Raporti i SeeNews: Ndikimi i krizës së COVID-19 në vendet e Evropës Juglindore dhe perspektivat e rikuperimit të tyre

Platforma kryesore e biznesit në rajon SeeNews, analizoi së fundmi ndikimin e krizës së COVID-19 në sistemet e kujdesit shëndetësor, ekonomitë e 11 vendeve të Evropës Juglindore dhe perspektivat për rikuperimin e tyre

Raporti ‘COVID-19 dhe Evropa Juglindore: Perspektivat fillestare për të luftuar krizën’ përfshin Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Kosovën, Moldavinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Rumaninë, Serbinë dhe Slloveninë. Analiza bazohet në 11 treguesit kryesorë si masat e kontrollit, masat ekonomike, rimëkëmbja e GDP-së, ekspozimi ndaj riskut të borxhit, prodhimi industrial, vlerësimet e kredisë, risku sektorial, përforcuesit e vlerës së shtuar bruto, tregu i punës, risku tatimor dhe ai i eksportit.

Duke konsideruar mjedisin gjithnjë në ndryshim dhe të paparashikueshëm, studimi paraqet një pamje të situatës aktuale dhe ofron një parashikim të bazuar në masat e marra deri tani për rimëkëmbjen e 11 vendeve.

Të dhënat tregojnë se vendet e rajonit të Evropës Juglindore kanë disa avantazhe kundrejt krizës ekonomike. Së pari, shumica e vendeve kishin nivele të ulëta të borxhit publik në momentin kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Kjo i dha mundësinë qeverive lokale të zbatonin masa gjithëpërfshirëse ekonomike për të mbështetur bizneset dhe individët, pa ushtruar shumë presion mbi borxhet. Lidhur me kujdesin shëndetësor, shumica e vendeve në Evropën Juglindore vepruan me vendosmëri dhe shpejtësi në fillimin e pandemisë, duke vendosur masa të rrepta kontrolli. Shkalla e infektimit në të gjithë rajonin ishte shumë më e ulët se nivelet globale në kohën kur vendet e tjera filluan të rihapin ekonomitë e tyre. Megjithatë mbetet për t`u parë nëse këto avantazhe fillestare do të mbeten edhe në vazhdim, pasi numri i rasteve të infektuar me Covid-19 është rritur në disa vende të Evropës Juglindore.

Së bashku me avantazhet, në fillim të krizës rajoni ishte i prirur gjithashtu kundrejt disa rreziqeve. Shumica e ekonomive mbështeten shumë tek sektorët të cilët në këtë raport ne i quajtëm “sektorë humbës” pasi janë industri që pritet të mbajnë barrën e krizës ekonomike të sjellë nga COVID-19. Sigurisht, ka sektorë që do të shfaqen si “fitues”, por shumica e tyre aktualisht përfaqësojnë një pjesë të vogël të vlerës së shtuar bruto të ekonomive të rajonit, për të bërë një ndryshim dhe kundërpeshuar efektet negative në një mënyrë kuptimplotë. Ky disproporcion ndërmjet sektorëve humbës dhe fitues e bën rajonin e Evropës Juglindore veçanërisht të ndjeshëm ndaj rreziqeve sektoriale dhe disa ekonomi pashmangshëm po përballen me tronditje të punësimit, si dhe rreziqe fiskale që vijnë nga zvogëlimi i taksave. Analiza tregon se sipas parashikimeve aktualisht vetëm 7 nga 11 vendet e Evropës Juglindore do të jenë në gjendje që gjatë vitit të ardhshëm të rivendosin nivelet e GDP-së.

Shkurtimisht sipas vendit

Shqipëria
Falë sektorit të saj të zhvilluar bujqësor, Shqipëria vlerësohet të ketë një performancë të mirë midis 11 ekonomive të përfshira në studim, për sa i përket mundësive për të lehtësuar ndikimin e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia. Nga ana tjetër, paketa e masave të shpallura nga qeveria në lidhje me krizën është e barabartë me 2.8% të GDP-së; një nga raportet më të ulëta në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Kosova
Kosova vlerësohet të ketë performancë të mesme në fillim të pandemisë COVID-19 me masat e kufizimit që vendosi. Paketa fillestare e masave ekonomike të njoftuara nga qeveria përbënte 2.8% të GDP-së së vendit. Nga ana tjetër, vendi është ndër të paktët që pritet të jetë në gjendje të rikuperojë GDP-në gjatë vitit 2021 duke arritur të kthehet në nivelet që kishte para pandemisë.

Maqedonia e Veriut
Maqedonia e Veriut vlerësohet si një nga vendet e rajonit me performancën më të ulët për sa i përket kontrollit fillestar të pandemisë COVID-19. Shkalla e infektimit të saj ishte mbi mesataren globale edhe në mesin e muajit qershor, para se të fillonte rritja e rasteve të reja në rajon. Vendi ka ekspozim të mesëm ndaj humbjeve të parashikuara në sektorët më të prekshëm nga pandemia COVID-19.

