Përpjekja e dështuar për të ndarë qëndrimin e SHBA nga BE në raport me Shqipërinë

Nga Red Varaku

Ka një tendencë shumë naive nga propagandistët e qeverisë për të ndarë SHBA nga BE në raport me Shqipërinë.

Të njëjtën gjë tentuan të bëjnë me rastin marrëveshjejes Kosovë-Serbi, duke e shpallur veten me arrogancë si pro-amerikanë dhe moskokëçarës ndaj qëndrimeve europiane, mbështetur kjo edhe nga disa diplomatë sharlatanë në administratën amerikane, të cilët pas zhvillimeve të fundit i është hequr e drejta të prononcohen në lidhje me Shqipërinë .

Por pa sukses, sepse asnjëherë nuk ka patur dhe nuk mund të ketë dy qëndrime të Perëndimit në raport me Shqipërinë.

Jo pa qëllim edhe z. Basha në vizitën e tij në Kosovë theksoi fort nevojën për një bashkërendim të ngushtë mes SHBA dhe BE, si një parakusht për suksesin e çdo iniciative në raport me stabilizimin përfundimtar dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të gjithë vendeve të rajonit që e duan këtë.

Në fakt, jo se këta sharlatanët tanë nuk e dinë mirë të vërtetën, por dinakërisht tentojnë të përdorin qoftë edhe spekulojnë me ndonjë deklaratë a qëndrim diplomatik, duke e paraqitur si mbështetje amerikane për kryeministrin.

Me këtë hutojnë, jo vetëm të pavëmendshmit dhe naivët, por kryesisht pjesën jo urbane të Shqipërisë, atje ku mendohet se i gjithë Parisi, Washingtoni, Berlini apo Londra janë vërtet të mahnitur me kryeM tonë kollare-provokues.

E vërteta është që Bashkimi Evropian dhe SHBA, jo vetëm kanë pikëpamje të njëjta dhe janë tërësisht të bashkuar në parimet mbi të cilat Shqipëria duhet të qeveriset për tu bërë vend i BE, por SHBA ka dhe kujdesin e posaçëm që të përdorë pikërisht procesin e integrimit, si presion demokratik mbi qeverinë.

Kjo e qartësuar më shumë se një herë nga vetë numri dy i Shtëpisë së Bardhë, Sekretari Amerikan i Shtetit dhe ambasadorja Yuri Kim në deklaratat dhe qëndrimet e tyre, ku theksohet qartë se vendi i Shqipërisë është në BE, ndërsa vetë procesi i integrimit në BE nuk është vetëm se një mjet i fortë presioni mbi qeverinë shqiptare.

Në fakt, përrallat e reja të propagandistëve të qeverisë për një qëndrim amerikan të ndryshëm nga ai europian, mund të egzaltojnë vetëm idiotët dhe Taulant Ballën.

Këto përralla nuk janë vetëm qesharake, por janë dhe fyese për inteligjencën, sidomos kur tentojnë t’i paraqesin plot bujë , si përplasje me qëndrimet e Bashkimit Evropian ndaj kryeministrit dhe procesit të integrimit të Shqipërisë.