Pse i duhet Ramës ndërprerja e procesit të integrimit me BE?

Nga Red Varaku

Të gjithë biem dakort se shpëtimi i Shqipërisë është futja në BE dhe rruga e vetme për në BE është që populli t’i bëjë presion qeverisë për të realizuar detyrimet dhe kushtet për integrimin.

Që kjo të realizohet, nuk ka rrugë tjetër përveç përdorimit të procesit të integrimit të Shqipërisë si presion demokratik mbi qeverinë shqiptare për të korrigjuar defektet e rënda të demokracisë së saj.

Në rastin konkret, duke rritur presionin mbi qeverinë, nëpërmjet kërcënimit për bllokimin e integrimit, i bëhet e qartë popullit shqiptar, se nëse duan integrimin, duhet ta heqin qafe këtë qeveri.

Kjo është kështu dhe kështu ka qenë. Kjo është mënyra e vetme e presionit, që ushtron Perëndimi mbi qeveritë e vendeve që duan të anëtarësohen në BE.

Kush e kupton këtë e ka të qartë se rritja e numrit të kushteve që Shqipëria duhet të plotësojë për integrimin, nuk është gjë tjetër vetëm se një sinjal i qartë që BE, jo vetëm nuk e mbështet këtë qeveri, por nëpërmjet kushteve të vëna, po kërkon largimin e saj të menjëhershëm.

Kjo do të thotë se çdo votë për këtë regjim është një votë kundër integrimit. Kjo është kështu dhe çdo përpjekje për ta mohuar këtë realitet nuk i bën nder askujt.

Një qeveri ka vetëm një mënyrë për t’i ikur këtij presioni. Ajo është ndërprerja e integrimit në BE duke e servirur integrimin si një e keqe e madhe për sovranitetin.

Fatkeqësisht, kjo është rruga që ka zgjedhur KryeM-ja jonë.

Kjo shpjegon dhe rikthimin e tij tek retorika anti-evropiane, e veshur me petkun e sovranizmit, me anë të së cilës po justifikon prishjen e marrëveshjes së pesë qershorit, i cili ishte kusht kryesor për integrimin.

Kjo është arsyeja pse ai është futur në një kurs përplasjeje me Perëndimin, e cila tregon qartazi që ai është realisht i interesuar të ketë një krizë me Evropën, si një mënyrë për të justifikuar dështimin e procesit të integrimit.

Këto janë prova që duhen marrë seriozisht, pasi ato dëshmojnë se janë mënyra e vetme që Rama të degradojë imazhin e Shqipërisë dhe ta kthejë atë në një vend, ku armiqësia me Perëndimin të quhet sovranizëm.

Rama e di që nuk ka asnjë shans të qëndrojë në pushtet nëse vendi plotëson kushtet e BE.

Mbetja jashtë dyerve të Bashkimit Evropian dhe rikthimi i të majtës tek sovranizmi dhe patriotizmi kundër armiqve perëndimorë, janë mënyra e vetme që ai të vazhdojë të sundojë shqiptarët, fiks si paraardhësit e tij.

Për këtë shkak i duhet ndërprerja e procesit të integrimit me BE.

Tani i mbetet shqiptarëve të vendosin : ose me Ramën me Shqipërinë si shkëmb graniti, ose me Perëndimin me Shqipërinë në Bashkimin Europian. Rrugë të mesme nuk ka.