Pse po ikin investimet nga Shqipëria? Ja përgjigja e një biznesmeni të zhgënjyer me qeverinë

Pak ditë më parë kryemministri Edi Rama ndau me qytetarët lajmin e mirë të investimit 100 milionë euro nga kompania franceze, “Voltalia”.

Do kemi një dëshmitar francez që do mund të thotë se si u gjend si u ndje si e kaloi kaloi procesin me qeverinë e korruptuar shqiptare, qeverinë që shihet shpesh përmes një dylbie tradicionale paragjykimi që është paragjykim lidhur me vetë Shqipërinë

tha ndër të tjera z. Rama.

Ky është një pohim që do të marketojë një praktikë të ndershme me të cilën haset biznesi në realitet në Shqipëri. Mirëpo ndoshta kryeministrit i duhet punë e madhe të bindë investitorët në këtë drejtim, pasi vetëm sot dy ditë më parë, një investitor shqiptar, kompania “Aquatiq” po mendon të largohet nga vendi.

Si ish-investitor strategjik u bëmë të tillë pasi mbaroi afati dyvjeçar dhënë nga KIS, pa arritur të marrim në kohë nga institucioni përkatës një asistim të duhur e të denjë. Në bazë të specifikave të investimit dhe zonës ku do të zhvillohet projekti, aplikuam përsëri në janar 2020 për statusin e Investitorit Strategjik, ku kësaj radhe aplikojmë për një projekt shumë herë më të madh, gjithëpërfshirës në zonë, me një vlerë investimi rreth 26 milionë euro, ku krijohen rreth 1500 vende pune.

Deri në momentin që nuk do të kemi rezultate nga asistimi që duhet të bëhet nga AIDA, si dritare unike për mbarëvajtjen e investimeve strategjike, nuk do të humbim më tepër sesa kemi humbur kohë në Shqipëri dhe të gjithë investimin dhe projektin e fermës Aquaponike do ta zhvendosim në Maqedoni.

Nga informacionet që kemi, koha e burokracive është 1/3 krahasuar me ato në Shqipëri. Gjithashtu ka një mbështetje të madhe dhe masa nxitëse nga institucionet maqedonase për investime inovative dhe të qëndrueshme, si në vlerën e investimit, në punësim dhe lehtësive fiskale lidhur me to

shprehet për “Monitor” admnistratori i kompanisë, Endlers Kërtusha.