Manifesto im për Shërbimin Farmaceutik 2021!

Nga Admir MALAJ, analizë ekskluzive për Faktor.al

I.
Shërbimi tradicional farmaceutik ka marrë një rrugë zhbërjeje pa kthim në vendin tonë.
Shërbimi farmaceutik zakonisht është pjesa e sektorit farmaceutik që lidh nevojat e popullatës me inventarin e barnave dhe pajisjeve mjekësore prezent në territor, që duhet të jenë në dispozicion të popullatës, atëherë kur duhen dhe për aq sa duhen, me standartin e duhur. Si e tillë ajo përfshin një pjesë të mirë të sektorit farmaceutik, sidomos në një vend si Shqipëria ku sektori nuk është shumë i orientuar drejt eksporteve.
Problematikat e sektorit që ndesh popullata në vend lidhen me cilësinë, sigurinë, aksesin në treg dhe mundësinë e pagesës së barnave dhe pajisjeve mjekësore. Këto shpesh janë rezultat i dobësisë së institucioneve rregulluese për të kontrolluar lejet dhe licencat e dhëna, si dhe strukturës së sektorit privatit, ku kemi disa investues të rinj, që vinë nga sektorë më agresivë dhe janë të prirur drejt maksimizit të fitimit, ose me manovra spekullative afatshkurtra ose me manovra më afatgjata si ato të dumping. Ndërkohë investuesit tradicionalë janë më së shumti profesionistë të sektorit farmaceutik që ushtrojnë nismën e tyre të lirë në mënyrë individuale dhe të fragmentuar, pa pasur burime financiare të nevojshme që të lejojnë ekspansion në tregun e shërbimeve, duke qendruar kështu në nivelin e një farmacie apo distributori me një deri më tre farmacistë të punësuar dhe xhiro ditore që shkon nga 30 mijë Lekë deri në 100 mije Lekë të reja në rastin e farmacive.
Investuesit tradicionalë janë kujtesë e një kohe kur licencimi i importit, distribucionit dhe shitjes me pakicë i barnave dhe pajisjeve mjekësore ishte një proces me barriera, të drejta do thoja unë, ku kërkohej që drejtuesi teknik të ishte gjithashtu pronar, ku kishte kuota licencimi bazuar në popullsi dhe distancë, ku distributorët nuk mund të shisnin barna tek popullata, e as kishte mundësi krijimi të rrjeteve të farmacive, e ku gjithashtu kishte parainspektime për dhënien e licencës. Gjithashtu ishte një kohë kur për t’u bërë farmacist ishte më e vështirë, sepse kishte vetëm pak kuota në Universitetin e Tiranës dhe vetëm disa të tjerë shkolloheshim jashtë.
Ky sistem jepte garanci për nivelin teknik të farmacistit, ishte më i kontrollueshëm nga institucionet rregulluese, e për më tepër i jepte qendrushmëri shërbimit farmaceutik, sepse farmacitë apo distributorët i kishin të garantuara marzhet e duhura të fitimit, si dhe një popullatë të mjaftueshme reference, duke ulur për më tepër dhe dëshirën për abuzim.
II.
Zhbërja e shërbimit tradicional ka filluar para 16 vitesh ...
Gjithsesi mënyra tradicionale e funksionimit të shërbimit farmaceutik do vihej në stres nga ndryshimet e vitit 2004 e në vazhdim.
Fillimisht u nda pronësia nga drejtimi teknik si kriter për licencimin e farmacive të territorit, duke liberalizuar sektorin horizontalisht dhe hapur rrugën për pronësinë e më shumë se një farmacie. Më pas e njëjta gjë u bë dhe me distribucionin, duke liberalizuar sektorin tashmë edhe vertikalisht, pra nga prodhimi tek pacienti, edhe horizontalisht në të njëjtin nivel, prodhues, importues, distribucion dhe shërbim ndaj pacientit. Potencialisht në Shqipëri i gjithë shërbimi farmaceutik mundet të përqendrohet në duart e katër pesë pronarëve, gjë që do vinte në rrezik jo vetëm mundësinë e zgjedhjes së pacientëve (të orientuar nga mjekët dhe figura profesionale të tjera shëndetësore), por edhe të vetë aftësinë negociuese të shtetit.
