Ushtria duhet të jetë thelbi shtetit, jo lokal dasmash!

Nga Indrit Vokshi

Ushtria, ose Fuqia Armate siç quhej dikur, është thelbi dhe nderi i shtetit. Një shtet pa ushtri është thjesht territor me popull. Kaq, asgjë më shumë. Ushtria e Shqipërisë ka pasur problem themelimin dhe tranzicionin e saj për tu bërë ushtri kombëtare dhe profesionale. Kjo sepse në fillimet e shtetit ishin disa ushtri të disa qeverive e disa pashallarëve. Pas vitit 1920 shteti hodhi bazat për ushtri të unifikuar e kombëtare. Pas “Mësymjes së qershorit” të vitit 1924 kur oficerë si Rexhep Shala dhe oficerë të tjerë u përfshinë në grushtin e shtetit kundër qeverive Vrioni e Verlaci, lindi nevoja për depolitizim të ushtrisë dhe mospërfshirjes së saj në jetën politike. U ndërmorrën disa hapa. Gjatë monarkisë ushtria mbajti frymë mbretnore por e papolitizuar në thelb. Me formimin e Ushtrisë Popullore prej komunistëve, ushtria u kthye në mjet sundimi të partisë shtet. Ushtria u komunistizua dhe pati Komandant të Përgjigjithshëm Enver Hoxhën i cili prej vitit 1954 nuk mbante më asnjë post shtetnor. Pra ushtria komandohej nga Sekretari i Parë i një partie. Deri vonë ushtria u pa si komuniste sepse u përdor në shërbim të komunizmit. Batuta ishte kjo: Si janë ushtarët? Si bostani; jeshil nga jashtë, kuq nga brenda. Më vonë ushtria u poshtërua dhe shkoi zvarrë, pa prestigj e pa krenari. Pse? Partitë dhe krimi i organizuar nuk mund të pranonin një formacion krenar e të respektuar nga populli. Për më tepër, armiqtë e shqiptarëve do e ngrinin si problem. Për më tepër e më tepër, ushtria kërkon mirëmenaxhim financiar dhe hajdutët kronikë nuk kishin ndërmend të mos vidhnin. Anëtarësimi në NATO solli një premisë dhe mundësi të re për ushtrinë por pa mundur të zhdukë emrimet nepotike, familjare, tarafore, financiare. Shumë shpejt ushtria u poshtërua duke ia fikur radarët në shërbim të trafikut të drogës. Sot bëhet edhe më qesharake; prenotohet dasëm në anijet e ushtrisë. Ky vend ka degraduar në kartel. Nuk është më shtet por kartel. Shqiptarët duhet të luftojnë për të pasur ushtrinë e tyre e për ta, policinë e tyre e për ta, gjykatat e tyre e për ta, administratën e tyre e për ta. Shqipëria është pushtuar nga një kartel shkombëtarizues.