të cilat shpesh ankohemi në shkrime si ky – ndodhin për shkak të formulimit fatkeq të Deklaratës Amerikane të Pavarësisë të 4 korrikut 1776, ku, me besim masonik në “fatin madhështor dhe përparimtar”, autorët deklaruan se “të gjithë njerëzit kanë të drejtën e jetës, të lirisë dhe ndjekjes së lumturisë.”

Shpesh është thënë se ky është pohimi i parë në historinë e ligjeve themelore të një Shteti, e drejta për lumturi, në vend të detyrës së bindjes ose rregullave të tjera të ngjashme, dhe në pamje të parë ishte me të vërtetë një deklaratë revolucionare. Por kjo shkaktoi paqartësi për arsye semiotike, do të thoja.

Literatura për lumturinë është e pafund, duke filluar me Epikuros dhe mbase më herët, por me logjikë të thjeshtë më duket se askush nga ne nuk e di se çfarë është lumturia. Nëse nënkuptojmë një gjendje të përhershme, ideja e një njeriu që është i lumtur gjithë jetën e tij, pa dyshime, dhimbje, kriza, duket se korrespondon me jetën e një idioti – ose më së shumti me dikë që jeton i izoluar në botë, pa ambicie që shkojnë përtej një jete pa trazira dhe më vijnë në mendje Philemon dhe Vafkis. Por edhe ata, përveç poezisë, duhet të kenë përjetuar një moment të keq, nëse asgjë tjetër, një grip apo dhimbje dhëmbi.

Çështja është se lumturia si plotësi absolute, do të thosha dehje, prekja e qiellit me gisht, është një gjendje e përkohshme, episodike dhe zgjat një kohë të shkurtër: është gëzimi për lindjen e një fëmije, për të dashurin/ën që i përgjigjet emocioneve tona, mbase festimi i një fitore në Loto, për arritjen e një qëllimi (Oskar, Kupa e Kampioneve), madje edhe një moment gjatë një shëtitje në fshat, por janë të gjitha momente të përkohshme, të ndjekura nga momentet e frikërave, dhimbjes, agonisë ose të paktën ankthit.

Përtej kësaj, ideja e lumturisë gjithmonë na bën të mendojmë për lumturinë tonë personale, rrallë atë të specieve njerëzore, dhe në fakt shpesh përfundojmë duke u shqetësuar, pak për lumturinë e të tjerëve, në mënyrë që të ndjekim tonën. Edhe lumturia e dashurisë shpesh përkon me mjerimin e refuzimit të një tjetrit, për të cilën shqetësohemi pak, të kënaqur me pushtimin tonë.

Kjo ide e lumturisë përshkon botën e reklamimit dhe konsumit, ku çdo fjali paraqitet si një ftesë për një jetë të lumtur, krem ​​që do të qetësojë fytyrën, pastruesin që heq përfundimisht të gjitha njollat, divanin me gjysmën e çmimit, aperitivin që do të pini pas stuhisë, mishin e konservuar përreth së cilit bashkohet familja e lumtur, makina e bukur dhe ekonomike dhe një servietë që do t’ju lejojë të hyni në ashensor pa u shqetësuar se mos trazon nuhatjen e të tjerëve.

Rrallë mendojmë për lumturinë kur votojmë ose kur e dërgojmë fëmijën tonë në shkollë, por vetëm kur blejmë gjëra të padobishme dhe mendojmë se në këtë mënyrë jemi në gjendje të ushtrojmë të drejtën tonë për të ndjekur lumturinë.

Kur ndodh e kundërta, d.m.th. meqë nuk jemi bisha të pashpirt, për tu marrë me lumturinë e tjetrit, kur media na prezanton me mjerimin e të tjerëve, të zinj të vegjël që vdesin nga uria dhe i hanë mizat, të sëmurë me sëmundje të pashërueshme, popullata që shfarrosen nga cunami. Atëherë jemi të gatshëm të japim monedhën tonë dhe, në rastin më të mirë, të mbahet një e pesta e një mijëshit.

Deklarata e Pavarësisë duhet të thoshte që të gjithë njerëzit kanë të drejtë dhe detyrim të zvogëlojnë shkallën e vuajtjeve në botë, përfshirë këtu edhe të tyren, dhe kështu shumë amerikanë do ta kuptojnë se nuk duhet të kundërshtojnë kujdesin mjekësor falas – me të cilën përkundrazi nuk pajtohen sepse kjo ide e çuditshme cenon të drejtën e tyre për lumturinë e tyre financiare personale.

***
Uberto Echo – “Kronikat e një shoqërie likuide.”

Ngjarje Botërore.

more recommended stories

loading...