Hapja e kuotave të degës farmaci dhe goditjen e radhës për sistemin tradicional farmaceutik, duke trefishuar në 10 vjet numrin e farmacistëve në një vend ku në fakt nuk kishte nevojë për kuota shtesë.
Procedurat e rinovuara të licencimit për farmacitë dhe depot farmaceutike shtuan edhe më shumë presionin nga aktorë të rinj dhe shpesh pa eksperiencë në sektor. Procedurat treguan që ishin të pamenduara mirë, mjafton të thuhet se për çeljen e një farmacie nuk duhej parainspektim, gjë që solli edhe hapjen e farmacive në kundërshtim me rregullat ekzistuese për distancë dhe numër popullsie.
Pra panorma duket jo e mirë sepse ndryshimet e herëpashershme të legjislacionit farmaceutik, shpesh pa konsultim, dobësia e agjensive rregullatore dhe inspektuese, aktorë spekullues të lënë të lirë çuan dalëngadalë në fragmentimin dhe zhbërjen e sistemit farmaceutik tradicional në vendin tonë.
III.
E ardhmja që duhet të presim dhe e ardhmja që duhet të ndryshojmë. Çfarë duhet bërë në 2021? Unë personalisht do e filloja që këtë Shtator, por gjasat janë që askush nuk do ndryshojë gjë deri në 2021, nuk ka vullnet, madje dhe atëherë (2021) kam dyshimet e mia që do ndodhë diçka sepse nuk ka mjaftueshëm vizion dhe puls tek të treja partitë vendim-marrëse.
Gjithsesi, le t’i kthehemi shërbimit farmaceutik si është sot. Një e drejtë e fituar (nga investuesit aktualë) nuk mund të zhbëhet pa marrë në konsideratë parimin e sigurisë juridike, si dhe pasur parasysh se shumë situata të paligjëruara janë formalizuar de facto nga qasja “line mos e cyt” e vetë strukturave shtetërore. Në këtë pikë pamje duhen peshuar mirë avantazhet që vinë për shëndetin publik nga një zgjidhje e caktuar (x) me koston sociale dhe ekonomike që do sillte ajo në shumë investues, profesionistë, apo palë të tjera që kanë marrë tashmë vendime bazuar në ecurinë e ligjeve, vendimeve, kontratave, apo marrëveshjeve të tjera të shkruara dhe të pashkruara që kanë konturuar shërbimin farmaceutik. Ndryshe, nëse kjo nuk merret parasysh, nuk kemi të bëjmë më me proces shtetformimi dhe konsolidimi, por thjesht me diktat pushteti.
Bazuar në dy pjesët e para të shënimit dhe në këtë hyrje të pjesës së tretë unë parashtroj këto masa për rivënien në shina të situatës. Ky është Manifesto im për Shërbimin Farmaceutik 2021:
1. Pagesa mbi shërbimin e dhënë nga ana e farmacive dhe jo mbi bazë përqindje xhiroje, si dhe regjistrim në sistem edhe i recetave pa rimbursim dhe shërbimeve të tjera, si për shembull ato në suport të matjes së parametrave shëndetësorë të pacientit dhe të tjera;
2. Të rregullohet figura e farmacistit në komunitet duke ju besuar kundrejt pagesës një pjesë e ngarkesës administrative dhe shërbimeve shëndetësore të mjekut të familjes, duke normalizuar kësisoj dhe nr e pacientëve të ndjekur nga mjekët e familjes dhe farmacistëve. Jemi para absurdit që një mjek familje merr bonus nëse ndjek më shumë se sa 3000 pacientë, kur nuk duhet lejuar që të ndjekë më shumë se 1500 në këto kushte;
3. Kuptohet që një farmaci mund t’u garantojë shërbim një numri të pafund pacientësh, por duhet të garantojë së paku një numër të përshtatshëm farmacistësh, për shembull 1 në 1000 pacientë/qytetarë të ndjekur, duke e lidhur kështu edhe me pikën më lart, për figurën e farmacistit në komunitet, jo vetëm për aspektet administrative dhe menaxhimit të kartelës së pacientit, por edhe duke lejuar përshkrimin e një liste të kufiziar barnash;
