E drejta e pronësisë dhe rastet e kufizimit të saj

Matea Kardhiqi

Pronësia është një koncept i gjerë,me rëndësi të madhe ekonomike,juridike,filozofike&shoqërore. Ajo është një nga komponentët më të rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë njerëzore.E drejta e pronësisë përbën një element qëndror në marrëdhëniet shoqërore midis subjekteve të së drejtës në qarkullimin civil të të mirave materiale.
E drejta e pronësisë mund të shihet në dy kuptime:
1.në kuptimin objektiv,
2.në kuptimin subjektiv.
E drejta e pronësisë në kuptimin objektiv përkufizohet si një tërësi normash juridike që rregullojnë marrëdhënien juridike të pronësisë,ndërsa e drejta e pronësisë në kuptimin subjektiv përkufizohet si e drejtë individuale,konkrete që i përket çdo personi fizik apo juridik.
E drejta e pronësisë duke qenë një nga të drejtat themelore të njeriut gjen trajtim edhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Kodi Civil i Republikes së Shqipërisë.
Neni 41 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton të drejtën e pronës private si një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Sipas pikës 1 të nenit 41 të Kushtetutës:”E drejta e pronës private është e garantuar”.Sipas nenit 149 të Kodit Civil:”Pronësia është e drejta për të gëzuar dhe disponuar lirisht sendet,brenda kufijve të caktuar me ligj”.
• Por a mund të bëhen kufizime në ushtrimin e të drejtës së pronësisë?
Përgjigjia e kësaj pyetje është PO mund të bëhen kufizime në ushtrimin e të drejtës së pronësisë por vetëm sipas mënyrave të parashikuara në ligj.
Kufizimet e pronësisë i ndajmë në 2 lloje:
1.kufizime të pronësisë për interes publik(vetëm këtë kufizim pronësie do të trajtojmë në këtë temë)
2.kufizime të pronësisë për interes privat ose për shkak fqinjësie.
Më tej kufizimet për interes publik i kemi 2 lloje:
1.shpronësimi,
2.rekuizimi.
• Le të përkufizojmë së pari se ç’farë nënkupton shpronësimi dhe rekuizimi.
Shpronësimi është një mënyrë e kufizimit të pronësisë madje madje mund ta konsiderojmë një mënyrë të jashtëzakonshme sepse prona private pas shpronësimit kthehet në pronë publike dhe pronari i asaj toke tashmë bëhet shteti duke i hequr pronarit të mëparshëm çdo të drejtë mbi tokën.

Rekuizimi është një mënyrë më e lehtë kufizimi krahasuar me shpronësimin pasi nëpërmjet rekuizimit pasuria pronë private merret në përdorim të përkohshëm për interesa publike dhe në përfundim të gjendjes e cila ka diktuar rekuizimin pasuria pronë private i rikthehet përsëri pronarit të saj.
• Le të shohim dallimin që ekziston ndërmjet shpronësimit dhe rekuizimit.
Nëpërmjet shpronësimit prona private kthehet në pronë publike dhe që prej atij momenti pronar i tokës të shpronësuar bëhet shteti,duke e” zhveshur” pronarin e tokës nga të gjitha të drejtat mbi këtë send,ndërsa nëpërmjet rekuizimit pasuria pronë private merret në përdorim të përkohshëm për interes publik dhe në përfundim të kësaj gjendje që ka sjellë rekuizimin pasuria pronë private i rikthehet pronarit të saj. E përbashkëta ndërmjet tyre qëndron në faktin se të dyja këto kufizime të pronësisë bëhen vetëm kundrejt një shpërblimi të drejtë dhe të bazuar.
• Kufizimet e pronësisë:
1.Duhet të bëhen vetëm me ligj dhe me asnjë akt tjetër normativ,
2.Mund të bëhen vetëm për një interes publik,
3.Mund të bëhen vetëm kundrejt një shpërblimi të drejtë,
4.Për masën e shpërblimit është gjykata e cila vendos përfundimisht.
• Por në cilat raste lejohet shpronësimi dhe në cilat raste lejohet rekuizimi?
Shpronësimi lejohet vetëm në rastet e mëposhtme si vijojnë:
1.Për realizimin e detyrimeve të shtetit që rrjedhin nga traktatet dhe konventat ndërkombëtare shumëpalëshe,
2.Për realizimin e projekteve,programeve dhe investimeve të parashikuara në një marrëveshje ndërkombëtare me shtrirje në territorin e disa shteteve,ku shteti ynë është palë,
3.Për realizimin e projekteve dhe investimeve,që paraqesin interes ose shtrirje territoriale kombëtare ose vendore,në fushën e transporteve të çdo lloji,të energjetikës,të komunikacionit,të veprave ujore të çdo lloji,në shërbim dhe interes të publikut,
4.Për realizimin e projekteve dhe investimeve kombëtare ose vendore,në funksion të ruajtjes së mjedisit,të shëndetit,të kulturës dhe arsimit publik,si dhe të infrastrukturës në shërbim dhe interes të publikut,
5.Për realizimin e programeve dhe investimeve në fushën e mbrojtjes kombëtare,
6.Për mbrojtjen e monumenteve dhe objekteve të paluajtshme të karakterit arkeologjik,historik,kulturor e shkencor,kur këto qëllime për vetë natyrën e objekteve nuk mund të realizohen nga pronari privat për shkak të pamundësisë objektive apo qëndrimit subjektiv të tij,me pasojë rrezikun real të mosrealizimit,dëmtimit ose pengimit të funksionit të tyre,
7.Për mbrojtjen e objekteve të luajtshme me vlerë historike,arkeologjike,kulturore ose shkencore në rastet kur edhe me realizimin e detyrimeve të organeve kompetente sipas ligjit,këto objekte rrezikohen të dëmtohen ose të zhduken,
8.Në rastet kur objektet e luajtshme apo të paluajtshme për shkaqe objektive ose force madhore,krijojnë rrezik të përhershëm për sigurinë dhe shëndetin publik, në a të masë që megjithë ndihmën e shtetit këto rreziqe nuk mund të parandalohen nga pronari i tyre.

Rastet kur mund të bëhet rekuzimi i pasurive pronë private janë si mëposhtë vijon:
1.Në rastet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore,
2.Në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme,
3.Në rastin e forcës madhore,
4.Në rastin kur rekuizimi është i domosdoshëm për të realizuar projektet ose investimet për interes publik,për të cilat është marrë një vendim shpronësimi.
Në përfundim të këtij shkrimi theksoj se e drejta e pronësisë për vetë rëndësinë që ka njihet dhe garantohet nga ligji themeltar i vendit,Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Liria ,prona dhe të drejtat e njohura prej saj dhe nga ligji,nuk mund të cënohen pa një proces të rregullt ligjor.Këtu kuptojmë që shteti është i detyruar që jo vetëm të njohë të drejtën e pronës si një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut,por edhe të sigurojë një mbrojtje efektive me një proces të rregullt ligjor.