Mali i Zi
Studimi tregon se Mali i Zi pritet të jetë një nga vendet e Evropës Juglindore të goditura më rëndë nga recesioni i shkaktuar nga COVID-19, si në aspektin e forcës ashtu edhe të kohëzgjatjes; dhe nuk ka gjasa që gjatë 2021 GDP-ja e vendit të rikuperohet duke arritur nivelet që kishte më përpara. Përveç kësaj, paketa fillestare e stimulit fiskal është e ulët në krahasim me standardet rajonale dhe evropiane dhe mungesa e uljeve të normave të interesit gjithashtu mund të pengojë rimëkëmbjen e shpejtë të investimeve dhe konsumit. Sidoqoftë, reagimi i qeverisë ndaj krizës vlerësohet pozitivisht në fushat e politikës monetare, masave për sektorët specifikë dhe mbrojtjen e punësimit.

Bullgaria
Bullgaria është ndër vendet e Evropës Juglindore e vlerësuar me rrezik të mesëm të rimëkëmbjes së GDP-së në nivelet që kishte para pandemisë. Një nga faktorët rëndues në këtë drejtim është varësia e vendit nga eksportet. Bullgaria renditet e dyta, pas Sllovenisë, si vendi me numrin më të lartë të eksporteve. Duke konsideruar paparashikueshmërinë e zhvillimit të pandemisë, pasiguria e shpërndarjes dhe mundësia e ndërprerjes së papritur të tregtisë janë një rrezik ekstrem për ekonominë. Masat fiskale dhe monetare për të zvogëluar efektet negative të krizës arritën në 10.7% të GDP-së, e cila e rendit vendin si të tretin në rajon pas Sllovenisë dhe Serbisë. Vlen të theksohet se disa nga këto masa kanë për qëllim forcimin e sistemit bankar dhe jo stimulimin e drejtpërdrejtë të ekonomisë.

Bosnja dhe Hercegovina
Performanca e Bosnje dhe Hercegovinës renditet si e mesme lidhur me masat e kufizimit të vendosura në fillim të pandemisë COVID-19. Lidhur me aktivitetin ekonomik, ekonomia boshnjake është në rrezik të mesëm, duke mos qenë në gjendje që gjatë vitit 2021, të rikuperojë GDP-në e saj në nivelet që kishte para pandemisë. Një fakt interesant është se gjatë muajve të bllokimit ishte vendi me rënien e dytë më të ulët të prodhimit industrial.

Kroacia
Performanca e Kroacisë ishte shumë e mirë në fillim të pandemisë me vendosjen e masave të kufizimit dhe mburrej me shkallën më të ulët të infektimit në Evropën Juglindore në mes të qershorit, duke e pozicionuar vendin në një pozitë të favorshme edhe pasi rastet filluan të rriteshin përsëri në të gjithë rajonin në javët e fundit. Ndërsa është ndër të paktat vendet që gjatë 2021 pritet të mos arrijë dot nivelet e GDP-së që kishte para pandemisë. Kjo pasi tregu i punës duhet të jetë në gjendje të kthehet në nivelet që kishte para pandemisë, me një normë papunësie prej 8% .

Moldavia
Moldavia është një nga dy vendet e Evropës Juglindore, së bashku me Shqipërinë, të cilat janë në pocizion të favorshëm përsa i përket mundësive për të lehtësuar ndikimin e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia, falë sektorit të zhvilluar bujqësor. Megjithatë, Moldavia renditet e dyta ndër vendet e rajonit përsa i përket ekspozimit të rrezikut të matur nga pjesa e konsumit privat dhe formimit të kapitalit bruto në ekonomi.

Rumania
Tregu i punës Rumun është ndër pozicionet më të mira në rajon për shkak të shkallës jashtëzakonisht të ulët të papunësisë para fillimit të COVID-19. Edhe pse me punësim gati të plotë, ndikimi i pandemisë do të jetë i vështirë për t`u përballuar pasi vendi duket t`a ketë të vështirë rikthimin e ekonomisë në nivelet e vitit 2019-ë. Rumania është gjithashtu në mesin e vendeve që nuk pritet të rikuperojë plotësisht nivelin e GDP-së gjatë 2021.

Serbia
Ndërsa Serbia pret rimëkëmbjen e GDP-së gjatë 2021, vendi është në rrezik të madh humbjesh nga sektorët më të ndjeshëm. Për më tepër është një nga tre vendet me ekspozim të lartë të rënies së të ardhurave nga taksat, pasi të njëjtët sektorë gjenerojnë më shumë se gjysmën e të gjitha taksave të paguara në vend.

Sllovenia
Paketa fillestare ekonomike e Sllovenisë në përgjigje të krizës përfaqëson 13,4% të GDP-së, duke e renditur në vendin e parë në rajonin e Evropës Juglindore. Qeveria shpreson që këto masa të arrijnë të zbusin ndikimin e krizës pasi parashikimet fillestare e vendosin vendin midis atyre që nuk do të rimëkëmbin GDP-në në nivelet që kishte para pandemisë. Sidoqoftë, Sllovenia është më pak e ekspozuar ndaj tronditjeve të GDP-së që vijnë nga konsumi privat dhe shpenzimet e kapitalit bruto. Këto dy përbërës formuan vetëm 52% të GDP-së në vitin 2019, duke i dhënë vendit një rrugë të mjaftueshme për përballimin e pandemisë.

Raporti i plotë i SeeNews mund të shkarkohet falas duke ndjekur këtë faqe: https://covid.seenews.com/2020.

Rreth SeeNews
SeeNews është platforma udhëheqëse e biznesit në Evropën Juglindore. Kjo platformë prodhon lajme ekonomike dhe që lidhen me biznesin, intervista dhe analiza të industrive të ndryshme.