4. Marrëveshje me importuesit në momentin e regjistrimit dhe vendosjes së çmimit për garantimin e rifreskimit të inventarit të distribucionit dhe farmacive, duke rifreskuar dhe detyrimet e tyre për praninë e barnave në dispozicion të shërbimit në parametra optimalë. Kjo e fundit vlen dhe për farmacinë dhe distribucionin. Garantimi i barnave në hapësira të përshtatshme kohore dhe fizike është detyrim, nga ana tjetër riskun financiar duhet ta mbajnë ata që kanë dhe përfitimet më të mëdha. Me disa ulje në bllokun e marketingut dhe me pak më shumë transparencë do krijohej hapësira e nevojshme për këtë zhvillim;
5. Rritja e transparencës mbi çmimet e barnave dhe shpenzimeve të përfaqësive farmaceutike dhe depove farmaceutike. Duhet të ndjekim shëmbullin e vendeve të tjera Evropiane dhe kërkojmë së pari transparencë mbi shpenzimet e përfaqësive, sidomos ato që lidhen me orientimin e personelit shëndetësor në përshkrimin e një bari apo tjetër, ose zëra të tjera që japin fleksibilitet për të pasur vlera Cash të cilat mund të përfundojnë në ekonominë gri, për shembull në dorë të mjekëve apo personave të tjerë përgjegjës dhe vendim-marrës. E njëjta gjë vlen dhe për proceset që lidhen me futjen e një bari në listat me rimbursim dhe protokollet e trajtimit. Kjo nuk është as më pak dhe as më shumë se sa po bëhet në çdo vend të Evropës. Nga ana tjetër duhet të kemi të njëjtën vigjilencë dhe ndaj importuesve dhe distribucionit, sidomos për praktikat e dyshimta të barnave me ofertë, uljeve dhe faturimit nga jashtë dhe brenda me çmime të fryra. Praktikë që jo vetëm krijon fitime të pajustifikuara për vlerën e barit, por liron dhe fonde që mund të përfundojnë në aktivitete të diskutueshme për orientimin e kërkesës, fryrjen dhe çorientimin e saj.
6. Krijimin e figurës së farmacistit të spitalit dhe lidhjen e farmacisë spitalore me farmacinë e komunitetit. Në një kohë kur kemi shumë pacientë që deri dje shtroheshin me kohë të gjatë në spital, të cilët sot mund ose duhet të trajtohen në shtëpi, ose kenë shërbime ditore në spital, lind nevoja për një kordinim më të mirë të këtyre dy entiteteve, pra farmaci spitalore dhe farmaci në komunitet. Nga ana tjetër ne jemi ndofta i vetmi vend që nuk kemi një specializim të tillë, pra farmacist spitalor, një mungesë e trashëguar që në vetvete në mendimin tim do të thotë se ne sot nuk kemi farmaci spitalore, por kemi një dollap barnash për spitalin, një hapësirë e mbushur me kutia. Kjo sëbashku me faktin se sot universiteti publik nuk ka një fakultet farmacie dhe Ministria përgjegjëse për Shëndetësinë nuk ka një drejtori të dedikuar për politikat farmaceutike tregon se shteti ynë nuk e ka prioritet këtë shërbim dhe gjithë sektorin farmaceutik. Kjo kërkon masa urgjente për kthimin në normalitet;
7. Të gjitha pikat më lart në thelb nuk heqin asnjë të drejtë të fituar por vendosin një rregull dhe kufizojnë mundësitë për spekullim të investuesve, por dhe të punësuarve. Në shërbimin farmaceutik gjithnjë do ketë persona të pandershëm që do fryjnë çmimet, do orientojnë drejt mbipërdorimit të barnave, do faturojnë shërbime fiktive. Sot me një emër dhe nesër me një tjetër. Është detyrë e agjensive rregullatore që të gjurmojnë rastet, që të krijojnë profile risku, jo vetëm për bizneset e identifikuara me NIPT, por edhe për individët. Ujku mund të ndërrojë qimen por jo zakonin, prandaj dhe legjislacioni jonë na jep hapësirë që në këtë aspekt të ndjekim dhe individët me precedente shkeljesh administrative dhe penale. Kjo është detyrë e shtetit dhe kjo është pika 7.

*Ky shënim është shkruar në ekskluzivë për Faktor.al dhe vlen për shërbimin farmaceutik. Një shënim tjetër për orientimin e sektorit farmaceutik, sidomos drejt tregjeve të jashtme, tashmë që kriza Covid-19 mund të krijojë mundësi për vendet Evropiane, do të vijojë.